Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tiranë: Protestë kundër dhunës seksuale ndaj 11-vjeçares në Prishtinë

Qindra qytetarë u mblodhën mbrëmjen e djeshme në Sheshin “Nënë Tereza” në solidaritet me 11-vjecaren e përdhunuar nga 5 persona në Prishtinë.

“Edukoni çunat”, “5 djem, 7 orë, vajza 11 vjeç”, “Mos më prek” ishin disa nga thirrjet që brohorisnin protestuesit.

Ngjarja u bë publike më 27 gusht, ku sipas mediave në Kosovë 11-vjecarja dyshohet se ishte duke ecur në parkun e lagjes ‘Arbëria” në Prishtinë ndërsa është ndaluar dhe përdhunuar përgjatë 7 orëve në vijim.

Protestuesit u shprehën se dhuna në të gjitha format ndaj vajzave dhe grave përbën kërcënim për të gjithë.

“Organizimi i sotëm vjen në solidaritet me ngjarjen e trishtë që ndodhi para dy ditësh në Kosovë. Një vajzë 11-vjecare është përdhunuar në Prishtinë, nga pesë burra, për shtatë orë rresht. 11 vjeç, 5 burra, 7 orë. 11 vjeç, 5 burra, 7 orë. Dhunimi seksual sikundër të gjitha format e tjera të dhunës ndaj vajzave dhe grave përbën kërcënim për të gjithë”-u shpreh aktivistja e të drejtave të njeriut Xheni Karaj.

Protestuesit që morën fjalën u shprehën se raste të tilla të dhunës seksuale nuk përbëjnë dallim nga vendi ku jeton.

“Unë besoj se në qoftë se një vajzë dhunohet dhe përdhunohet në Prishtinë është njësoj sikur ka ndodhur në Tiranë, është njësoj sikur ka ndodhur në cdo cep të botës. Sepse nëse është dhunuar njëra dhe është përdhunuar njëra, jemi dhunuar dhe përdhunuar të gjitha. Askush dhe asnjëra nuk shpëton”, -tha Neda Balluku, një nga qytetaret e pranishme në protestë.

Ndër të tjera ata kërkuan publikimin e emrave të përdhunuesve dhe dënime meritore ndaj tyre.

“Dua që vëmendja të jetë jo vetëm te ata Ekremi, Genti, Xhabiri, Gentriti dhe Shkëlqimi, por te të gjithë ata burra që vazhdimisht komentojnë në rrjete sociale dhe mbështesin përdhunimin, mbështesin ngacmimin, mbështesin pedofilinë. Dhe të gjithë ata të cilët mendojnë se mënyra se si je veshur të bën që të jesh lehtë e përdhunueshme. Nuk përdhunon veshja. Kuptojeni njëherë e mirë. Përdhunon mendja”-u shpreh aktivistja Zhaklin Lekatari.

Qytetarët sollën në vëmendje rritjen e dënimit ndaj personave që kryejnë akte të tilla dhune.

“Në Shqipëri është nga 3 deri në në 20 vjet ky dënim. Nëse do të kërkosh gjykim të shkurtuar nga 3 vjet I bie dy vjet. Bën një vit burg dhe del pastaj me kusht. Në qoftë se një person përdhunon një fëmijë të mitur mund të dalë edhe me një vit jashtë. I vetmi ndryshim që mund të bëni është një peticion që të ngrini minimumin, pra minimumi 15-20 vjet”-u shpreh një nga pjesëmarrësit në protestë.

Mos dënimi meritor është i pranishëm edhe në Shqipëri. Në 2020, tetë të rinj që përdhunuan të miturën në Kavajë kryen vetëm një vit burg.

Prej sheshit “Nënë Tereza” qytetarët marshuan përgjatë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit” duke ndaluar te Kryeministria, ku thirrën për hartime politikash që japin dënime maksimale për dhunuesit.

Në mesditë, në orën 12:00 qindra qytetarë u mblodhën në sheshin “Zahir Pajaziti” në qytetin e Prishtinës. Ata kërkuan drejtësi dhe dënim të merituar për përdhunuesit e vajzave dhe grave.

Në shenjë proteste qytetarët ngjyrosën me ngjyrë të kuqe edhe emrat e institucionit të Prokurorit të Shtetit, Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Avokatit të Popullit.

Në orë 17:00 protestë në shenjë solidarizimi me qytetin e Prishtinës u mbajt edhe në Shkup.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *