Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Pritja e gjatë për rindërtimin”, banorët e Durrësit mbeten pa shtëpi dhe bonus qiraje

“Pjesa provizore u bë tre vjet dhe kemi ngel rrugëve”,- thotë për Citizens Channel Rexhep Kuqi, banor i kompleksit të pallateve tek zona e ish-Cirkut në Durrës.

Tre pallate në lagjen nr 12, në rrugën “Abaz Celikupa” janë ende në pritje të përfundimit të procesit të përforcimit pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019.

Bashkia Durrës i konfirmoi Citizens Channel se ende është përfunduar procedura e prokurimit publik për përzgjedhjen e subjektit i cili do të realizojë punimet e zbatimit të përforcimit.

Tomorr Spahiu

“U pretendua që ishin bërë studime të thelluara, u bë një projekt, u tenderua dhe në momentin që kompania që mori përsipër rikonstruksionin, ristrukturimin e godinës konstatoi që kishte probleme të tjera, nuk ishte bërë studim i thelluar”,- analizon inxhinieri ndërtimit Tomorrr Spahiu.

Bashkia Durrës i është përgjigjur ankesave të vazhdueshme të banorëve në gusht 2022, duke sqaruar se për përfundimin e përforcimit të objektit dhe për kthimin në gjendje të banueshme është i nevojshëm miratimi i një fondi shtesë.

“Ndërkohë ne jemi jashtë, bonus qiraje nuk ka, grant jo e jo…Tre muaj, unë kam që nga Maji që skam marr bonus”,- thotë një tjetër banore, Jurgena Hila.

Bashkia Durrës i tha Citizens Channel se është në pritje të fondit nga Ministria e Financave për bonusin e qirasë.

Zaptim i hapësirës publike

Banorët po përballen me probleme të reja gjatë pritjes për të hyrë në shtëpitë e tyre. Ata kanë raportuar pranë institucioneve ndërhyrje në fasadë nga ndërtuesit e pallatit, të cilët i kanë dhënë me qira një supermarketi katin e parë të pallatit.

“Po më kryesorja nga të gjitha është ky gjeneratori që na ka vënë mbrëmë në 10 të natës, unë e kam shtëpinë aty pesë metra distancë”,- thotë Harrila Dedi.

Bashkia Durrës konfirmon për Citizens Channel se trualli ku është në pronësi të ndërtuesve, dhe gjeneratori nuk është vënë ende në funksion, gjë që pamundëson matjen e ndotjes mjedisore. Ndërkohë që Instituti Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka konfirmuar ndërhyrjet e paligjshme.

Policia Bashkiake e Durrësit ka paralajmëruar ndërtuesit për paligjshmërinë e ndërhyrjeve.

“Ne si institucion japim një afat prej pesë ditësh për rikthimin në gjendjen e mëparshme të hapësirë publike. Në të kundërt do merren të gjitha masat e duhura administrative dhe ligjore nga policia bashkiake dhe policia e shtetit”, thuhet në një procesverbal të Policisë Bashkiake Durrës, që mban datën 8 tetor 2022. Megjithatë ende sot asnjë ndërhyrje nuk është bërë në terren.

“Gjithë ky servituti këtu ka qenë pronë e gjithë komunitetit, na është hequr shkalla, tek të treja hyrjet”,- vijon inxhinieri Tomorr Spahiu.

Ndërkohë sipër kateve të para janë shtuar disa shtesa të cilat bëjnë shumë të pasigurta shtëpitë e banorëve të katit të dytë.

“Ma ka nxjerrë shtëpinë jashtë përdorimit se ka vu shtresa aty dhe mund të hyjnë njerëzit shumë kollaj në të dy ballkonet e mia”,- përfundon Rexhep Kuqi.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *