Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ndotja akustike, Tirana mbetet qyteti më problematik, 78% e qytetarëve të prekur nga zhurma

Problemi me zhurmat mbetet i pazgjidhur për Tiranën. Rreth 78% e qytetarëve të Tiranës janë të prekur nga zhurmat dhe jetojnë çdo ditë me të.

Sipas monitorimit të Co-PLAN në Tiranë janë mbi 230 mijë qytetarë të cilët jetojnë në zona ku ndotja akustike është gjithë kohës mbi standartin e lejuar. Co-PLAN që prej 2017 monitoron zhurmat në katër qytete kryesore, Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër.

Eksperti i mjedisit, Rodion Gjoka i tha Citizens Channel se ata kanë kryer matje tematike, si përshembull pranë institucioneve arsimore apo shëndetësore.

“Situata me ndotjen akustike është shqetësuese për shënetin publik”, thotë Gjoka duke shtuar se zhurmat në Tiranë janë jo vetëm mbi standartin e lejuar por janë aq të larta sa ndikojnë në ritmin kardiovaskular dhe nivelin e stresit.

Këto janë gjendje të krijuara nga stimulues artificial të cilat në kushtet e grupeve vulnerabël si foshnje, të moshuar apo të sëmurë kronik rrisin risqet dhe krijojnë komplikime të parikuperueshme”, tha Gjoka. 

Të dhënat zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) tregojnë se ndotja akustike urbane në kryeqytet arrin vlerën 70dB ditën dhe 57dB natën, rreth 20dB më e lartë se standardi i BE për nivelin kufi të ndotjes akustike.

Rodion Gjoka, Instituti Co-PLAN

Sipas raportimit të AKM-së,  gjatë vitit 2021, 10 nga 11 qytetet e audituara e tejkalojnë standartin e lejuar teë zhurmës në qytet si gjatë ditës edhe gjatë natës. 

Tirana mbetet më problematikja, pasi ka nivelin më të lartë të ndotjes akustike.

Por jo vetëm kaq, është i vetmi qytet ku në të 15 stacionet e monitoruara asnjëra nuk rezulton të jetë zonë me ndotje akustike brenda normave të lejuara”, sqaron Gjoka.

“Grupet vulnerabël më të ekspozuarat”

Ndotja akustike shkakton komplikacione të ndryshme si stres apo probleme me ritmin kardiovaskular. 230 mijë banorë jetojnë në zona ku ndotja akustike është tejet niveleve të lejuara.

Eksperti Rodion Gjoka shprehet se ky është dhe grupi më i ekspozuar: Ne kemi dyshime që pjestaret vulnerabel të ketij grupi të ekspozuar (pra foshnje të moshuar apo sëmur kronik) janë në risk të shtuar për komplikacione apo fatalitete”.

Hartë e zhurmave në Tiranë sipas niveleve/ Burimi: Green Lungs, Co-PLAN

Sipas tij kjo nuk ndodh vetëm prej zhurmës por pasi këto grupe janë të ekspozuar edhe ndaj ajrit të ndotur në Tiranë.

“Problemi nuk ka ardhur duke u përmirësuar përkundrazi, duke shtuar auditimet po vëmë re që problemi ka shtrirje edhe më të gjerë sikundër edhe papërgjegjshmëria ndaj ketij fenomeni është thellësisht shqetësuese”, tha ndër të tjera Gjoka.

“Papërgjegjshëmëria institucionale”

Shqipëria ka një ligj ekzistues për zhurmat, i cili është miratuar në vitin 2007. 

Ligji ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe të mjedisit nga zhurmat, “duke përcaktuar mënyrën e shmangies dhe masat për parandalimin, reduktimin dhe zhdukjen e efekteve të dëmshme të ekspozimit ndaj tyre, përfshirë bezdinë nga zhurma”. Ky ligj prej 14 vitesh “fle në sirtar”. 

“Ligji është mjaft i qartë, aktet duhen përmirësuar sikundër edhe buxhetimi për të audituar, inspektuar dhe ndjekur këtë problematik duhet të marrë peshë më të madhe”, tha për Citizens Channel Rodion Gjoka. Sipas tij sot monitorohet vetëm për statistikë, “për të plotësuar dy dokumente dhe asgjë më shumë”.

Për ekspertin e mjedisit, Instituti i Shëndetit Publik ISHP nuk është duke bërë asgjë për shqetësimet shëndetësore që vijnë nga komponentët e mjedisit. 

“Ka një dekadë që fle. Sot në Shqiperi ka njerëz që sëmuren madje edhe rëndë si pasoje e ekspozimit në mjedise të ndotura e kushte skandaloze higjeno-sanitare”, shton Gjoka.

Sipas Agjensisë Europiane të Mjedisit, janë të paktën 2800 vdekje çdo vit që lidhen me ndotjen në Shqipëri.

“Askush nuk flet e nuk reagon për këtë! Unë e konsideroj vepër penale, si çdo qytetar i atyre vendeve ku bëhen filma me këto histori”, u shpreh Gjoka.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *