Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tej fasadës urbane

Autor: Artan Rama*

Lart, në veri të vendit, e spostuar drejt lindjes, ndodhet Bashkia e Hasit, e cila për nga popullsia dhe territori, qëndron poshtë mesatares së bashkive. Aty shtrihen toka të buta e pjellore dhe sikur të mos rrethoheshin prej majave me borë, shumëkush do të besonte se ndodhej në jug, fare pranë detit. Fama e kësaj bashkie është disi e zbehtë, krahasuar me dy të tjera, më të njohura të cilat, gjeografikisht, e kanë futur atë në mes: Kukësi dhe Tropoja.

Në qendër të Hasit është ngritur qyteti i vetëm, Kruma, që sidoqë i mbledhur në një grusht vend, të tjera lagje të reja i janë shtuar vitet e fundit, duke e zgjeruar qytetin në periferi. Natyrisht, kjo nuk përbën një tipar të pazakontë, pasi të gjitha qytetet, veçanërisht ato rurale, kanë pësuar të njëjtin zgjerim. Por zgjerimet janë bërë kaotike, pa ndonjë rregull a ndonjë disiplinë urbane. Të ardhurit janë vendosur aty ku e kanë gjykuar të leverdisshme e më të lehtë. Në këtë mënyrë, një pjesë e sipërfaqes bujqësore është urbanizuar, duke e shndërruar peizazhin rural në një shëmti urbane. Presioni dhe konsumi ndaj burimeve natyrore është shtuar, çka ka sjellë degradimin dhe ndotjen e tyre.

Por duket se askush nuk shqetësohet më për to.

“Shteti na ka braktisur prej vitesh”, – thotë Fatmir Dida. “Këtu njerëzit janë veç pa punë dhe vendin e mban emigracioni… Këtu tek unë i kemi kanalizimet, por atje tej mungojnë… Njerëzit detyrohen që t’i derdhin ujërat e zeza në përrua. Për të vaditur duhet që të shpojmë 30 m-50 m poshtë”, ankohet ai.

I veshur si për punë, me një kostum që ngjan më shumë me atë të një muratori, sesa të një fermeri, Fatmiri, së bashku me gruan, punojnë me bel në arë, pranë vilës së tyre dykatëshe, të sapo restauruar, në hyrje të qytetit. Në 1997-n, kur ishte ende i ri, emigroi në Londër, por u kthye sërish pas shtatë vitesh. Pasi ndërtoi një vilë në fushë me kursimet e mbledhura, familja zbriti nga shpati, por shpejt u pendua.

“Duhej ta kisha bërë më të vogël, së paku jo këtu”, – shprehet me keqardhje. “Problemi është shteti”, – përpiqet që t’i shmanget përgjegjësisë. Sipas tij, shteti është rregullatori e duhej që t’i thoshte: – Zotëri! Mos e ndërto këtu shtëpinë!

“Edhe me qen toka ime, nuk kam të drejtë të ndërtoj ku të dua. Ja, unë e quhej gabim që u bë e madhe e që u bë këtu, por atëherë nuk e kishim këtë komunikim; nuk e kishim këtë informacion që kemi tani”, – përfundon me një pamje trishtimi të sinqertë.

Sidoqë mjerimi është i dukshëm, zona ruan ende një mister tërheqës. Ndoshta edhe për shkak të ndërthurjes së qetësisë dhe hapësirës që ruhen ende në këto qyteza të vogla alpine ish-socialiste. Njerëzit duket sikur janë përshtatur me varfërinë, duke i jetuar ditët e tyre pa ndonjë pritshmëri befasuese, por edhe pa ankth. Qendra e Krumës përcjell një gjallëri të pazakontë. Banorët lëvizin të lirë dhe trafiku është i kufizuar. 9-vjeçarja dhe Gjimnazi janë vendosur në sheshin kryesor të qytetit dhe hapësirat e lira përreth tyre  janë të mbushura me grupe të shumta nxënësish. Edhe këtu, si kudo, shumica e të rinjve mezi presin për t’u larguar, sapo të përfundojnë shkollën. Sado i lumtur dhe krenar që të ndihet dikush, ai nuk mund t’i shpëtojë tundimit për t’u larguar drejt qendrave të mëdha urbane për t’u ndjerë me i pasur dhe fundja, edhe më i famshëm, ose së paku për të shpresuar një të ardhme më të merituar, sesa të jetuarit përgjithmonë në rrethinat e një province.

Muajt e fundit, autoritetet janë përpjekur për të ofruar shërbime të denja publike, por të pamësuar prej vitesh, banorët e kanë të vështirë për t’u përshtatur me “modernizimin”.  Një e treta refuzon të paguajë tarifën e pastrimit, e cila sidoqoftë mbetet e ulët.

“Kemi shpërndarë kosha për grumbullimin e mbetjeve, kudo nëpër qytet dhe nëpër rrethina, por njerëzit vijojnë t’i hedhin mbetjet nëpër rrjedhat e përrenjve. – Ja…, shihni! Koshat janë bosh, ndërkohë që vijat e ujit, apo brigjet rreth tyre janë të mbushura me mbetje”, – tregon Liman Morina, Kryetari i Bashkisë. “Ne jemi një bashki me të ardhura të pakta”, vijon ai, “nuk kemi shumë para. I jemi drejtuar Qarkut për ndihmë. Po përpiqemi për të krijuar një zonë të përbashkët me Bashkinë e Tropojës dhe atë të Kukësit për të administruar mbetjet. Shpresojmë që t’ia dalim”, – uron ai.

Bashkia nuk ka ende një plan për menaxhimin e mbetjeve. Shërbimi i grumbullimit lë jashtë 25% të territorit, i mjaftueshëm për të shkaktuar ndotjen te gjitha rrjedhave ujore të cilat lëshohen përgjatë shpateve drejt luginës së Drinit të Bardhë, duke përfunduar në Liqenin e Fierzës.

Jo larg, mes fshatit Vranisht dhe hyrjes së qytetit, bashkia depoziton mbetjet e përditshme, të cilat në pamundësi për t’u trajtuar ekologjikisht, digjen. Të hedhura fare pa kujdes, mbi një si shesh të fshehur mes hapësirave të krijuara nga shpatet e një kodre të lartë, ato gjenden në anë të rrugës kombëtare Kukës-Krumë. Një koloni shafranësh shumëngjyrësh, sapo ka marrë jetë mes mbetjeve. Nën sfondin e bardhë të majave me borë në perspektivë, ato i japin peizazhit një pamje zhgënjyese. Nuk dihet edhe për sa kohë do të vijojnë që të qëndrojnë mbeturinat këtu…

Mbetjet vijojnë të flaken jashtë koshave, ndonëse këto të fundit janë vendosur prej muajsh (Krumë, Has. Foto: Artan Rama).

Duke zbritur drejt jugut, ende pa u shfaqur Kukësi, peizazhi fillon e zbutet teksa i afrohet shtratit të Drinit. Rruga gjarpëron përmes pllajave të valëzuara e mbërrin deri ku shtrihet Fajza. Në fshat nuk ka mbetur asgjë nga shkëlqimi i dikurshëm, përveç se një tabele projekti të cilën e ka zënë ndryshku. Shtëpia e Kulturës, Rrobaqepësia dhe Posta (Ish-PPT-ja) janë shndërruar në gërmadha. Ndërsa mbetjet ndiqnin një tjetër gjeografi. Ndryshe nga fshatrat e tjera të Hasit, këtu ato kishin rrethuar gardhet e shtëpive…

“Nuk bjen kush kosha, ndaj i hedhin përpara shtëpisë”, rrëfen Muharrem Daçi, kryeplaku i Fajzës. Ose i djegin, kohë pas kohe.

Ai tregon shtruar për mungesën e shërbimeve dhe në mënyrë kaq të zakonshme, sikur gjithçka të jetë kaq e natyrshme… Deri në shtatë milionë Lek, së bashku me pompën, paguanin fshatarët për të siguruar ujë të pijshëm, përmes shpimit të puseve personale, duke zbritur nën 115 metra poshtë. Ujësjellësi publik u shërbente vetëm pak shtëpive në qendër, por jo periferisë dhe lagjeve matanë, por akoma më shumë, nuk mund t’u siguronte furnizimin për vaditje.

“Nuk kemi mbetur as 400 banorë, së bashku me lagjet”, – llogariti ai. “Tokat nuk i punon kush. Dikur kemi qenë të organizuar në një ndërmarrje bujqësore. Kishim rreth 500 ha tokë bujqësore…”.

Siç ndodh shpesh në të tilla raste me njerëzit, Muharremi tregonte me një ndjenjë respekti e krenarie të nënkuptuar. Krahasimi me të shkuarën shërbente për të protestuar ndaj një realiteti të papranueshëm, një rrethanë për ta refuzuar atë, qoftë edhe në mënyrë disi të pakontrolluar. Ai vijoi të rrëfente i qetë, pa sharje dhe me një ndjenjë gëzimi e lumturie në rritje…

Nën pushtetin e nëndheshëm të puseve

Jo më larg se 50 km nga kryeqytetit, mbi brigjet veriore të Grykëderdhjes së Lumit Mat, ndodhet Shënkolli, një prej njësive administrative më të mëdha të vendit për nga popullsia, e zgjeruar vrullshëm në dy-tri dekadat e fundit. Po Shënkolli thyen edhe një tjetër rekord, i cili ka të bëjë më mënyrën e furnizimit të banorëve të saj me ujë të pijshëm, ku numri i lidhjeve me rrjetin e ujësjellësit publik është 0!

Po atëherë, në ç ‘mënyrë furnizohen të 20,000 banorët e kësaj njësie? Ata furnizohen me puse. Çdo familje ka shpuar tokën, duke e siguruar ujin e pijshëm, por shpesh edhe për vaditje, nën 50 m thellësi, nëpërmjet tërheqjes lart me pompë.

Ajo çka në zonat urbane është e ndaluar rreptësisht, në të ashtuquajturat zona rurale tolerohet pa kufizim. Ndonëse shpimet për ujë të pijshëm përbëjnë një tipar të përgjithshëm të përhapur në të gjithë territorin administrativ të Republikës, fusha e Shënkollit paraqet një skenë, jashtëzakonisht të mbingarkuar pusesh.

“Unë kam shkuar 50 m thellë”, – tregon Luigj Turkaj, një pensionist që jeton me bashkëshorten në qendër të Njësisë. “E përdor me e pi, por disa e përdorin edhe për vaditje. Puna është se kushton energjia elektrike e cila vë në lëvizje pompën. Sa më shumë të pomposh, aq më shumë do të paguash”, – konstaton Luigji.

Si një prej të paktëve banorë të vjetër, ai kujton se në vitet ’90, uji vinte, pothuajse në sipërfaqe. Në jetën e përditshme, familjet përdornin tremën, e cila pomponte në mënyrë manuale, duke e ngritur ujin nga fare pak centimetra thellësi. Por gjërat ndryshuan. Fusha pjellore e Shënkollit u lakmua veçanërisht dhe për tri dekada të ardhurit, kryesisht nga bajraqet e Mirditës (Fushë Arrëz- Pukë- Orosh), u vendosën aty me shumicë.

Sikurse urbanizimi, edhe shfrytëzimi i burimeve ujore u bë i pakontrolluar, çka me kalimin e kohës, shkaktoi shterimin e akufereve, duke e zbritur rrjedhën në një nivel më poshtë e kështu në vazhdim….

Bashkia e Lezhës, së cilës kjo njësi i përket, nuk ka ende një inventar të burimeve ujore në zonë. Në misionin e tyre të drejtimit, bashkitë u dorëzohen programeve zhvillimore të nxitura nga qeverisja qëndrore, duke shpresuar financime nga jashtë, por shumë rrallë përpiqen që t’i sigurojnë ato nga brenda.

Ndonëse nëntoka e Shënkollit përkon me shtresat zhavorrore ujëmbajtëse anës brigjeve të Lumit Mat, shfrytëzimi i pakontrolluar rrezikon pasoja të paparashikueshme dhe afatgjata. Ajo çka krijoi një farë rendi, duke kufizuar shpimet e mëtejshme ndodhi vetvetiu. Ndoshta edhe për shkak të zënies totale të sipërfaqes bujqësore, rreth 3000 ha, nga ndërtimet.

Një problem i mundshëm mbetet higjena e puseve dhe mosrespektimi i rregullave të zonës sanitare rreth tyre.

“Ketu uji është gëlqeror, të paktën kështu thonë disa. Nuk e kam verifikuar”, – sqaron Luigji. “Deri tani nuk kam pasur ndonjë problem. Dikur shponim gjashtë metra poshtë, ndërsa tani kemi shkuar nën 50 m – 60 m. Sa më thellë aq më të sigurtë!”.

“Uji nuk ka mikrobe; e kam parë me sy dhe është xham”, – thotë Zef Ndou që ka zbritur njëzet vite më parë nga Gjegjani i Fushë – Arrëzit. Po më mirë të lidhesha me rrjetin e shërbimit publik, sepse kështu shpenzoj, rreth 30 mijë Lek/muaj. Mund të kurseja diçka”, – përfundon ai.

Luigj Turkaj pranë pusit që ka hapur në oborrin e shtëpisë (Shënkoll, Lezhë. Foto: Artan Rama)

Në Shënkoll mungojnë edhe kanalizimet e ujërave të ndotura, si dhe trajtimi dhe përpunimi i tyre. Ujërat e zeza grumbullohen nëpër gropa septike të ndërtuara individualisht në oborrin e pasmë të çdo rezidenti, me shpenzimet e gjithsecilit dhe pastrohen privatisht prej tyre, kryesisht një herë në vit.

“Këtu ka aq shumë probleme sa që nuk di nga t’ia nisësh”, – pështjellohet Ernest Rakaj, Kryetari i Njësisë Administrative të Shënkollit. “Natyrisht që të gjitha shpimet janë të paligjshme.  Po përpiqemi që ta zgjidhim. Në bregdet po ndërtojmë një ujësjellës; të paktën për pesë fshatra”, – sqaron më tej Kryetari. “Askush nuk vjen që të investojë në turizëm”, – vijon ai, “nëse mungon uji i pijshëm dhe kanalizimet për grumbullimin dhe trajtimin e ujërave të zeza”.

Duket se hartimi i strategjive kombëtare në favor të turizmit, i ka zhvendosur fondet drejt zonave bregdetare turistike e jo aty ku presioni ndaj burimeve natyrore është i vërtetë.

“Shfrytëzimi i pakontrolluar në fushat e Shënkollit shkakton përzierjen e ujërave të kripura me rezervat ujore të brenda tokës”, – thotë eksperti Jak Gjini, që pjesën më të madhe të ekspertizës mjedisore ia ka dedikuar rajoneve lagunore. Ai vijon të theksojë se shfrytëzimi mbi kapacitetin e furnizimit natyror rrezikon të pakësojë furnizimin në të ardhmen, duke shtuar depresionin në sipërfaqe të caktuara. Ai pohon se në këtë mënyrë ujërat e kripura mësyjnë në brendësi të tokës, duke ndikuar seriozisht popullatat e shpendëve dhe të gjitarëve në territoret ligatinore të Rezervatit Natyror të Menaxhuar Kune – Vain – Tale.

Por në Qendrën e Njësisë, vëmendja e Kryetari Rakaj I kushtohet të ardhmes turistike të bregdetit.

“I di, i di që të gjitha”, – pohon i pakënaqur! “Deti po avancon… Por ka shumë shkaqe. Dje u konsultova edhe me disa peshkatarë. Ajo pjesa në të majtë të Tales… aty s’ka mbushje, sepse është shpallur Zonë e Mbrojtur. Por unë do të propozoj që qeveria ta shpallë Zonë Ndërtimore. Le të nxjerrë një vendim tjetër qeveria; kështu edhe do të mbushet… Po bëhet nami dhe askush nuk reagon”, – përfundoi i zemëruar.

Kishte një ndërgjegje të qete dhe i ishte krijuar bindja se gjithçka që thoshte ishte e drejtë.

Në rrethim

Të gjitha rrjedhat ujore të kodrave të buta të Gjenerukës treten në kanalet kulluese që shtrihen përgjatë fushave bujqësore, përpara se të derdhen në Lagunën e Karavastasë. Por deri këtu nuk ka ndonjë problem shqetësues. Problemi i vërtetë fillon me mungesën e kanalizimeve të ujërave të zeza të shtatë fshatrave që rrethojnë Lagunën në një distancë, mesatarisht, 1 km nga bregu i saj lindor. Këto shkarkime, si dhe mungesa e trajtimit të tyre, përbëjnë arsye të mjaftueshme për t’u shqetësuar. Nga ana tjetër, zhvillimi i bujqësisë intensive, duke mbjellë të njëjtën sipërfaqe disa herë brenda të njëjtit vit, nuk është më pak shqetësues. Prej aktivitetit njerëzor dhe shtimit të prodhimeve bujqësore, presioni në Lagunë po shtohet.

Është e vërtetë, se ndryshe nga fusha e Shënkollit në veri, këtu banesat qëndrojnë pranë e pranë dhe rrallë e tek mund të shohësh ndonjë shtëpi të vetmuar; këtu tokat bujqësore janë ende të lira dhe ndërtimet e reja ndjekin, sidoqoftë, një farë rregulli urban. Por, si në shumicën e zonave rurale në mbarë vendin, edhe këtu mbretëron pushteti i gropave septike; kanalet kulluese nuk mirëmbahen dhe mbetjet depozitohen nëpër terrene ilegale, ku standardet mjedisore nuk respektohen.

“Unë kam gropën time septike të cilën e pastroj një herë në vit, privatisht”, – tregon Ferit Alla nga Zharrneci. Të gjithë kemi të tilla gropa. Por çështja qëndron tek kanalet, të cilat kanë tridhjetë vjet pa u pastruar. Jam ankuar, por ata thonë që i kanë pastruar. Nuk e di…, ndoshta ashtu e shkruajnë në letra, por eskavatori nuk ka ardhur”, – ankohet Feriti.

Por Çimi Malko, një prej rejnxhërsave të Parkut, i cili e kalon kohën nëpër zhukat dhe sopat rreth Lagunës, tregon për një tjetër ndotje, sipas tij, edhe më të rrezikshme.

“Janë këto thasët që lëshojnë fermerët. Shpesh ato braktisen në mes të arës, ende të pazbrazura dhe shiu i përcjell në Lagunë. Ja, ndotja është e dukshme edhe mbi këto kanale”, – tregon ai.

Pak më tutje, mes Kamenicës dhe Gurit, në Njësinë Administrative Remas të Bashkisë Divjakë, jo më larg se 1.5 km nga Laguna, ndodhet venddepozitimi i braktisur i mbetjeve, shkarkimet e të cilit, prej vitesh, depërtojnë në Lagunë. Ka disa muaj që bashkia i ka ndaluar, por stoku qëndron ende i palëvizur, nën qiell të hapur dhe shiu që i shplan e përcjell ndotjen, nëpërmjet nëntokës, përsëri në Lagunë. Përveç vlerësimeve në letër, në terren Laguna nuk gëzon asnjë privilegj.

Ende nuk ka një studim serioz mbi cilësinë e ujit. E vetmja që po mbështet aktualisht monitorimin dhe forcimin  e kapaciteve administruese të Parkut është Agjencia Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA) që po kryen studime të ngjajshme, por jo një të tillë mbi cilësinë kimike të ujërave. Sidoqoftë, sipas të dhënave paraprake të këtij studimi, rezulton se stoku i peshqve në Lagunë ka pësuar rënie të thellë, krahasuar me ç’mendohej më parë.

Si për ironi, ndonëse zyrtarisht nën administrimin e Agjencisë  Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), peshkimi administrohet nga një person juridik privat në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Të njëjtat përfitime pa përgjegjësi, kërkon të marrë nga Laguna edhe autoriteti vendor, i cili nxit qiradhënien e tokave buqësore rreth brigjeve të saj për zhvillimin e bujqësisë intensive. Zhvillimi dhe politikat që po ndjek qeveria qëndrore po ushqejnë ideologjinë  e shpërfilljes ndaj së përbashkëtës dhe veçanërisht ndaj përpjekjeve për konservimin e natyrës së egër.

Kolektori i hapur i Ujërave të Zeza në Çermë-Sektor, kalon pranë oborreve të shtëpive (Nj.A. Tërbuf, Divjakë. Foto: Artan Rama).

Bashkia në Qendër nuk ka një fat më të mirë, por administrata vendore ka të tjera prioritete…Prej më shumë se një vit, një projekt infrastrukturor i financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FShZh) po ndërton impiantin e Ujërave të Zeza, por vetëm për një pjesë të Njësisë Administrative të Divjakës. Duket si një fillim, por larg të qënit “i mbarë”. Në Çermë-Sektor, pjesë e Njësisë Administrative Tërbuf, më e madhja në tërë bashkinë, janë ndërtuar rreth 9 km kanale për Ujërat e Zeza, por mungon përpunimi i tyre. Kolektori qëndron i hapur, duke kaluar anës gardheve të shtëpive të banimit. Autoriteti vendor nuk ka para për të bërë më shumë dhe është në pritje për të tjera fonde nga FShZh të cilat, sidoqoftë, nuk synojnë trajtimin e tyre.

“Ne presim që të shtrojmë me asfalt në rrugët e brendshme”, – thotë Fadil Balliu, Kryetari i Njësisë.

Nuk është e qartë, nëse është Fondi apo Bashkia që cakton se ku duhet të shkojnë paratë. Sidoqë kjo nuk ka shumë rëndësi, në një bashki ku kryetari dhe këshilli janë zgjedhur pa garë.

“Punët shkojnë si mos më keq”, – tregon fermeri nga Kamenica, Hamit Lena.

Ai po mbyll një ditë të zakonshme pune së bashku me familjen e tij të vogël në tokën pranë Lagunës. “…Ajo është kokë-lakër, por ngeli në ugar dhe bën vaki që të bëhet frezë… Nuk ka treg!”, – rrëfen ai i dëshpëruar. “Drita kemi. Edhe ujin e pruri shteti, por duhet që të paguash 15,000 Lek për kontratën. Nuk kemi para! Ndaj dhe unë kam shpuar një pus në oborr…

Në anë të një parcele të sapo zhveshur nga vjelja e preshit, dikush ndezi një zjarr. Një tym i lehtë u ngrit në ajër, duke ngjyrosur një copëz qielli. Tej në Lagunë një diell i ngrohtë po perëndonte.

*Artan Rama është gazetar dhe producent i pavarur që jeton në Tiranë. Ai e fitoi çmimin e dytë të BE-së për gazetari hulumtuese në vitin 2016. Së fundi është i angazhuar në raportimin e historive të krimit mjedisor, shfrytëzimit të burimeve natyrore dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *