Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tiranë: Banorët e periferisë që preken nga shembjet masive bashkohen në protestë

Banorë të lagjes “5 Maji”, Laprakës, Paskuqanit, Kombinatit e Kodrës së Priftit protestuan mbrëmjen e së mërkurës para bashkisë Tiranë.

Me thirrjen “Mbrojmë shtëpitë tona” ata e konsiderojnë të padrejtë shembjen e banesave të tyre si dhe politikat e ndjekura nga bashkia dhe qeveria shqiptare sa i përket shpronësimeve dhe strehimit.

Nuk thuhet as ku do e marrësh, nuk thuhet as kur do e marrësh. Do trajtohesh me bonus qiraje edhe kjo banesë që do të marrësh do të jetë banesë sociale, nuk do të jetë e jotja. Nesër kjo banesë sociale mund ti shërbejë një çifti të ri se ndryshojnë politikat sociale në vend”,-tha përmes megafonit Bled Marku, banor i Laprakës.

Banorët e lagjes “5 Maji” shtëpitë e të cilëve janë shembur tanimë, bënë thirrje para bashkisë Tiranë për vendosjen e drejtësisë.

“Drejtësia duhet të bëjë punën e saj. Provat janë aty, te “5 Maji”… Nga 160 e ca familje që janë nxjerrë jashtë dhe nga të gjithë ato që kanë në plan të nxjerrin këta nuk duan të sistemojnë asnjë. I duan të gjithë skllevër”,-u shpreh Ndue Marku.

Prej muajit shkurt, Instituti për Mbrojtjen e Territorit i Bashkisë Tiranë, ka kryer disa aksione shembje në zonën e “5 Majit”, ku nuk kanë munguar gazi lotsjellës dhe përplasjet e dhunshme mes banorëve dhe qindra forcave policore.

“Bingo me gaz lotsjellës, bingo me fadroma, bingo me na arrestuar në shtëpinë tonë edhe pse? Sepse ndenjëm në shtëpinë tonë, sepse jetuam në shtëpinë tonë, sepse deshëm lirinë në shtëpinë tonë… sepse deshëm të jetojmë në komunitet.”,-tha Gjin Nikolli, një prej banorëve gjatë protestës së djeshme.

Protestës i janë bashkuar edhe banorë të zonave të Laprakës, Paskuqanit e Kodrës së Priftit ku pritet të kryen shembje masive për shkak të ndërtimit të Unazës së Madhe të Tiranës. Ata paralajmëruan bashkinë se nuk do të lejojnë të preken shtëpitë e tyre.

Ata janë përjashtuar nga procesi i legalizimit, përpos aplikimit të tyre që në vitin 2005 kur u hap procesi.

Shndërrimi i lagjes “5 Maji” në “Tirana Riverside”

Banorët qendrojnë pas kordonit policor ndërsa shohin shembjen e shtëpive | Shkurt 2022

Më 31 janar 2020 Këshilli i Ministrave shpalli për rindërtim lagjen “5 maji”, ku bashkia Tiranë u caktua si zbatuese e projektit. Më 1 maj 2020 Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi Planin e Detyruar Vendor (PDV-në) për këtë zonë. Për shkak të fatkeqësisë natyrore të 26 nëntorit të 2019 kjo zonë informale u dha për rindërtim, me qëllim strehimin e të pastrehëve të dalë nga tërmeti.

Megjithatë projekti “Tirana Riverside” është planifikuar më herët se ngjarja e tërmetit. Nga ky projekt preken 222 pronarë, ndërsa priten të ndërtohen 3500 apartamente të reja.

Për ata banorë të cilët ishin në proces legalizimi të shtëpive të tyre, procesi ndaloi për ti hapur rrugë rindërtimit.

Sa i përket strehimit të banorëve pas shembjes së shtëpive, bashkia Tiranë ofroi kontrata bashkëpunimi si aktmarrëveshje për dëmshpërblim të pronës. Edhe pse në të nuk parashikohet koha dhe vendi ku do të marrin banesën e tyre.

Për shkak të mungesës së transparencës nga ana e bashkisë dhe konsultimit mbi projektin shumë banorë nuk kanë nënshkruar akt-marrëveshjen duke vijuar protestat që prej vitit 2020.

Kombinat: “Rindërtim mbi eksperiza të rreme”

Blloku i pallateve të shembura në Kombinat i fotografuar nga lart

67 pallate në Kombinat kanë marrë miratimin për t’u shembur nga bashkia Tiranë si pasojë e tërmetit. Banorët e kanë kundërshtuar shembjen pasi sipas tyre procesi i verifikimit ka qenë i pavërtetë.

Ata kanë ngritur 15 padi ndaj bashkisë Tiranë, 3 prej të cilave i kanë fituar në Gjykatën Administrative. Padi këto që kanë kërkuar rrëzimin e vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës që përcaktonte shembjen e pallateve pasi u shpallën të pabanuara.

Procedura e ndjekur për pallatet në Kombinat për të çuar në shembjen e tyre ishte përcaktimi i dëmtimit të tyre në një shkallë të lartë sikurse DS4, ndryshe nga ç’ishte dëmtimi në të vërtetë.

Sipas nenit  34 të aktit normativ numër 9/2019 të miratuar për përballimin e pasojave të tërmetit, nëse ndërhyrjet për riparimin e strukturës së godinës kushtojnë më shumë se 70% e kostos së rindërtimit nga e para të godinës, atëherë autoriteti përgjegjës vendos shembjen e detyruara të këtij objekti.

Prej tërmetit një pjesë e banorëve të Kombinatit janë zhvendosur nga lagjja e tyre duke përfituar bonusin e qirasë. Në mars 2022 ata protestuan për të kërkuar ndërtimin e pallateve aty ku ishin dhe sa më shpejt nga ana e bashkisë.

Projekti i Unazës së Madhe lë pa shtëpi 840 familjet e Laprakës, Paskuqanit dhe Kodrës së Priftit

Planimetria e shpronësimeve për projektin e Unazës së Madhe

Rreth 700 shtëpi preken nga projekti i Unazës së Madhe në Laprakë. Banorët prej disa muajsh janë ngritur në protestë pasi theksojnë mungesën e transparencës së bashkisë lidhur me projektin.

Bashkë me banorët e Laprakës u bashkuan në protestë edhe ata të Paskuqanit. Projekti i Unazës së madhe prek rreth 100 shtëpi në këtë zonë, Sipas banorëve, plani fillestar i unazës parashikonte ndërtimin e rrugës përgjatë lumit në Paskuqan, por më pas ndryshoi duke e devijuar atë përmes zonës.

Në zonën e Kodrës së Priftit si pasojë e devijimit të lotit të katërt të Unazës së Madhe preken 40 shtëpi. Banorët shprehen se janë skualifikuar nga legalizimi, duke mos pasur informacion dhe transparencë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *