Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Të shkruash hapësirën urbane”

Ish-Radio Tirana në rrugën e Kavajës u “shkruajt” përmes videos, duke pasqyruar historitë e komunitetit që banon pranë saj.

Një grup kërkuesish shkencorë të arkitekturës dhe urbanistikës, artistë dhe aktivistë të interesuar mbi publiken eksploruan disa zona të Tiranës dhe Kamzës, nën umbrellën e një shkolle të titulluar “Të shkruash për hapësirën urbane”.

Pjesëmarrësit e rrëfyen objektin e ish-Radio Tiranës në kohën e saj të shkëlqimit dhe atë të degradimit, ku ndodhet sot.

Aurora Birbilaj

“Për mua radio Tirana është takim me të kaluarën, por me të kaluarën në mënyrë të pa investuar, të pa mirëmbajtur, pa i dhënë vlerën që i takon të kaluarës. Zonat e tjera për shembull janë zona që janë në ndryshim e sipër, kështu që është një mënyrë e dokumentimit të qytetit siç është sot, historisë që mbart me vete për t’u ballafaquar me atë që do të bëhet qyteti në të ardhmen. Unë kam preferuar radio Tiranën se gjithmonë më ka fasinuar si ndërtesë. Mendoj se është një nga ndërtesat më të bukura në Tiranë”,- u shpreh Aurora Birbilaj, studiuese dhe pjesëmarrëse në projekt.

Për Viktorian, kërkuese shkencore nga Ukraina, këto godina të vjetra i kujtojnë Kharkivin, qytetin e saj të lindjes.

“Kam dëgjuar pak për Radio Tiranën përgjatë ditëve tona online të projektit dhe menjëherë u lidha sepse jam duke studiuar një rrënojë të ngjashme në vendin time të lindjes në Kharkiv. Nuk dija shumë për historinë para se të vija këtu dhe isha shumë e lumtur të dëgjoj gjëra ashtu siç i shikoja. Lloji i njohurive të mia teorike dhe eksperienca praktike e qytetit dhe gjithë kjo zonë, më pëlqeu shumë. Më kujton shumë gjëra, shumë projekte moderniste të vendeve të tjera ku ka qenë dhe ku kam punuar”,-shprehet Viktoria për Citizens Channel.

Eroll Bilibani nga DokuFest, i cili ishte në rolin e trajnerit për realizimin e videove rrëfyese u shpreh se ka gjetur të reja për këtë objekt të cilat nuk i dinte më herët.

Eroll Bilibani, DokuFest

“Mendoj që ky proces i hulumtimit, i diskutimit me njerëzit të cilët kanë jetuar në këtë lagje duke diskutuar rëndësinë e Radio Tirana për shoqërinë asokohe, por edhe për zhvillimin e sektorit audio-viziv, ndikimi i Radio Tiranës, po kuptojmë që ka qenë kryefjalë. Është një ndërtesë e cila është e braktisur fatkeqësisht dhe përreth saj është zhvilluar një qytet krejtësisht ndryshe, por sa të ecësh nëpër këtë lagje mund të shohësh disa gjurmë nga e kaluara të cilat ndoshta duhet të hulumtohen, të analizohen mirë dhe mund të ndihmojnë ndoshta edhe në zhvillimin e identitetit të qytetit për të ardhmen”,-argumenton Bilibani.

Përpos grupit të Radio Tiranës, në terren, grupe të tjera shkruajtën për zona dhe hapësira të tjera, shpesh edhe jo të planifikuara dhe jo formale. Lagjja e Kombinatit, lagjja “5 maji”, Paskuqani, Bathorja dhe Kodër Kamza ishin të tjera hapësira të rrëfyera përmes videos.

Nebi Bardhoshi, antropolog

“Për mua arkitektura më interesante për Kamzën është arkitektura afektive, shpirtërore. Pra, çfarë arsye, çfarë toponomie njerëzore shpirtërore mund të lexojmë kur lexojmë shtëpitë, shkallët që janë ngritur për tu bërë kati i dytë apo i tretë apo të gjitha këto fijet e hekurit që janë për një shtëpi të ardhme, lexoj shumë shpresë, ose një shpresë të dikurshme për një jetë më të mirë”,-shprehet antropologu Nebi Bardhoshi, pjesëmarrës në projekt.

Foto: Akademia e Studimeve Albanologjike

Sipas tij, Tirana dhe Kamza janë dy pole që kontrastojnë njëra tjetrën.

“Tirana është gjithmonë si kryeqyteti i vendit, ndërsa Kamza është kryeqyteti i paragjykimeve ndaj saj, i stereotipizimit politik shpeshherë, i keqpërdorimit politik. Por edhe i ndërtimeve që janë bërë pa leje nga banorët dhe është i njohur si vendi i zonave tipike informale dhe kështu që në krye të herës këto të dy zonat e kontrastojnë njëra tjetrën dhe për një studiues të urbanes janë të dyja me shumë interes duke pasur parasysh tashmë edhe zhvillimet e fundit që janë mbi këto qytete si në kuadrin e politikave qeveritare, bumit të ndërtimit, kritikave të mëdha që kanë urbanistët, aktivistët, studiuesit e shoqërisë mbi ndërtimin shpeshherë të pashpjeguar, të pakuptuar të qytetit, qoftë të Tiranës, qoftë të Kamzës apo të urbanes në përgjithësi”,-tha antropologu Bardhoshi.

Tetë videot e punuara nga grupet në terren do të mbeten si një dokumentim e do të kontribuojnë në arkivat e memories së qytetit.

“E planifikuara, e paplanifikuara dhe gjithçka midis” 

Shkolla tre ditore “Të shkruajturit për hapësirën urbane” e zhvilluar në Tiranë dhe Kamëz pati si temë kryesore “të planifikuarën, të paplanifikuarën dhe gjithçka midis”.

Sipas organizatorëve të kësaj shkollë ne Shqipëri, kjo temë erdhi edhe si nevojë për të shkruar për tensionin midis këtyre dy poleve.

Dorina Pllumbi, arkitekte, organizatore e shkollës

“Krijuam disa grupe dhe eksperimentuam me metodën e filmit, eksplorimit të qytetit nëpërmjet filmit duke pasur si temë kryesore këtë të planifikuarën dhe të paplanifikuarën në qytet si dhe tensionin midis qendrës dhe periferisë, pra Tiranës dhe Kamzës. Ishte një eksperiencë mjaft interesante të eksploruarit të qytetit nëpërmjet ecjes psiko-gjeografike, quhet si metodologji dhe kapjes së dinamikave të qytetit nëpërmjet një kamere që gjithsecili e ka tashmë në përditësi“,- u shpreh Dorina Pllumbi arkitekte dhe organizatore e shkollës në Shqipëri.

Sipas Dorinës, frymëzimi për temën erdhi nga vetë qyteti.

“Sepse pikërisht këtu në realitetin hapësinor të Tiranës dhe Kamzës, ne shohim pikërisht ndërthurjen ndonjëherë në konflikt, ndonjëherë të vendosura njëra pas tjetrës apo të mbivendosura atë çfarë është e planifikuar në qytet dhe ajo çfarë është e paplanifikuar në qytet apo që është e krijuar nga vetë njerëzit shpeshherë në mënyrë komunitare. Ishin këto dy qytete që frymëzuan krijimin, konceptimin e kësaj shkolle trajnimi”,-përfundon Dorina.

Për aktivistët, të cilët punojnë çdo ditë në hapësira urbane të paplanifikuara, të shkruarit për këto hapësira është shumë i rëndësishëm, për aq kohë sa qyteti i Kamzës është pak i studiuar.

Diana Malaj, Grupi ATA

“Ideja e përfshirjes në një iniciativë e cila tenton të shkruajë hapësirat urbane për ne është shumë e rëndësishme edhe si grupim aktivistësh, por edhe në nivel kërkimor, për shkak se angazhimi jonë politik, nganjëherë themi që është kryesisht angazhim gjuhësor. Duke qenë se jetojmë në periferi, duke qenë se për ne është shumë e rëndësishme gjuha. E kemi të domosdoshme për me arrit për me e shkruajtur, mbase edhe me e lexuar dhe pastaj me e shkujt qytetin dhe zhvillimet e tij”,-shprehet Diana Malaj nga Grupi ATA e njëkohësisht bashkë organizatore e shkollës.

Diana argumenton se përmes kësaj shkolle arritën të realizojnë një lexim kritik të zhvillimeve urbane në Tiranë dhe Kamëz.

“Në Tiranë kryesisht furisë së pa frenueshme të ndërtimeve të reja dhe projekteve xhentrifikuese që i kryeson kryebashkiaku i Tiranës dhe ndikimet, pasojat negative që ka shkaktuar dhe dëmet e mëdha që ka shkaktuar në komunitetet si në zonën e Kombinatit, në zonën e 5 majit apo në hapësira të tjera të cilat janë komunitete të vogla, por të qëndrueshme të cilat po rezistojnë. Ndërsa nga ana tjetër në Kamëz ne na ka ftuar edhe njëherë edhe si banorë por edhe si aktivistë për t’ju qasur sërish terrenit dhe për ne është kënaqësi e jashtëzakonshme kur prapë shkojmë në terren me sy të tjerë”,-përfundon Diana.

“Të shkruarit të hapësirave urbane” si një ndërveprim me banorët  

“Shkrimi i hapësirave urbane” nisi katër vite më parë nga një grup i vogël arkitektësh dhe ekspertë të disiplinave të tjera sikurse antropologjia, teoritë letrare e studimet mediatike.

Për udhëheqësen e këtij projekti, arkitekten dhe profesoren Klaske Havik, ky projekt tanimë është shtrirë në 35 vende të Evropës.

Profesore, udhëheqëse e “Writing Urban Places”

“Ne punuam në qytete të ndryshme evropiane, jo qytetet e mëdha metropolitan që gjithsecili i njeh, por gjithashtu disa qytete të vogla. Në shkuam në qytete si Shkupi, Osijek në Kroaci, Tampere në Finlandë, Talin në Estoni, Limerick në Irlandë dhe Tirana është një nga këto qytete që vizituam”,-shprehet Havik.

Sipas Tom Avermaete, Shef i katedrës së Historisë dhe Teorisë së Dizajnit Urban në ETH, Zyrih, arsyeja pse ata janë këtu në Tiranë është se duan të kuptojnë kompleksitetin e gjendjes urbane të Tiranës.

Profesor, ETH Zyrih

“Tirana është padyshim një qytet që po zhvillohet me shpejtësi si për nga ndërtesat, por edhe për sa u përket hapësirave publike. Si në mënyrë të planifikuar, por edhe në mënyrë të paplanifikuar siç quhet kjo punëtori dhe mendoj se ajo që studentët kanë bërë këto dy ditët e fundit është duke u përpjekur të kuptojnë një pjesë të këtij kompleksiteti nëpërmjet mediumit të filmit”.

Profesorja Klaske Havik tregon se përmes këtj projekti në Tiranë dhe Kamëz, janë përpjekur të flasin me banorët vendas.

“Nëse duam të kuptojmë se si funksionon qyteti ne duhet të dimë se si jetojnë banorët aty dhe se si kujdesen ata për vendin e tyre dhe ç‘kujtime kanë për vendin dhe nëse duam të jemi arkitektë dhe planifikues urbanë të mirë duhet ti marrim seriozisht këto histori. Prandaj ky projekt është quajtu “writing urban places” sepse duam të kuptojmë historitë që janë të lidhura me vendet, duam të ndërveprojmë me banorët dhe duke kuptuar historitë e tyre ne mund të bëjmë arkitekturë më të mirë”,-përfundon Klaske Havik.

Ndërsa arkitekti Tom Avermaete thekson se një nga sfidat e Tiranës është përmirësimi i jetesës së qytetarëve pa shkëputur lidhjen me banesat.

“Ato zona që njerëzit i kanë ndërtuar vetë, shpesh janë shumë afër zemrës dhe identitetit të banorëve. Ata shpesh kanë jetuar atje për një kohë shumë të gjatë dhe kjo është sigurisht një nga avantazhet e mëdha të të paplanifikuarës që njerëzit mbajnë një lidhje shumë të afërt me mjedisin e tyre të jetesës. Mendoj se një nga sfidat e mëdha me të cilat po përballen zhvilluesit bashkëkohorë të qytetit dhe planifikuesit urbanë është se si mund të përmirësojmë kushtet e jetesës së njerëzve, por megjithatë duke mbajtur disa nga ato lidhje, një pjesë të identitetit të tyre që njerëzit kanë në këto zona të paplanifikuara”,-përfundon Avermaete.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *