Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Forumi “Rizgjim Kombëtar” si një përgjigje e ekspertëve ndaj korrupsionit dhe sulmeve kibernetike

Dhjetëra programues, inxhinierë dhe ekspertë të teknologjisë u mblodhën mbrëmjen e së enjtes në një konferencë të pavarur.

Nën thirrjen “Rizgjim Kombëtar”, ata adresuan nevojën për të reaguar ndaj ekspozimit të të dhënave personale, korrupsionit në grantet e start up-eve në teknologji dhe ligjet përkatëse për këtë fushë.

Sheme Hamitaj, programues

“Ne jemi sot këtu si një grup profesionistësh me qëllime të përbashkëta, si fillim për të diskutuar e më pas për ti dhënë zgjidhje problemeve e vështirësive që hasim në fushën e teknologjisë në Shqipëri. Duke filluar nga publikimet e të dhënave, duke vazhduar me përdorimin e tyre nga patronazhistët dhe “aktivist’”,-shprehet programuesi Sheme Hamitaj në nisje të diskutimeve.

Krijuesit e forumit online “Rizgjim Kombëtar” shprehen se qëllimi i kësaj platforme është të sjellë shpresë për të rinjtë në teknologji dhe fusha të tjera në shoqëri.

Gentian Progni, ekspert i IT-së

Mendoj që është një emër që ngjall pak shpresë për të rinjtë që të mos largohen nga Shqipëria. Të bëjmë një kundër peshë të korrupsionit dhe monopolit që është krijuar në ekosistemin e start up-eve dhe të mundohemi që të kërkojmë të paktën llogari. Ndoshta nuk mund të bëhemi ata që do të dënojnë korrupsionin, por të paktën do të kërkojmë llogari për korrupsionin”,-shprehet Gentian Progni për Citizens Channel.

Sulmet e fundit kibernetike qoftë në sistemet online të shtetit shqiptar, por edhe kundrejt kompanive private, sipas ekspertëve të pranishëm kanë nevojë për veprim dhe koordinim midis sektorit.

Erion Demiri, inxhinier rrjeti dhe sigurie

“Me sulmet që kanë ndodhur u vu re që kishte një mungesë shumë të madhe koordinimi dhe kemi një mungesë shumë të madhe koordinimi edhe në kompanitë private, të cilat edhe nga ligji nuk detyrohen që të jenë të koordinuar me njëri-tjetrin. Dhe shikojmë që 6-7 muajt e fundit kemi pasur me dhjetëra kompani shqiptare që janë prekur, janë sulmuar, janë dëmtuar dhe në njëfarë mënyre të gjithë ne të tjerët nuk i kishim marrë vesh. Për ta shëruar këtë ekosistem është shumë e nevojshme një koordinim”,-analizon Erion Demiri, inxhinier rrjeti dhe sigurie. 

Pjesë e forumit u bënë edhe të rinj në karrierë dhe përfaqësues të suksesshme të Diasporës shqiptare, të cilët punojnë në sektorin e teknologjisë jashtë vendit. Ata sollën në vëmendje nevojën për të bashkërenduar forcat për një siguri më të lartë në sistemin online të shërbimeve dhe gjithëpërfshirje në këtë sistem të të gjithë kategorive dhe grupmoshave.

Sipas iniciatorit të këtij forumi, platforma do të zhvillohet dhe materializohet duke krijuar disa departamente në fushat e teknologjisë.

Do të jetë departamenti financiar dhe i investigimit. Do të jetë “cyber security” që do të ofrojë mbështetje falas për këdo biznes që ka probleme të sulmeve. Do të jetë departamenti i “white hacker”, i cili do të kërkojë ndryshimin e ligjit për testet dhe “penetration test” në Shqipëri që të ketë të drejtë çdo i ri i apasionuar që të bëjë teste në institucione dhe këtë gjë mos t’jua lëmë në dorë institucioneve të korruptuara, por të bëjmë teste ne dhe t’jua gjejmë pikat e dobëta dhe ti informojmë për pikat e dobëta që kanë. Do të kemi departamentin ligjor, i cili do të kërkojë ndryshimin e ligjit për start up-et”,- shtjellon Gentian Progni.

Progni shtoi se aktualisht Shqipëria ka një ligj për start up-et, por është i gabuar pasi në vend të përfshijë start up-et e teknologjisë dhe ideve inovative, mbështet çdo lloj biznesi në vend.

Vendi ynë është përfshirë së fundmi nga një sërë sulmesh kibernetike duke nxjerrë në pah të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë. Përmendim rastin e vitit 2021, kur para zgjedhjeve qendrore u publikuan të dhënat personale të 910,000 qytetarëve, e njohur ndryshe si “databaza e patronazhistëve”.

Fillimi i vitit 2023, bëri të njohur në publikun shqiptar edhe një tjetër platformë online, për përdorim të brendshëm të Partisë Socialiste e quajtur “Aktiv1st-i”. Ekspertët sollën në vëmendje shqetësimin për përdorim të dhënash të qytetarëve që rregjistrohen në këtë platformë, për aq kohë se duhet të shënoje të dhëna personale sikurse adresën e-mail, numrin e telefonit, njësinë bashkiake ku jeton, adresën dhe profesionin.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *