Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Vendimi i qeverisë për mbylljen e kolegjit turk shoqërohet me protesta dhe akuza për politizim të arsimit

Këshilli i Ministrave mbylli një ditë më parë institucionin arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”, i cili financohej nga fondacioni “Gulistan”.

vendimin e Këshillit të Ministrave nuk përcaktohet arsyeja e mbylljes së shkollës, ndërsa shkolla ngarkohet me detyrimin për të pajisur nxënësit me dokumentacionin përkatës për t’u transferuar në institucione të tjera arsimore si dhe të kthejë pagesat e kryera nga prindërit e nxënësve.

Përfaqësuesit e shkollës “Mehmet Akif” shprehen se ky vendim ishte i papritur dhe për mbylljen e shkollës ata janë njoftuar nëpërmjet mediave.

Ata u shprehën se gjatë muajve të fundit kanë qenë nën monitorim nga autoritetet përgjegjëse për shkak të ndryshimit të godinës.

“Në fund të vitit mësimor 2021-2022 u ndjemë të detyruar të ndryshojmë godinën, pranë Rrugës së Kavajës në Tiranë, te një tjetër, në zonën e Mëzezit / Kashar (ish-godina e Universitetit “Aldent”). Për të kthyer këtë godinë në një ambient të denjë për standardet tona, vepruam sipas përcaktimeve ligjore duke njoftuar Ministrinë e Arsimit si edhe morëm leje për të kryer punime nga institucionet e qeverisjes vendore” -sqaron shkolla në komunikimin zyrtar.

Gjatë inspektimeve ata shprehen se nuk janë informuar për problematika.

“Gjatë kësaj periudhe, deri në fund të muajit gusht kemi patur inspektime dhe korrespondencë të rregullt me autoritetet përgjegjëse dhe nuk kemi hasur asnjë problem dhe nuk jemi informuar për diçka që nuk shkon në drejtim të vijimit të punës normalisht. Në 14 shtator të këtij viti, pranë shkollës sonë paraqitet një grup pune i Ministrisë së Arsimit për të kryer inspektimet mbi ligjshmërinë e veprimtarisë”.

Ndërsa, janë informuar përmes postës një ditë më parë për mos përmbushje kriteresh.

“Çuditërisht, sot më datë 22 shtator, nëpërmjet postës jemi njoftuar nga Ministria e Arsimit se institucioni ynë nuk i plotëson kriteret për vijimin e aktivitetit”.

“Mbyllja e paralajmëruar e kolegjit”

Institucioni shkollor ka deklaruar se do të ndjekë procedurat ligjore për këtë vendim.

Kolegji “Mehmet Akif Ersoy” ka një aktivitet prej 26 vitesh në Shqipëri. Në vizitat e fundit në Shqipëri presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka insistuar për mbylljen e këtyre institucioneve, për shkak të lidhjeve me klerikun turk Fetullah Gylen, kundërshtar i Erdogan.

Në janar të vitit 2022, Erdogan u shpreh se ndjehet i lënduar që FETO gjen hapësirë veprimi në Shqipëri.

“Fakti që FETO është ende në gjendje të gjejë fushëveprimi në vendin mik dhe vëlla Shqipërinë, e lëndon thellë popullin tonë, bijtë e bijat e të cilit kanë rënë dëshmorë. Pritshmëria jonë më e sinqertë është që në periudhën që kemi përpara të ndërmerren hapa më konkretë, vendimtarë dhe hapa më të shpejtë kundër strukturimit të FETO në Shqipëri,”- deklaroi presidenti turk asokohe.

Pak ditë më parë, me një vendim tjetër të Këshillit të Ministrave më datë 20 shtator 2022 u mbyll edhe kopshti “Zubeyde Hanim”, pjesë e shoqërisë “Turgut Ozal”.

Sipas vendimit të qeverisë “institucioni arsimor parauniversitar privat ushtron aktivitetin në një godinë, për të cilin nuk është marrë miratimi nga ministri përgjegjës për arsimin dhe institucioni përkatës i licencimit”. 

Nxënësit protestojnë për mbylljen e shkollës

Ditën e sotme, nxënësit e kolegjit “Mehmet Akif” u organizuan në protestë.

Pasi kënduan të himnin shqiptar, ata shpalosën pankartat me mesazhe që kërkojnë anulimin e vendimit të Këshillit të Ministrave.

“Anulo mbylljen Mehmet Akif”, “Konkurrenca i bën ëndrrat e lira’, “3 min për të shkatërruar 30 vite sukses”, ishin disa nga pankartat e përgatitura nga të rinjtë.

Nxënësit dorëzuan në shenjë revolte certifikatat dhe medaljet që kanë fituar në konkurse dhe olimpiada të ndryshme.

Ministria e Arsimit: “Mbyllja e shkollës si pasojë e një sërë shkeljesh ligjore” 

Nisur nga reagimet publike të nxitura nga mbyllja e kolegjit “Mehmet Akif”, Ministrja e Arsimit, Evis Kushi përmes një statusi në faqen zyrtare në Facebook u shpreh se ky vendim është rezultat i konstatimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit të një sërë shkeljeve të legjislacionit në fuqi nga zotëruesit e licencës në fjalë.

Sipas ministres Kushi 3 janë shkeljet ligjore:

1. Kanë filluar procesin mësimor 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pamiratuara nga MAS, pra pa certifikimin ligjor përkatës të standardeve të godinës.

2. Nuk i kanë plotësuar më tej kriteret ligjore edhe pse nga ana MAS është kryer dy herë verifikimi i tyre.

3. Në kushtet e ushtrimit të veprimtarisë jashtë kritereve përkatëse licenca duhet të revokohet.

Rigels Xhemollari, përfaqësues i Qëndresës Qytetare, organizatë që merret me çështjet e arsimit shprehet se vendime të tilla të padiskutueshme janë në kufitjë e fashizmit.

“Mbyllje e nje shkolle gjithmone eshte nje lajm i keq, por fakti qe mbyllet pa ndonje arsye bindese jemi ne kufijte e fashizmit, pasi deri tani gjithe vendimmarrja qofte edhe e gabuar e qeverise eshte mbuluar nga makineria e propagandes. Sot kemi hyre ne nje faze te re, ku askush nuk te pyet apo njofton, vendimet jane te padiskutueshme sido qofshin ato”-shprehet Xhemollari.

Kryeministri Rama: “Shkolla në shkelje për të cilën ligji parashikon heqjen e liçencës”

Përmes një postimi në twitter, kryeministri Rama iu është përgjigjur shqetësimeve të mbylljes së kolegjit turk.

Sipas tij, s’ka asgjë të vërtetë lidhur me ndikimin që ka pasur kërkesa e presidentit Erdogan për mbylljen e institucioneve arsimore guleniste në vend, ndërsa ka theksuar se është zbatuar ligji për heqjen e licencës së shkollës.

“Të shesësh godinën ku ke lejen e aktivitetit shkollor dhe të hapësh aktivitetin diku tjetër, pa marrë lejen sipas ligjit, pa plotësuar kriteret e pa përmbushur standardet e kërkuara ligjërisht, është një shkelje për të cilën ligji parashikon heqjen e liçencës”,-u shpreh kreyministri Rama.

Në përfundim të reagimit të tij, kryeministri dënoi përdorimin e fëmijëve si reagim ndaj vendimit.

“Përdorimi i fëmijëve pastaj për të fshehur fajin karshi ligjit, prindërve dhe vetë nxënësve, duke luajtur rolin e viktimës së qeverisë, kur në fakt je verifikuar jo një po dy herë në shkelje, tregon ndërgjegje të ulët në raport me misionin e lartë të një vatre edukimi”,-përfundoi Rama.

.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *