Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Punonjësit e Call Center-ave nisin rezistencën ndaj shkeljes së Kodit të Punës

Prej shtatë vitesh Zoi punon në sektorin call center, pesë prej të cilave së fundmi në kompaninë italiane PARR. Edhe pse e pajisur me një kontratë pune, asnjëherë nuk ishte kujdesur ta lexonte atë.

Nevoja për të lexuar çdo pikë të kontratës erdhi pas presionit të vazhdueshëm në kompaninë ku ajo punon, me ndryshime të shpeshta të kushteve të punës pa dijeninë e tyre.

‘Vitin e fundit ata kishin një rënie drastike të të gjitha fushatave dhe kuptuam që për ti nxirë jetën çdo operatori të mundshëm po bënin ndryshime të gjithçkaje, por të herë pas hershme, duke filluar nga ndryshimet e orareve që i ndryshonin siç donin ata duke mos i lenë asnjërit nga ne, mundësinë që të bënte diçka”,-rrëfen Zoi për Citizens Channel.

Njohja me kontratën dhe diskutimi mbi kushtet e punës me kolegët, nxori në pah një sërë shkeljesh nga punëdhënësit, sikurse pagesa e ditëve të pushimit.

Foto gjatë protestës së zhvilluar më 26 shtator 2022 pranë kompanisë PARR

Prej kohësh, punëtorët e sektorit të call center-it bashkë me Sindikatën Kombëtare të Operatorëve Telefonikë (SKOT) janë organizuar në protesta ku kanë kërkuar pagesën e ditëve të festave, mohuar për gjashtë vite rresht nga kompania PARR , si edhe respektimin e të drejtave të punonjësve në vendin e punës.

“Që nga 2016 e deri më sot 95% e call center-ave, dhe flasim për call center-a të mëdhenj, askush nuk e ka paguar ditën festive sipas Kodit të Punës. Problematikë tjetër që ne kemi hasur është mos barazia në pagë, pra mos diskriminimi në pagë”,-shprehet Ilir Xhemalaj, kreu i SKOT.

Sipas nenit 86 të Kodit të Punës, ndalohet puna në ditët e festave zyrtare dhe punëmarrësi gëzon të drejtën e pagës në këto ditë.

“Puna e kryer ditën e pushimit javor ose ditët e festave zyrtare kompensohet me një shtesë page jo më pak se 25 përqind ose me një pushim të barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer plus një pushim shtesë jo më pak se 25 për qind të kohëzgjatjes së kësaj pune, që merret një javë para ose pas kryerjes së saj,”-thuhet në Kodin e Punës.

Disa prej shkeljeve të të drejtave në punë nga kompanitë call center, sipas Xhemalajt, vegjetojnë që prej periudhës së mbylljes nga pandemia.

“Një problematikë e madhe, tjetër, që na ndodhi gjatë pandemisë ishte që nuk paguhej puna nga shtëpia. Jo se nuk paguhej paga orare, por nuk paguhej sipas Kodit të Punës shqiptar kur një person jashtë vendit kryesor të punës, pra në rastin tonë në shtëpi, atij duhet ti rimbursohej energjia elektrike, duhet ti rimbursohet përdorimi i kompjuterit, pra duhet të marrë një pagesë ekstra”,-argumenton Iliri Xhemalaj.

Punonjësit theksojnë se do ta përshkallëzojnë në grevë protestën e tyre, nëse nuk marrin një përgjigje pozitive nga kompania.

“Mendojmë ta përshkallëzojmë, do shkojmë deri në grevë. Aktualisht po mundohemi të ulim nivelin e punës atë që kanë punë aktive se janë tre fushata aktualisht dhe ato janë në rënie dhe po mundohemi të ulim nivelin e punës deri në momentin që zëri jonë të paktën të dëgjohet. Të dëgjohet nga pronarët”,-shprehet Zoia.

Angazhimi sindikal shoqërohet me presion ndaj punonjësve 

Sindikata Kombëtare e Operatorëve Telefonikë e krijuar në 2019, sipas tyre një në pesë persona që punon në këtë sektor janë pjesë e sindikatës. Megjithatë, kjo nuk është një shifër konkrete për aq kohë sa anëtarësimi në sindikata ende kryhet në kushte të fshehta.

Sindikalizmi nuk pritet mirë nga kompanitë të cilat e reflektojnë mos dakordësinë duke ushtruar presion ndaj punonjësve.

“Normalisht ka pasur shumë presion, presion psikologjik nga të gjithë ne, për ata ndoshta është shumë normale, por për ne normalisht që jo. Përveç kësaj ndryshimet e turneve, ata nuk toleronin asgjë. Marrin në mbledhje persona që janë të ndrojtur deri diku që nuk janë mësuar me debate, i vënë nën presionin që nëse ngatërrojnë një fjalë italisht ironizojnë që nuk dini ti shprehni mendimet tuaja italisht”,-rrëfen Zoia.

Sipas saj, bashkë me të janë anëtarësuar në sindikatë edhe 120 persona të tjerë të sektorit ku ajo punon, ndërsa shpjegon se kompania PARR nuk e njeh sindikatën.

“PARR nuk e njeh sindikatën. I thonin nuk na keni sjellë dokumentin e nevojshëm për të njohur sindikatën”,-rrëen Zoia.

Sipas kreut të SKOT, kërcënimet ndaj punonjësve të anëtarësuar në sindikatë janë të shpeshta, tanimë edhe të dokumentuara prej tyre.

“Ne jo vetëm tërheqje vëmendjeje por ne i kemi edhe me fotografi, i kemi me e-maile ku operatorët kërcënohen që do t’ju hiqet vendi I punës, të lenë vendin e punës ,të largohen nga puna, ulin orët e punës. I dërgojnë nëpër fushata të tjera që nuk paguhen. U ndërrojnë turnet, pra përpiqen në çdo mënyrë që këtyre operatorëve tu nxijnë jetën”,-deklaroi Xhamalaj.

Sindikatat të brishta financiarisht për të ndjekur procese gjyqësore

SKOT është duke ndjekur në gjykatë dy procese kolektive dhe një mori çështjesh individuale. Gjykata është adresimi i fundit sipas tyre, pas ankesave pranë Inspektoratit të Punës dhe Komisionerit kundër Diskriminimit.

“Kemi 3 vjet me një proces dhe jemi ende në seancat fillestare. Edhe në qoftë se marrin vendim, këto janë kompani shumë të fuqishme dhe vënë përballë studio ligjore jashtëzakonisht shumë të fuqishme”,-rrëfen kreu i sindikatës SKOT.

Sipas tij sindikata është e brishtë në aspektin financiar dhe zgjidhja e vetme ka qenë ndihma e kërkuar nga organizatat e shoqërisë civile.

“Kemi gjetur mbështetje te Qendra për të Drejtat në Punë dhe Qendra për Fuqizimin Ligjor. Këto na kanë ndihmuar me avokatë, por dhe këto na ndihmojnë deri në njëfarë pike se edhe vetë kanë financa të kufizuara. Çështjet janë goxha voluminoze dhe nuk kemi asnjë ndihmë nga shteti”,-përfundon Xhemalaj.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *