Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Gratë rurale përballë sfidave të ekonomisë bujqësore dhe patriarkatit

Dake Gjoni prej 18 vitesh koordinon punën e një grupi grash rurale në Qelëz, Pukë për prodhimin e produkteve bio për tregun lokal dhe kombëtar.

“Nëse gratë para 15 vitesh kanë qëndruar të izoluara në shtëpi, sot ato janë përditë pjesë  e tregut“, tregon ajo.

Dake Gjoni

Megjithëse ky grup kultivon dhe përpunon produkte bio të cilësisë së lartë, Gjoni ngre shqetësimin e mungesës së certifikimit, që ia kufizon tregun.

“Ne kërkojmë të bëhet certifikimi i produkteve tona, të serës, të produkteve bujqësore, blegtorale në mënyrë që kur konsumatori vjen dhe blen në treg të jetë i garantuar për cilësinë e prodhimit“, vijon ajo.

Historitë e grave në zona të ndryshme të Shqipërisë janë të ngjashme. Beruze Çakalli nga Elbasani, kujton fillimet e vështira të organizimit të grave në zonat rurale, të cilat u bënë bashkë për të sfiduar mendësinë patriarkale.

“Ka qenë pak e vështirë, jo ku do ikni juve, jo po gratë nuk duhet të ikin pa burrat, kishte mënyra të ndryshme që nuk mund t’i lejonin gratë të vinin të merrnin pjesë në aktivitet që ne organizonim“, tha për Citizens Channel Beruzja e cila sot është pjesë e një grupi prej mbi 20 grash aktive në Federatën Bujqësore Elbasan.

Engjellushe Pepaj nga Grupi i Grave në Qelëz të Pukës tregon se në fillim kishte turp të dilte në treg për të shitur produktet e saj.

“Nga fruti i parë deri te i fundit, nga hurma te luleshtrydhja, i mbledhim, i përpunojmë, i thajmë, edhe frutat i konservojmë në lëngje, reçel etj.“, pohon ajo.

Engjellushe Pepaj

Pepaj shton se puna në grup e ka shndërruar sot në një fermerë aktive.

“Tani unë ku dëgjoj që ka panaire, ku dëgjoj që ka ditë tregu unë dal me produktet e mia; sepse edhe një i moshuar këtu në zonën tonë dikur thoshte: ‘Po se shite produktin tënd nuk ja di vlerën dhe kjo është shumë e vërtetë”, përfundon ajo.

15 Tetor Dita Ndërkombëtare e Gruas Rurale

“Sot, vetëm 8% e fermave në Shqipëri drejtohen nga gratë. Gratë në zonat rurale përballen me diskriminime të ndryshme që kanë të bëjnë me pabarazi në vendimmarrje, stereotipe gjinore si dhe me ndarje të pabarabartë të kontributit dhe të punës së papaguar”, tha Estela Bulku, Drejtuese e Programeve të UN Women në Shqipëri.

Më  datë 15 tetor shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas Rurale dhe për të katërtin vit radhazi gra dhe vajza nga Kolonja, Korça, Elbasani dhe Puka u mblodhën për të diskutuar sfidat e tyre në  takimin “Pro-grave Rurale”  .

“Po të shohësh duart e grave rurale është për t’i vënë duart kokës dhe ndaj i bëj thirrje pushtetit vendor të ndërhyjë dhe të mbështesë grupet e grave rurale, të cilat fatmirësisht janë ekzistente, në formalizmin e aktivitetit”, tha Maria Frroku, përfaqësuese e grupit të grave Gjegjan, Pukë.

Evelina Azizaj, Koordinatore Kombëtare e Rrjetit Shqiptar për Zhvillim Rural theksoi se “Pro Grave Rurale“ shërben si një mundësi për të bërë të ndërgjegjshëm institucione dhe aktorë të angazhuar, mbi rëndësinë e rritur për instrumente dhe veprime konkrete për të përmirësuar mirëqenien e vajzave dhe grave në zonat rurale.

Zëvendës Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ermira Gjeci, premtoi se problematika e formalizmit të aktivitetit të grave në zonat rurale do të gjejë zgjidhje nëpërmjet iniciativës së re për barazi gjinore rurale.

“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Agjencitë e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Agrikulturë dhe Gratë, janë angazhuar me anë të projektit GREAT të arrijnë zhvillimin e kapaciteteve të grave nëpërmjet formalizmit të aktiviteteve të tyre, forcimin e rolit dhe kontributit të tyre në zhvillimin rural”, përfundoi  ajo.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *