Burimi: Google

41% e shqiptarëve dëshirojnë të largohen nga vendi, teksa kanë shprehur një nivel të ulët besimi tek institucionet vendase. Kështu tregoi sondazhi i realizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM për vitin 2021.

Sondazhi “Besimi në qeverisje” mori mendimin e 2 500 personave në 61 bashki të vendit.

Rezultatet e sondazhit treguan një besim të lartë të qytetarëve te institucionet e huaja si NATO, me 73.2% apo BE me 71.3%.

Ndërsa institucionet më pak të besuara ishin Presidenca (23.5%), partitë politike (26.4%), gjykatat (27.7%) dhe prokuroria (28.4%).

Sipas të anketuarve, reforma në drejtësi po zbatohet në mënyrë korrekte. 57% e qytetarëve besonin se reforma do të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin e vendit. Raporti i IDM-së përcjell se këto shifra patën një rritje me 6 dhe 4 pikë përqindjeje krahasuar me 2020.

Burimi: IDM

Sa i përket besimit të informacionit, qytetarët shqiptarë vijojnë të kenë një besim të lartë (54%) tek televizioni. Kahasuar kjo sipas zonës së banimit, popullsia rurale ka një besim më të lartë tek televizioni (60%) se ajo urbane.

Ndërsa qytetarët kanë shfaqur një besim prej 29% tek mediat sociale dhe vetëm 10% e të anketuarve kanë shprehur besim tek portalet online.

Gjatë vitit 2021, një në katër qytetarë besonte se informacioni që jepej nga mediat në Shqipëri ishte i saktë/vërtetë”, thuhet në raport.

“Transparenca dhe korrupsioni”

Qeveria qendrore “nuk e ka kaluar testin” për transparencën. 57.4% e të anketuarve besojnë se qeveria qendrore nuk është transparente, teksa 58,2% mendojnë njësoj për bashkitë.

Raporti thekson një përmirësim sa i përket njohjes së qytetarëve në lidhje me të drejtën për informim. 62.3% e tyre në 2021 ishin të ndërgjegjësuar mbi të drejtën e informimit.

Në përgjithësi, shqiptarët besojnë se organizatat ndërkombëtare (77%) i kërkojnë llogari qeverisë shumë më tepër se sa institucionet vendase”, thuhet në raportin e IDM-së.

Sipas sondazhit institucionet më frytdhënëse për llogaridhënien në vend ishin, Kontrolli i Lartë i Shtetit (71.1%), ndjekur nga Parlamenti (63.9%) dhe media (61.5%).

Sakaq, korrupsioni vijon të mbetet problem madhor për qytetarët shqiptarë, shoqëruar kjo më një besim të ulët tek institucionet që e luftojnë atë.

83.1% e shqiptarëve e perceptojnë korrupsionin e nivelit të ulët si të përhapur ose shumë të përhapur, sipas sondazhit. Ndërsa 83.7% e perceptojnë korrupsionin e nivelit të lartë të përhapur.

Burimi: IDM

Nga ana tjetër rezultatet e sondazhit renditën si pesë institucionet më të korruptuara në 2021, gjyqësorin, administratën publike, institucionet e kujdesit shëndetësor, institucionet vendore dhe policinë.

68.4% e qytetarëve nuk kishin besim te ndjekja penale e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, tregon studimi.

Sa i përket ndikimit të politikës në institucione, qytetarët kanë një perceptim se Prokuroria dhe gjykatat janë më të ndikuarat.

“Prokuroria (48.3%) dhe gjykatat (49.1%) konsiderohen si institucionet më shumë të ndikuara politikisht”, thuhet në studim. Teksa vihet re se institucionet fetare konsiderohen si më të pavarurat nga politika.

Raporto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu