Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Dimri i gjatë i studentëve”, burokracitë vonojnë bursat për ekselentët dhe studentët në nevojë

Rreth 30 mijë studentë të universiteteve shqiptare nuk kanë marrë bursat prej 4 muajsh. Bursat janë një mbështetje për studentët në Shqipëri, që jepet nga shteti, si pjesëe “Paktit për Universitetin” që u nënshkrua pas protestave studentore në 2018. Të dy bursat, ajo e ekselencës dhe ajo sociale kanë një vlerë prej 10 000 lekë në muaj.

Të mërkurën, Qëndresa Qytetare prezantoi një monitorim në lidhje me vonesën e bursave ku ishin të pranishëm studentë nga universitete të ndryshme të Shqipërisë.

Arta Haxhiu, studente

“Unë jam akorduar tashmë me një bursë prej 10 mijë lekësh të reja, si bursë sociale. Duke qenë se është dhe mund të themi që është vonuar shumë në kohë … ka ndikuar negativisht tek ne si studentë”, u shpreh për Citizens Channel studentja Arta Haxhiu. 

Sipas një pyetësori rezulton se 98% e studentëve në Shqipëri që trajtohen me bursa të bazuara në meritë dhe nevojë nuk kanë marrë asnjë fond nga universitetet e tyre prej muajit tetor 2022 deri në janar 2023.

“Kjo vonesë në pagesën e bursave nuk është një çështje e re pasi gjatë tre viteve të fundit këto fonde janë depozituar me vonesë”, thuhet në monitorim.

Mungesa e bursës ka rënduar xhepat e studentëve. Ozeta Salla, studente e vitit të dytë Bachelor në Fakultetin e Drejtësisë trajtohet me bursë sociale. Ajo nuk e ka marrë bursën që prej tetorit dhe shprehet se e ka ndikuar shumë në jetesën e saj.

Ozeta Salla, studente

“Unë kam një motër dhe dy vëllezër të tjerë, domethënë katër veta në familje të cilët jemi të gjithë me studime dhe kjo rëndon akoma edhe më tepër gjendjen ekonomike në familjen time”, u shpreh Ozeta për Citizens Channel.

Gevio Tabaku, autori i monitorimit të Qëndresës Qytetare, u shpreh se institucionet arsimore janë shkaktare për vonesat e bursave.

Gevio Tabaku, aktivist Qëndresa Qytetare

Fajtori është një trinom midis Qendrës së Shërbimeve Arsimore, vetë Universiteteve Publike dhe Ministrisë së Arsimit, e cila dërgon fondet me vonesë duke bërë kështu një shkelje totale”, u shpreh Tabaku për Citizens Channel.

Monitorimi tregon se një problematikë është mospërcaktimi i afateve kohore për Qëndrën e Shërbimeve Arsimore (QSHA).

Hartuesit e ligjit janë mjaftuar vetëm duke përfshirë këtë fjali në pikën 1 të VKM-së: “Lista e studentëve që plotësojnë kriterin e notës mesatare hartohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe dërgohet në institucionet publike të arsimit të lartë dhe në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë”.

Një tjetër hallkë problematike që vonon procesin e marrjes së bursave është plotësimi i formularit nga ana e studentëve bazuar në VKM-në Nr 903, datë 21.12.2016. 

“Ajo çfarë ndodh në realitet, është se studentët e plotësojnë formularin e bursës shumë më vonë se momenti i regjistrimit dhe fondet e bursave u vonohen me gati 4-5 muaj dhe u depozitohen në llogaritë e tyre në mënyrë të çrregullt”, thuhet në raportin e Qëndresës Qytetare.

Teksa formularët plotësohen me vonesë, QSHA vonon disbursimin e fondeve për studentët e sapo regjistruar në universitetet publike. 

Për bursat me bazë merite ose nevoje, gjatë viteve të studimit pas të parit, janë vetë universitetet të cilat vonojnë procesin duke mos u kaluar studentëve fondet në mënyrë periodike”, thuhet në raport.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *