Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shkencëtarët kërkojnë mbrojtjen e lumenjve shqiptar përmes Konventës së Bernës

39 shkencëtare dhe përfaqësues të organizatave mjedisore nga 11 shtete kanë firmosur një deklaratë të përbashkët, ku kërkojnë përfshirjen e 88 lumenjve që rrjedhin në Shqipëri dhe në shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor në rrjetin Emerald të Konventës së Bernës.

Çfarë është Konventa e Bern-ës dhe “Rrjeti Emerald”

Konventa e Bernës është një instrument ligjor ndërkombëtar detyrues në fushën e ruajtjes së natyrës, që mbulon pjesën më të madhe të trashëgimisë natyrore të kontinentit evropian. Kjo konventë ka si qëllim të mbrojë florën dhe faunën dhe habitatin e tyre natyral. Shqipëria e ka ratifikuar Konventën e Bernës në vitin 1999.

Shtetet që kanë ratifikuar Konventën e Bernës propozojnë zona që i konsiderojnë me vlera unikale për t’i bërë pjesë të rrjetit Emerald.

Shkencëtarët sugjerojnë që të përfshihet Vjosa dhe degëzimet e saj, lumi Drini i Zi, Shkumbini dhe degëzimet e tij, lumi Seman, Erzen, Mat, lumi i Pavllës, Butrinti, liqeni i Shkodrës, alpet, Bunë-Velipojë, Shëngjin – Ishëm, Karavasta, lumi Cem dhe Morava në rrjetin Emerald.

Në vitin 2011, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia filluan krijimin e rrjetit Emerald, ku propozuan një liste sajtesh, të cilat nuk janë përditësuar prej atij viti.

Ballkani Perëndimor është një vendndodhje me rëndësi botërore sa i përket biodiversitetit”, shkruhet në deklaratën e përbashkët të 39 shkencëtarëve.

Malet, lumenjtë, sistemet liqenore dhe vija bregdetare janë shtëpi për shumë specie të rrezikuara”, vijon me tej deklarata, ku cilësohet se gjendja e këtyre ekosistemeve është ende e ruajtur në gjendje të mirë krahas shteteve të Evropës.

Ata nënvizojnë rëndësinë e ruajtjes së lumenjve pasi “sigurojnë ujë të pijshëm, ujë për vaditje, mbrojnë zona nga përmbytjet, janë rregullatorë të klimës si dhe ofrojnë mundësi për peshkim, sporte ujore dhe ekoturizëm”.

Lumi Drin i Zi i propozuar për të qenë pjesë e rrjetit Emerald planifikohet të kthehet në hidrocentral

Në propozimin e shkencëtarëve për ta bërë pjesë të rrjetit Emerald është edhe lumi i Drinit të Zi, i cili rrjedh nga Maqedonia e Veriut dhe kalon në zonën e Dibrës. Qeveria shqiptare tashmë ka nisur punë konkrete për ndërtimin e  hidrocentralit Skavica në kaskadën e lumit Drin, pavarësisht protestave të banorëve dhe ambientalistëve.

Ndonëse ende nuk është vendosur lartësia e digës dhe kuota mbi nivelin e detit, në media dhe deklarata publike lakohen tre alternativa: (1) 388 metra mbi nivelin e detit, (2) 443 metra mbi nivelin e detit dhe (3) 485 metra mbi nivelin e detit.

Sipas Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, hidrocentrali i Skavicës do të rrisë sigurinë e digave të hidrocentraleve ekzistuese, do të rrisë kapacitetin menaxhues të rezervës hidrike dhe do ta kthejë Shqipërinë në lider në prodhimin e energjisë në rajon.

Krahas deklaratave të qeverisë shqiptare qëndron dhe komuniteti i dibranëve. Citizens Channel ka raportuar mbi protestat e banorë të Dibrës të cilët kanë artikuluar kundërshtitë e tyre rreth këtij projekti hidrik që “do të fundosë Dibrën nën ujë”. Sa i përket dëmshpërblimeve dhe zhvendosjes, komuniteti ende nuk ka informacion të detajuar.

Organizatat ndërkombëtare mjedisore si Bankwatch, EuroNatur, Riverwatch and WWF Adria në raportin e vitit 2022 e cilësuan Skavicën si një rast me nivel rrezikshmërie të lartë mjedisore.

Historiku i lejeve për ndërtimin e hidrocentraleve

Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Energjisë, nga viti 2005 deri në vitin 2022 në Shqipëri janë nënshkruar në total 282 kontrata për ndërtimin e 621 HEC-eve, nga të cilat 25 kontrata për ndërtimin e 128 HEC-eve janë ndërprerë. Shqipëria siguron thuajse në masën 100% energji elektrike përmes burimeve ujore.

Sipas të njëjtit burim, aktualisht janë 257 kontrata aktive, për ndërtimin e 493 HEC-eve të mëdhenj dhe të vegjël, të nënshkruara në periudhën 2005-2022.

Enti Rregullator i Energjisë deklaroi se hidrocentralet e vogla gjatë 9 mujorit të 2021 mbuluan vetëm 19.5% të kërkesës kombëtare për energji elektrike. Në të njëjtën periudhë në vitin 2022 kjo shifër ishte 24.3%.

Rreth 80 HEC-e të vegjël janë në rrjedhat e lumenjve brenda zonave të mbrojtura ose në marrëdhënie ekologjike me to (Valbonë, Lurë, Shebenik-Jablanicë, Hotovë-Dangëlli e gjetkë) dhe në lumenj me vlera natyrore ndërkombëtare, siç është lumi Vjosë”, – është shprehur më herët për Citizens Channel Aleko Miho, ekspert mjedisi.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *