Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Mungesa e transportit “pengon” shkollimin e të rinjve në zonat rurale

Autore: Esmeralda Keta | Citizens Channel

Varfëria është ulur këmbëkryq në shtëpinë e Kadire Pepës nga fshati Shushicë në Elbasan. Të dy bashkëshortët vuajnë nga një barrë sëmundjesh dhe e vetmja e ardhur është KEMP-i prej 17 mijë lekësh që merr bashkëshorti. Në këtë situatë, familja Pepa është detyruar që vajzën 18 vjeçare ta dërgojë në jetimore. Vetëm në këtë mënyrë ajo mund të vazhdojë shkollën e mesme.

“E kam çuar në jetimore në Elbasan, që të mos e lë pa shkollë. Nuk kemi para për të paguar furgonin, do 1600 lekë (të vjetra) në ditë për ta marrë dhe për ta çuar në Elbasan, pa llogaritur ushqimin që i duhet gjatë ditës, pasi do të rrijë gjithë ditën në shkollë”, – tregon Kadirja, jo pa dëshpërim.

Kadire Pepa në banesën e saj në fshatin Shushicë | Foto: Esmeralda Keta | Citizens Channel

“Është shumë e zorshme për ne, por më mirë atje se sa pa shkollë”, rrëfen më tej 58-vjeçarja.

Vajza ndjek vitin e fundit të shkollës së mesme. Ndryshe nga ajo, Fatjoni, i vëllai më i vogël që sot është në klasë të nëntë, nuk do të ketë të njëjtën mundësi shkollimi.

Fshati Shushicë, vetëm 10 km larg qytetit të Elbasanit, nuk ka shkollë të mesme. Si pasojë ata duhet të udhëtojnë në fshatrat fqinjë ose të shkojnë në Elbasan. Por largësia e shkollës është kthyer në një pengesë për fëmijët e zonës. Në mjaft raste ata mbeten peng i transportit nëse do ta ndjekin shkollën e mesme apo jo.

Ndryshe nga e motra, Fatjoni, i cili aktualisht është në klasë të nëntë, ka shumë gjasa që të mos e ndjekë shkollën e mesme.

“Të shohim, ne jemi shumë të lodhur. Të dy të sëmurë e nuk e di nëse do të mund ta dërgojmë edhe djalin”, – thotë Kadire Pepa.

Ajo shpjegon se aktualisht djali përfiton një pagesë simbolike për transportin drejt shkollës 9-vjeçare që ndjek, por një pjesë të mirë të ditëve ai shkon në këmbë që të mos harxhojë para.

“Jemi në vështirësi, kur është kohë e mirë shkon me këmbë. Zgjohet më herët, i bie të eci pak, por nuk bën naze”, – rrëfen ajo e dëshpëruar.

“Largësia si motiv për braktisjen e shkollës”

Të konsideruar si “të padukshëm” mijëra fëmijë dhe të rinj mbeten jashtë sistemit shkollor për shkak të pamundësisë, nën sytë e strukturave përgjegjëse. Mes arsyeve të shumta që Ministria e Arsimit rendit në raportet e saj për monitorimin e braktisjes, largësia e shkollës nga qendrat e banimit është një ndër faktorët që nuk ka mundur të gjejë zgjidhje.

Ky problem bëhet edhe më i mprehtë kur vjen fjala tek arsimi i mesëm që nuk është i detyrueshëm.

“Ka shumë arsye pse fëmijët largohen nga shkolla para se të përfundojnë klasën e nëntë: largësia e shkollës nga shtëpia, sidomos në arsimin e mesëm të ulët; presioni për të kontribuar në të ardhurat e familjes; martesa e hershme për të pasur një familje; presioni nga rrethi shoqëror i atyre që tashmë e kanë braktisur shkollën, etj”- thuhet në manualin të përgatitur nga Ministria e Arsimit dhe UNICEF për parandalimin e braktisjes shkollore, publikuar në mars 2018.

Alba nga fshati Laç në Bruç të Burrelit, e ka shkollën e mesme rreth një orë me këmbë. Për shkak të rrugës së amortizuar, furgonat në këtë zonë nuk preferojnë të bëjnë transport fëmijësh. Në këtë situatë, prindërit zgjodhën ta sjellin vajzën në Tiranë, e cila qëndron tek halla e saj.

“Nuk kemi çfarë bëjmë, ka vite që presim të na zgjidhet kjo puna e transportit, por sërish kemi shumë problem”, – na thotë i ati i vajzës.

Në fakt, kjo nuk është hera e parë që banorë të kësaj zone, i heqin fëmijët nga shtëpia, vetëm për shkak të mungesës së transportit.

Y.B. tregon se edhe vajza e tij e bëri klasën e parë në Tiranë, në pritje të zgjidhjes së problemit të transportit. “Por rruga nuk u zgjidh dhe ne nuk mund ta linim vajzën më jashtë shtëpisë. E kemi shumë të zorshme, se a duhet që dikush ti shoqërojë çdo ditë në shkollë, por nuk mund ta lëmë gjithë jetën nëpër njerëz. Rruga nuk ka ndërmend të rregullohet”, – rrëfen ai.

“Pagesa prej 50 lekësh nuk i mbulon shpenzimet e nxënësve”

Për çdo nxënës të arsimit të detyruar që e ka shkollën në largësi nga 2 deri në 50 km shteti rimburson biletën e transportit.

Bazuar në vendimin nr. 682/2015 “Për përdorimin e fondeve publike për transportimin e punonjësve arsimorë që punojnë dhe të nxënësve që mësojnë jashtë vendbanimit”, ndryshuar në shkurt 2022, një nxënës përfiton një pagese prej 100 lekësh të reja në ditë për transportin, pra 50 lekë vajtje dhe 50 lekë ardhje nga shkolla. Por në shumicën e rasteve kjo pagesë është shumë më e vogël se sa pagesat reale që ata bëjnë, për shkak të terreneve të thyera ku ndodhen shkollat.

“Në shumë fshatra furgonat nuk preferojnë të marrin përsipër transportin e nxënësve, pra nuk marrin fare pjesë në tenderat e bashkive për transportin e tyre. Si pasojë prindërit e fëmijëve janë të detyruar që të shtojnë një vlerë të konsiderueshme nga xhepi”, – thotë Isa Halilaj nga Sindikata e Arsimit.

Për vitin 2022, ministria e Arsimit ka vënë në dispozicion një fond 950 milion lekësh që do të shërbejnë për të mbuluar kostot e udhëtimit për 35 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues.

Isa Halilaj, kreu i Sindikatës së Arsimit, që e ka ngritur disa herë shqetësimin e pagesës së transportit thotë se ka ardhur koha që qeveria të ndërmarrë politika të mirëfillta sociale, në mbështetje të kategorive në nevojë.

Isa Halilaj – Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë

“Kemi një rënie drastike të numrit të nxënësve dhe mirë do të ishte që qeveria ta shikojë seriozisht mbështetjen e nxënësve që ndjekin shkollën. Nuk mund të lejojmë që sot të vihet në diskutim vajtja e një fëmijë në shkollë për shkak të transportit” – thotë ai.

“Mendoj që duhet të marrë mbështetje financiare çdo familje që është në vështirësi ekonomike, që shkolla mos ti kthehet në një barrë”, – sugjeron ai.

Sipas Halilajt të dhënat flasin për mijëra familje në zgrip të varfërisë, që shkolla i rëndon edhe më tepër, dhe ky është një kontingjent që mund të bëhet fare lehtë braktisës.

Ai shkon edhe më tej, kur sugjeron edhe një buxhet me bazë gjinore.

“Madje unë mendoj se duhet të ketë një buxhet gjinor, pse të mos mbështesim të gjitha vajzat. Në këtë mënyrë mund të parandalojmë braktisjen e shkollës nga vajzat, një fenomen që ende vijon të ekzistojë në shkollat tona” – thotë Halilaj.

“Largësia nga shkolla izolon më shumë vajzat”

Të dhënat e raportuara nga INSTAT dhe të përpunura nga “Open Data” tregojnë se vajzat dhe gratë në Shqipëri kanë një nivel më të ulët arsimor se sa djemtë dhe burrat.

Kështu në vitin 2020 rezulton se 54% e grave mbi moshën 25 vjeç, janë vetëm me arsimin fillor ose 8-9 vjeçar. Ndërkohë që burrat e kësaj grupmoshe janë relativisht më të mirëarsimuar, pasi vetëm 44%  janë me arsim fillor ose 8-9 vjeçar. Edhe në arsimin e mesëm të dhënat flasin për një disbalancë mes edukimit të grave dhe të burrave. Vetëm 27% e grave mbi 25 vjeç kanë përfunduar shkollën e mesme, përkundrejt 40% të burrave.

Statistika përmbyset sa i takon studimeve të larta, ku rezulton se 19% e vajzave dhe grave kanë diplomë universitare, përkundrejt 17% të djemve dhe burrave. Por kjo diferencë e vogël, më së shumti lidhet edhe me fenomenin e emigrimit në moshë studentore që në dekadat e fundit ka prekur më shumë djemtë.

“Fëmijë të padukshëm – Të dhëna kontradiktore”

Vetë Ministria e Arsimit pranon se raporton vetëm atë kategori fëmijësh që e nisin shkollën dhe e lënë më pas atë, por në këto të dhëna nuk përfshijnë mijëra fëmijë, të cilët nuk shfaqen në asnjë regjistër shtetëror pasi nuk e nisin frekuentimin e shkollës.

Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë 16.697 nxënës nga arsimi i detyruar në vend kanë braktisur shkollën përgjatë periudhës 2010 – 2019.

Ministria e Arsimit raporton për ulje të braktisjes, por të dhënat e INSTAT, tregojnë se përgjatë vitit 2019 e ndoqën arsimin bazë të detyrueshëm vetëm 93,9% (nga 95.6 % që ishte në vitin 2018). Që do të thotë se në vitin 2019, nga 100 fëmijë që kanë moshën dhe detyrimin për të ndjekur arsimin 9-vjecar kanë shkuar në shkollë vetëm 94 prej tyre.

Në bashkinë e Korçës braktisja e shkollës ka ngjyra thellësisht gjinore.

Në 4 vite, nga 2017-2021 në këtë bashki braktisën arsimin e detyruar 472 vajza dhe 318 djem.

Por të dhënat e raportuar nga UNESCO, një institucion që mbledh statistika për arsimin në mbarë botën, janë disa herë më të larta se ato që paraqet Ministria e Arsimit.

Më konkretisht, sipas UNESCO, në vitin 2019 në Shqipëri ishin 3359 fëmijë jashtë sistemit arsimor, ndërkohë që kjo shifër thuajse u dyfishua përgjatë vitit 2020 duke regjistruar 6221 fëmijë jashtë sistemit arsimor.

“Observatori për të Drejtat e Fëmijëve”, një nga organizatat që punon prej vitesh për të minimizuar fenomenin e braktisjes shkollore, ka studiuar si funksionon sistemi i mbështetjes për fëmijët në rrezik braktisje në bashkitë Kamëz, Berat, Durrës, Bulqizë, Peshkopi dhe Korçë .

Raporti, i cili ka monitoruar situatën e 140 fëmijëve në këto bashki, ka gjetur se 11% e tyre shkojnë në shkollë me transport, ku për pjesën më të madhe transportin e paguan familja dhe më pak komuna ose bashkia.

Arsyet kryesore të braktisjes së shkollës sipas këtij raporti lidhen kryesisht me varfërinë, por mes tyre fëmijët kanë renditur si pengesë edhe largësinë e shtëpisë nga shkolla.

Për të minimizuar fenomenin e braktisjes së shkollës në vitin 2019, u miratua një Vendim i Këshillit të Minitrave, i cili përfshiu në skemën e mbështetjes të gjithë ato familje që i rikthejnë në shkollë fëmijët braktisës. Nëse ndodh kjo atëherë ata mbështeten me një kuotë prej 10 mijë lekësh të reja në muaj, por duket as kjo nismë nuk ka dhënë efekt.

Të zhgënjyer dhe të dekurajuar edhe vetë fëmijëve iu është zbehur dëshira për të ndjekur shkollimin.

“Nuk është se kam ndonjë shpresë te shkolla. Të shoh mos iki jashtë si shokët e mi, ndoshta andej mund të punoj e të siguroj ndonjë lek për familjen. Jemi në vështirësi, prindërit janë të sëmurë. Tek unë i kanë shpresat”, – na thotë pas derës Fatjoni, djali 15-vjecar i familjes Pepa.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *