Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Banorët e fshatit Spathar në Librazhd organizohen në protestë për asfaltimin e rrugës

Banorë të fshatit Spathar në bashkinë e Librazhdit kërkuan sot përmes një proteste në sheshin kryesor të qytetit, asfaltimin e rrugës kryesore të fshatit.

Kjo është hera e dytë që ata mblidhen para bashkisë Librazhd, duke e konsideruar asfaltimin e rrugës një premtim të pambajtur prej më shumë se 12 vitesh tanimë.

Adriatik Kurti

Ka 12 vite së paku që na përsëritet asfaltim i rrugës së Spatharit dhe asgjë s’ka ardhur. Sot spatharakët artikulojnë një të drejtë të përbotshme në gjithë këtë kohë mesjete që ne po jetojmë, afër rrugës nacionale, por pa rrugë, afër ujit edhe u përmbytur me ujë por pa ujë. Sot spatharakët bashkohen dhe kërkojnë të drejtë. Kjo është e drejta më minimale e mundshme”,-u shpreh Adriatik Kurti, i riu nga Spathari.

Spathari është një fshat prej afër 150 shtëpish, që ndodhet vetëm 15 minuta larg qendrës së qytetit të Librazhdit. Fshati lidhet me qytetin përmes segmentit të rrugës kombëtare Librazhd-Përrenjas.

Sipas banorëve rruga që përshkon fshatin është vetëm 3 kilometra, ndërsa gjendja e saj vështirëson lëvizjen e tyre.

Fatmir Faqolli, banor i Spatharit

“Gjendja e rrugës është skandal fare. Edhe traktori me zinxhirë që në kohët e Enverit nuk shkon, jo makina. Asgjë fare nuk është bërë për Spatharin. Kërkojmë të drejtat tona asgjë tjetër, nuk po themi as punë asgjë, po të paktën të na shtrojnë një rrugë, turp e faqe zezë”,-tha Fatmir Faqolli, banor i fshatit.

Përmes megafonit, banorët artikuluan edhe shqetësime të tjera që hasin me jetesën në fshat.

Banor i Spatharit

“Kemi kërkuar të drejtën tonë për një copë rrugë. 100 herë na janë dhënë premtimet, asnjëherë nuk është realizuar. Nuk jemi nga ata që do bëjmë protestë, do bëjmë grevë për kushedi, do bëjmë për një të drejtë. E dyta, për ujin e pijshëm, edhe për këtë s’po merret asnjë masë. E treta vëllezër dëgjoni, puna e shëndetësisë. I vetmi fshat që do të shkojë për një vizitë duhet të shkojë të marri letër në Rrapun. A kam këmbë unë të iki një orë-dy orë larg. Do shkosh atje, atje se gjen, do marrësh rekomandimin për sot, pale do dalë nesër”,-u shpreh një nga banorët e pranishëm në protestë.

Banore e Spatharit

“Na keni dhënë shumë premtime. Vini të merrni ujin e Spatharit, vini të merrni drurët e Spatharit, ju lutemi na bëni rrugën asgjë më shumë se krahët i kemi tonat”,-tha para banorëve një nga zonjat e pranishme në protestë.

Banorët kërkuan distancim nga ngjyrimet politike, ndërsa bënë thirrje për kthim të vëmendjes drejt këtij fshati jo vetëm për fushatë elektorale.

Banor i Spatharit

“Ne këtu nuk jemi duke bërë fushatë politike që ju të rrini nëpër karriget tuaja. Neve nuk na intereson asnjë lloj partie. Ne duam të drejtat tona, duam rrugën. Ju e latë Spatharin si në mesjetë dhe ky është një turp i madh”,-përfundoi një nga djemtë.

Drejtuesi i bashkisë Librazhd, Kastriot Gurra u shpreh për Citizens Channel se bashkia e ka dërguar projektin pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit për financim.

Mirëpo, për shkak të ndërhyrjes për zgjerim të rrugës kombëtare që pritet të ndodhë në vijim, projekti ka mbetur pezull.

“Ne e kemi bërë projektin e rrugës së Spatharit edhe e kemi dërguar pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit për financim. Projekti tashmë është blerë nga bashkia. Ndërkohë që i vetmi problem që mbetet tani është se nuk është caktuar gjurma e rrugës, zgjerimi i rrugës nacionale. Në momentin që do të përcaktohet edhe gjurma se ku do të kalojë tamam do të bëhet financimi i rrugës”,- u shpreh Gurra.

Kastriot Gurra, kreu i bashkisë Librazhd

Sipas kryebashkiakut rruga e Spatharit ka mbetur e vetmja rrugë që nuk lidh unazën e qytetit.

Në fakt ajo ka mbetur e vetmja rrugë që nuk lidh unazën e qytetit sepse pjesa tjetër ka mbaruar. Babja ishte e fundit, këtej nga krahu i Dorëzit është bërë, Kuturmani është bërë, Drogostunjën e bëmë ne. Rruga ekzistuese është një rrugë shumë e mirë, është rrugë çakulli, por është një rrugë që ne kemi ndërhyrë edhe vjet në 2021. Rruga është shumë e mirë, por është rrugë çakulli nuk është asfalt patjetër”,-përfundoi kryebashkiaku Gurra.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *