Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Tranzit”, minorenët shqiptarë në emigrim

Shtatë vite më parë, në moshën 16 vjeçare, Florin Nezaj nga Hasi emigroi jashtë vendit. Anglia ishte destinacioni që ai synonte, vend i cili kishte pritur me herët edhe të afërm dhe familjarë të tij.

Kushtet e vështira ekonomike dhe ndjenja e përgjegjësisë për të ndihmuar prindërit e nxitën atë të punojë ndërsa ishte ende në shkollë, e më pas të emigrojë. Ai e la shkollën në vitin e parë të gjimnazit, për të filluar punë në një furrë buke ku ia dilte të fitonte disa para.

Megjithatë, nuk ishte mjaftueshëm për ta mbajtur Florinin në qytetin e tij, duke bindur prindërit e tij ta lejonin të largohej me një autorizim. Këtu nis rrugëtimi i tij drejt emigrimit.

Florini tregon si arriti të mbërrijë deri në Francë, ku qëndroi në rrugë, pa para, deri sa arriti të strehohet në një jetimore. Mbrëmjet i kalonte aty, ndërsa ditën tentonte me të gjitha mënyrat të futej në një kamion apo anije që shkonte drejt Anglisë.

Dëgjo historinë e plotë të Florinit në Podcast:

Pritja e minorenëve në Angli dhe vendet e BE-së

Zana Vathi, studiuese e migrimit dhe njëkohësisht lektore pranë universitetit të “Edge Hill” në Angli argumenton se pritja e minorenëve në përgjithësi është më bujare nga ana e publikut dhe sistemit të migrimit në Angli dhe vende të BE-së.

‘Kjo është për faktin sepse ekziston Konventa e të Drejtave të Fëmijëve që vepron pastaj bashkëngjitur me Konventën e të Drejtave të Refugjatëve, që janë dy konventa shumë të rëndësishme”-shprehet për Citizens Channel, Zana Vathi.

Detyrimet nga vendet që kanë nënshkruar këto konventa sipas studiueses Vathi rezultojnë në mbrojtje të menjëhershme të të miturve.

Zana Vathi, lektore dhe studiuese e migrimit

“Kështu që vendet që kanë nënshkruar këto konventa, ashtu siç janë dhe pastaj dokumentat e tjera që rrjedhin nga këto konventa, kanë detyrimin që ti ofrojnë të miturve mbrojtje direkte në qoftë se arrijnë si të mitur dhe rezultojnë që nuk kanë një prindër dhe sidomos shprehin që kanë arsye të rëndësishme, siç janë rasti i shqiptarëve që mund të jenë të persekutuar në vendin nga vijnë për shkak të gjakmarrjes, për shkak se janë të trafikuar. Është “modern sclavery” tani në vitet e fundit domethënë skllaveria moderne”,-argumenton studiuesja Vathi.

Sipas gazetës së përditshme britanike “The Telegraph” në tremujorin e dytë të vitit 2022, nga 4,171 viktima të mundshme të skllavërisë të referuara në Ministrinë Britanike të Migracionit, 27 % ishin shqiptarë, më shumë nga çdo kombësi tjetër.

Përpos lidhjes së ngushtë që ekziston në Shqipëri të prindërve me fëmijët e tyre, dakordësimi i tyre për ti lënë fëmijët në moshë minorene të emigrojnë mbetet kontradiktë. Megjithatë, Vathi thekson se ka një vetëdije për shumë familje se e ardhmja e fëmijëve në Shqipëri ndoshta nuk i ka shanset që mund të ketë në një vend tjetër.

“Është edhe ajo vetëdija që për shumë familje ndoshta e ardhmja e fëmijëve në Shqipëri ndoshta nuk i ka ato shanset ose perspektivat që mund të ketë në një vend tjetër. Unë do të thoja që edhe informacioni i mungon prindërve në Shqipëri, sepse mendoj që po të kishte informacion të plotë për impaktin që mund të ketë mbi fëmijët kjo formë migracioni është shumë e vështirë për një prind, çdo prind por edhe për një shqiptar, sado në nevojë që të jetë që të marrë një vendim kundra shëndetit mendor dhe fizik të fëmijës”, -përfundon Vathi.

Procesi i kujdesit institucional ndaj minorenëve emigrues

Menaxhimi i migracioni të të miturve sipas studiueses Vathi është një pjesë shumë sensitive jo vetëm për korridorin Shqipëri-BE, Shqipëri-Angli, por në përgjithësi.

“Unë jam e kënaqur që në rastin konkret ka pasur një vullnet të mirë nga ana e Francës dhe i kanë dhënë strehim. Në Angli nuk janë domosdoshmërisht jetimoret. Janë “hostels”, vende ku të rinjtë jetojnë me njëri tjetrin, nuk përzihen me të rriturit. Janë të vizituara nga punonjësit socialë, u jepet mundësia të shkojnë në shkollë, në kolegj, pra të vazhdojnë të zhvillohen si njerëz, por me kushtin që në qoftë se rasti i tyre nuk do të aprovohet ose kur arrijnë moshën 18 vjeç, këto humbasin”,-shpjegon Zana Vathi.

Sipas Vathit, për kthimin e fëmijëve duhet të merren masa të veçanta.

“Nuk mund ta lesh për shembull një të mitur, sipas ligjit sepse ka ndodhur praktikisht, në stacionin e policisë me të rritur. Pa asnjë punonjës social. Pa asnjë specialist të fëmijëve, pa asnjë prind ose gardian ligjor që ka të drejtë të marri vendime për fëmijën”.

Pasojat e emigrimit në Shqipëri

Sipas BBC-së, në vitin 2022, 12 mijë shqiptarë kaluan kanalin e La Manshit. Nga këta 10 mijë ishin djem të rinj, shifër kjo e cila sipas Instat përbën 1% të krahut të punës në Shqipëri.

Zana Vathi arsyeton se për të parë impaktin direkt duhet që migracioni të materializohet.

“Nëse këto do të përfitonin të drejtë për të jetuar në Angli dhe do të krijonin një jetesë, pra do të punësoheshin, do të vazhdonin të ndërtonin një jetë në Angli. Nga shifrat vetëm 53% e rasteve kanë përfituar, këto janë në përgjithësi gra dhe fëmijë, d.m.th. janë raste që shikohen më vulnerabël, më të dobët, më të prekur nga kushte që nuk i kontrollonin dot, si puna e skllavërisë, trafikimit, abuzimit shtëpiak e kështu me radhë”,-sqaron Vathi.

Ndërsa ndikimi indirekt sipas saj “ka pasur pasoja gjeo-politike sepse Anglia me Shqipërinë u detyruan, sigurisht që Anglia është në pozicion pushteti më të lartë të krijojë një pakt për të kontrolluar emigrimin ilegal. Rruga për migrantët që të vijnë në Angli, po bëhet gjithnjë e më e vështirë për shkak të masave që qeveria britanike ka vënë. Kemi një farë dëshire nga ana e qeverisë britanike të kontribuojë në Shqipëri si në menaxhimin e emigracionit ashtu edhe në përgjithësi për mbarëvajtjen e ekonomisë në Shqipëri dhe të shohim nëse kjo do të materializohet në fakt”.

Sipas studiueses Vathi, emigrimi në Angli përgjithësisht ka qenë i suksesshëm nga ana ekonomike.

“Migrantët shqiptarë kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm në Angli, për faktin e vullnetit të madh që kanë në përgjithësi. Por në Angli kanë pasur kushte më të mira për shkak të politikave të integrimit më të favorshme që ka Anglia krahasuara me Italinë dhe Greqinë gjithmonë që janë vendet kryesore pritëse. Por për sa i përket valës së re të migrantëve, kjo është akoma dicka që për momentin unë e shikoj më shumë efektin politik se sa efektin ekonomik”.

Ndërsa për Shqipërinë ajo thekson se impakti ekonomik lidhet me remitancat.

“Për Shqipërinë në përgjithësi impakti ekonomik ka të bëjë me remitancat, d.m.th me dërgesat ekonomike. Këto kanë bërë gjithmonë një efekt shumë të mirë në Shqipëri për zvogëlimin e varfërisë imediate të familjes. Kur vjen puna te investimet, siç e dimë, këto janë më të pakta. Suksesi ka qenë më i pakët. Dhe kjo sepse mjedisi i investimeve nuk ka qenë i favorshëm. Këto janë të përgjithshme jo vetëm për migracionin në Angli, por për migracionin shqiptar në përgjithësi”.

Vathi përfundon se emigracioni shqiptar do të vijojë.

“Mund të ketë një luhatje të vogël tani që ka bërë shumë bujë në media dhe jemi një vit e gjysmë e më pak larg nga zgjedhjet në Angli dhe konservatorët do bëjnë të pamundurën që ta përdorin imigracionin si një mjet për të qendruar në pushtet, por emigracioni në Angli do të vazhdojë”. 

Ndërsa mbron një qasje liberale për procesin e migrimit në tërësi.

“Unë jam shumë liberale kur vjen fjala për migracionin nga ana ideologjike, nga ana politike, nga ana teorike. Unë mendoj që janë kufijtë ata që krijojnë migracionin, nuk janë njerëzit. Sepse për mendimin tim çdo njeri ka të drejtë të zgjedhë ku të jetojë dhe të provojë të investojë energjitë dhe njohuritë e veta”. 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *