Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Lëvizja Bashkë dorëzon 21 mijë firma në Kuvend për “Minimumin Jetik”

21 mijë firma për Minimumin Jetik u dorëzuan sot në Kuvend nga aktivistët e Lëvizjes Bashkë.

Për tre muaj, aktivistët mblodhën nënshkrimet në disa qytete të Shqipërisë të cilat në dhjetor 2022 iu dorëzuan Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për verifikim.

Jani Marka, aktivist Lëvizja Bashkë

“Minimumi Jetik është një e drejtë kushtetuese por për fat të keq politikës së vjetër këto 30 vite nuk e ka përcaktuar atë me ligj. Minimumi jetik e thënë shkurt është vlera e lekëve që i duhen çdo individi apo familje për të plotësuar nevojat bazë jetike për të jetuar me dinjitet dhe mirëqenie, për ushqim, strehim, veshmbathje, transport,  arsim, kujdes shëndetësor”, u shpreh Jani Marka, aktivist i Lëvizjes Bashkë gjatë dorëzimit të projektligjit.

Deri më sot qeveria shqiptare nuk ka arritur të miratojë me ligj minimumin jetik për qytetarët. 

Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori u shpreh miratimi i ligjit për minimumin jetik do të ishte një hap i madh përpara për shtresat në nevojë, por gjithashtu do të ndikonte edhe tek rritja e pagës minimale.

Arlind Qori, kryetar Lëvizja Bashkë

“Dua tju kujtoj që sot që flasim pensioni minimal në Shqipëri është 8 mijë lekë të reja, pensioni mesatar është 15 mijë lekë të reja, ndihma mesatare ekonomike është 5 mijë lekë të reja për familje. Kjo është dramatike me kaq para ti nuk blen dot as bukë, lërë më të plotësosh nevojat e tjera. Ne këtu jemi mbartësit e vullnetit të mbi 21 mijë qytetarëve”, u shpreh Qori.

Ai sqaroi më tej se pas dorëzimit aktivistët do t’i japin kohën e duhur për të reflektuar Kuvendit por shtoi se ata “nuk do të presin pafundësisht”.

“Minimumi jetik në Shqipëri është një urgjencë, është urgjencë sociale dhe është urgjencë kombëtare”, u shpreh Qori.

Lëvizja Bashkë kërkon që vlera e minimumit jetik të jetë e ndryshueshme në varësi të inflacionit në vend.

Aktivistja Mirela Ruko sqaron se nuk është e këshillueshme që në projektligj të përcaktohet vlera monetare, si për sa i takon pagave apo dhe vlera të tjera monetare lidhur me minimumin jetik, sepse presupozohet që kjo vlerë është e ndryshueshme në bazë të shumë faktorëve.

Mirela Ruko, aktiviste Lëvizja Bashkë

“Institucionet në fakt të cilat do të jenë përgjegjëse për vendosjen në zbatim të minimumit jetik, ne kemi kemi ngarkuar Këshillin e Ministrave duke bashkëpunuar me institucionet shtetërore si INSTAT-i apo Avokati i Popullit, i cili ka bërë një studim për minimumin jetik. Kështu që duhet të bazohet dhe do ketë një bashkëpunim të ngusht me këto institute dhe puna e tyre është e pavarur nga një punë politike që është Këshilli i Ministrave”, tha Ruko për Citizens Channel.

Sipas raportit të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, 32% e popullsisë së Shqipërisë vuan nga pamjaftueshëmria ushqimore. Ndërsa sipas Eurostat, 74.7% e popullsisë së Shqipërisë që është në moshë pune rrezikon varfërinë.

21.6 për qind e popullsisë në 27 vendet e anëtarë të BE-së jetojnë në kufirin e varfërisë, ndërsa Shqipëria numëron dyfishin e mesatares së BE-së. 43.4%t e popullsisë shqiptare rrezikon varfërinë, tregojnë të dhënat e Eurostat për 2020. Sakaq raportet e rendisin Shqipërinë ndër vendet më të varfra në rajon.

Sipas një studimi të Avokatit të Popullit në 2020, minimum jetik duhet të jetë 18 000 lekë në muaj. Aktivsitët kanë sqaruar se kjo shifër duhet të indeksohet në varësi të inflacionit në vend.

Inflacioni në janar 2023 u rrit me 7.1% sipas metodës së Eurostat, ndërsa çmimet e ushqimeve me 12%. Në Shqipëri, për të ndryshuar apo propozuar një ligj duhen 20,000 firma qytetarësh 

Organizimet qytetare kanë tentuar të propozojnë disa herë projektligji, si ai për statusin e minatorit, referendumet dhe importin e plehrave.

Propozimet shqyrtohen nga komisionet parlamentare e nëse miratohen shkojnë për votim në Parlament. Deri më sot kushtetuta e vendit nuk ka një ndryshim ligjor të ardhur nga qytetarët.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *