Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ish-pronarët në protestë: “Bregdeti po shitet tek investitorët strategjikë”

Prej pesë ditësh një grup qytetarësh nga Dukati, Borshi dhe Kanina po protestojnë përpara Ministrisë së Drejtësisë për pronat të cilat nuk i gëzojnë prej dekadash.

“ Pronar gjyshi im në 1930, pronar babai im, neve pa prona”, tha për Citizens Channel Eduart Velaj, i cili pret kthimin e 13.7 hektarëve në Kaninë, midis “bypassit” dhe Lumit të Vlorës.

Ai shpjegon se zvarritja për vite në procese gjyqësore bëhet me tendencë që ish-pronarët të mos i çojnë çështjet në Gjykatën e Strasburgut.

“ Mosha ime është 75 vjeç, unë kur të vete 85, marr të drejtën e rekursit. Nuk do jem gjallë nuk diskutohet, siç ikën të parët e mi, babi, mamaja, motrat dhe nuk morën vesh gjë për pronat. Këta duan që të iki edhe unë që po ndjek këtë çështjen dhe pastaj prona ime bëhet dhuratë, i thonë dhoro, por unë i them e japin për nder, u bëjnë nder atyre që e dinë ata”, analizon Velaj.

Velaj shton se ka marrë propozime nga Agjencia e Pronave për të kompensuar pronën e tij në jug me toka në Berat apo Gjirokastër, por nuk i ka pranuar.

“ Atë pronë e shfrytëzon fshati, e shfrytëzon kryeplaku i fshatit dhe unë nuk guxoj të çoj nipçen time për ditë vere, aty, në atë kullotë aq të bukur”, shton Velaj.

Një tjetër ish-pronar që nuk gëzon asnjë pëllëmbë nga prona është Nuro Kulluri nga  Dukati.

“Si mund të bëhen këta pronarë në zonën strategjike të bregdetit ku i kemi ne, jo vetëm aty por që nga Velipoja në Sarandë, në Ksamil është e njëjta gjë”, tregon ai për Citizens Channel.

Kulluri tregon se dokumentacioni i tij i sjellë nga Vlora në Tiranë, “nuk e ka parë dritën e diellit“ as në kohës e Berishës, as në kohën e Ramës, pasi nuk u shqyrtuan kurrë si çështje dhe kanë qenë të kyçura ndër vite.

“ Nëqoftëse do të lindte nevoja e shtetit për interesa publike ato do të na i kompensonte me vlerën e tregut apo si do të krijohej, por jo me orekset e këtyre”, përfundon Kulluri.

Kastriot Hajdini me prona në Borsh të Sarandës konfirmon se pas 32 vjitesh në procese gjyqësore, Shkallë të Parë, Apel, Gjykatë të Lartë, çështja e tij u kthye prapë në Shkallë të Parë.

“ Pronarët do sorollaten vetëm në gjykata dhe pronat s’do i japin”, thekson Hajdini.

Ligji për investimet strategjike cenon interesat e pronarëve

Në vitin 2015 Parlamenti shqiptar miratoi ligjin për “Investimet Strategjike”. Periudha u premtua të ishte e përkohshme, por efektet u shtynë disa herë me votat e mazhorancës dhe pa debat.

Sipas këtij ligji çdo person mund të marrë statusin “investitor strategjik” në qoftëse investon më shumë se 5 milionë euro dhe punëson 80 persona. Vendimet jepen nga Komiteti i Investimeve Strategjike i cili udhëhequr nga kreu i qeverisë.

Rreth 1.6 milionë metër katror sipërfaqe në bregdetin e jugut u është dhënë investitorëve strategjik nga qeveria përmes ligjit për investime strategjike.

“Është një fakt i njohur që vetëm Shqipëria, Kosova dhe Kroacia kanë pasur një kuadër ligjor të ngjashëm sipas të cilit shteti mund t’i marrë tokën një pronari dhe këtë tokë në emër të interesave publike, shteti e kalon në pronësi të investitorëve strategjikë”, shpjegon eksperti ekonomisë Zef Preçi.

Ai vijon se ligji për tokën i korrikut 1991 është në fuqi në një kohë që me një vendim qeverie është pezulluar procesi i pajisjes me certifikatë pronësie të pronarëve të ligjshëm apo procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave në ato zona ku qeveria ka parashikuar një hartë të saj që do tu jepen disa investitorëve kryesisht klient të qeverisë.

“Një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar, riorganizimi gjykatave ka rrit kostot e shërbimit dhe mungesa e një numri të madh gjyqtarësh ka bërë që çështjet të zvarriten dhe të krijojnë shqetësim në rritje përsa i takon pronësisë mbi tokën”, analizon Preçi.

Në përfundim ai konsideron si problematikë të tretë shumën e vlerësimit për tokat që shpronësohen. Preçi thekson se vlerësimi bëhet me çmimin e një harte që qeveria e ka bërë të tillë, që mos të shpenzojnë shumë para nga buxheti , duke injoruar principin kushtetues të kompensimit të drejtë, të ndershëm, të bazuar në çmimet e tregut.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *