Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Gjykata Evropiane: “Veçimi i fëmijëve romë dhe egjiptianë në shkollën 9-vjeçare në Korçë është diskriminim”

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNj) ka dalë në përfundimin se Ministra e Arsimit dhe Drejtoria Arsimore Rajonale (DAR) Korçë kanë diskriminuar fëmijët romë dhe egjiptian që ndjekin shkollën 9-vjeçare “Naim Frashëri” në po të njëjtin qytet, duke shkaktuar segrerimin e tyre nga fëmijët e tjerë.

Shkolla 9-vjeçare “Naim Frashëri” rezulton se frekuentohet thuajse në masën 100% nga fëmijët e komunitetit rom dhe egjiptian. Ky veçim ka ardhur si pasojë e politikës së ndërmarrë në vitin 2012 nga Ministria e Arsimit për dhënien e bursave dhe dietave ushqimore vetëm për fëmijët e dy minoriteteve të mësipërme, një projekt pilot që kishte si qëllim të rriste frekuentimin në shkollë.

Politika e ndërmarrë në fakt ka çuar në largimin e plotë të fëmijëve që nuk janë pjesë e këtyre minoriteteve.

Ky rast, para se të shkonte në Gjykatën Evropiane, u trajtua fillimisht nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD).

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi mori një ankesë në qershor të vitit 2015 nga organizata “Qëndistarët” dhe nga Qendra Evropiane për të Drejtat Rome në Shqipëri rreth veçimit të fëmijëve në këtë shkollë.

Gjatë shqyrtimit, KMD iu drejtua DAR Korçë, ku iu kërkua informacion lidhur me rastin e segregimit të fëmijëve romë dhe egjiptianë në shkollën 9-vjeçare “Naim Frashëri”.

DAR u përgjigj se ndonëse politika e ndërmarrë e dhënies së bursave dhe dietave ushqimore kishte si qëllim të rriste frekuentimin, rezultati ishte i kundërt dhe solli “si pasojë largimin e nxënësve të komuniteteve të tjera për shkak të pabarazisë në trajtim”.

Pabarazia, shkruhet më tej në përgjigjen e Drejtorisë Arsimore Rajonale Korçë ka bërë që “prindërit e fëmijëve që nuk përfitonin ndihma t’i largojnë haps pas hapi fëmijët, duke u ndjerë të mënjanuar në mënyrë të heshtur”.

Ministria e Arsimit nuk vuri në dispozicion asnjë informacion lidhur trajtimin e ankesës së paraqitur nga KMD-ja. “Ka munguar një komunikim thelbësor nga Ministria e Arsimit”, – thotë për Citizens Channel Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda.

Pas komunikimeve me palët e përfshira, KMD-ja doli në përfundimin se ka diskriminim ndaj fëmijët romë dhe egjiptianë për arsye të racës dhe etnisë dhe kërkoi që Ministria e Arsimit dhe DAR Korçë të marrin masa të menjëhershme për ndryshimin e raportit të fëmijëve që frekuentojnë shkollën 9-vjeçare “Naim Frashëri”.

Vendimi i marrë nga KMD-ja nuk çoi në veprime konkrete të këtyre dy institucioneve, çka bëri që 18 qytetarë nga gjashtë familje ta çojnë çështjen ne Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Gajda pohon se ka raste të tjera segregimi në Shqipëri, por Ministria e Arsimit sërish nuk ka marrë masa për ndalimin e këtij diskriminimi. “Nuk kemi vënë re që ministria të ketë impuls për të lëvizur, për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare këtyre rasteve”.

Vendimi tashmë përfundimtar i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut thotë se është shkelur neni 1 i protokollit 12 të Konventës dhe për këtë arsye familjet që i janë drejtuar institucionit ndërkombëtar do të dëmshpërblehen nga shteti shqiptar me 4500 euro secila.

Vendimi është i mirë edhe për një gjë, se praktikisht i tregon shtetit shqiptar që është i detyruar që të zbatojë vendimet e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, – përfundon Robert Gajda.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *