Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Minorenët shqiptarë “braktisen” në Itali për të fituar leje qëndrimi

Teksa shokët e klasës po hynin në vitin e tretë të gjimnazit, me peshën e provimeve të maturës, *Genci përgatitej për t’u larguar nga shkolla.

Në shtator të vitit 2022, ai lajmëroi drejtorinë e shkollës ku kryente mësim në bashkinë Përrenjas, për lënien e gjimnazit, pavarësisht kërkesave të mësuesve për ta çuar deri në fund. Genci, kishte vetëm pak muaj që kishte mbushur të 17-at, dhe kishte mësuar se për aq kohë sa “gëzonte statusin e minorenit” mund të përfitonte nga procedura më të lehta për marrjen e dokumenteve italiane.

“Një i njohur i xhaxhit tim ka qenë përpara meje këtu në “comunita” dhe nëpërmjet atij u interesua dhe xhaxhi im dhe më njoftoi për këtë procedurë që ndiqej këtej dhe erdha”,-rrëfen Genci, teksa ndan historinë e tij të largimit nga vendi.

Përveç xhaxhait, në Itali nuk ndodhej ndonjë tjetër familjar i tij, ndërsa ditën e 12 shtatorit, ai që e shoqëroi në Itali ishte vetë babai i tij.

“Të tjerë po paguajnë lek për të marrë letrat dhe prapë nuk kanë arritur që ti marrin. Kjo është një mundësi e mirë për ne që duam të bëjmë letrat, të bëjmë ndonjë shkollë dhe të marrim një profesion”,-tregon Genci.

Sikurse Genci, të njëjtën mënyrë largimi përdori edhe shoku i tij, teksa rrëfen se informacionin e mori nga një mik i tij që e kishte provuar më herët.

“Mbasi kam filluar vitin e tretë, kam bërë një muaj të shkollës dhe pastaj më tha një miku im që funksionon kjo gjë kështu. Ai kishte ikur disa muaj para dhe i kishte marrë një pjesë të mirë të letrave si minoren, duke ndenjur nëpër ‘comunita” që quhen këto ku ne rrimë, që marrin minorenë. Por jo vetëm të Shqipërisë, marrin pak a shumë nga të gjitha shtetet”, -tregon Miri*.

Njësoj si Gencin, edhe Mirin e shoqëroi i ati në Itali. Në shkollën ku studiojnë dy të rinjtë, pesë nxënës u larguan gjatë këtij viti shkollor, për të provuar emigrimin.

“Duhen vetëm katër orë për t’u bërë pjesë e qendrave sociale”

Menjëherë pas largimit të shoqëruesve nga familja për në Shqipëri, Genci dhe Miri u paraqitën pranë policisë italiane.

“Unë jam dorëzuar në Xhenova, në provincë të Xhenovës. Jam dorëzuar si minoren. Atje më kanë marrë pak në pyetje dhe ju kam thënë që kam ardhur për kushte më të mira dhe më kanë strehuar”, tha Miri.

Të njëjtën eksperiencë pati edhe Genci, por në një tjetër rajon të Italisë, në Padova.

“Më pas u dorëzova në polici. Kam thënë që nuk kam njeri këtej, dua të më ndihmoni, nuk dua të shkoj në Shqipëri, më pëlqen Italia. Rri katër orë aty, 3 orë, 2 orë varet sa të mbarojnë procedurat, të fusin letrat. Interesohen ku ka vende që të më dërgojnë, në kamp ose në hotel apo shtëpi”, -u shpreh Genci.

Pyetjet e policisë italiane ndaj dy minorenëve shqiptarë ishin të pakta dhe të përgjithshme.

“Për çfarë ke ardhur? Me cilin ke ardhur? Pse do të rrish këtu? Përse të pëlqen Italia?”– kujton Genci.

Të dy të rinjtë tregojnë se brenda katër orëve nga dorëzimi në polici, u akomoduan tek qendrat për minorenë.

Roberto Castro, përkthyes dhe ndërmjetës kulturor në disa prej qendrave ku qëndrojnë emigrantë të mitur në Itali, rrëfen për Citizens Channel se menjëherë pas kontaktit me policinë nisin procedurat verifikuese.

“Pas intervistës dhe verifikimit të moshës në rastet ku ka dyshim, kontaktohet menjëherë sistemi qendror. Sistemi qendror duke u bazuar te territori, vendi ku vijnë minorenët, fillojnë të aktivizojnë kontaktet në terren që do të thotë se fillojnë të kontaktojnë qendra të ndryshme që operojnë aty dhe më pas referuar vendeve, rregullave të brendshme ata i dërgojnë këta djem në këto qendra”.

Në këto qendra ata janë në monitorim të vazhdueshëm.

“Djemtë kanë detyrimin të ndjekin rregullat brenda qendrave. Ata janë minorenë kështu që nuk mund që të largohen nga qendrat pa qenë të shoqëruar nga përgjegjësit e tyre, se ku po shkojnë etj. Sepse njerëzit që punojnë aty, punonjësit socialë, përkthyesit, avokatët kanë përgjegjësi ligjore për ta”,-saktëson Castro.

Akomodim, ushqim dhe përkujdesje

Miri e ndan dhomën me tetë minorenë të tjerë, dy prej tyre shqiptarë të Kosovës dhe Mirditës, të tjerët nga Egjipti dhe Pakistani. Ndërsa në qendrën e Gencit ndodhen 12 shqiptarë.

“Nuk është se mund të bësh çfarë të do ty qejfi. Duhet të plotësosh rregullat që ata të japin. D.m.th. është “comunita” më e mirë nga të gjitha këto që janë këtej nga zona jonë”, -shprehet Genci.

Një ditë normale brenda qendrave është e zënë më së shumti me mësime të gjuhës italiane.

“Kjo shkolla që bëjmë ne është vetëm për emigrantët që vijnë nga vende të ndryshme dhe marrin A1 dhe A2, pra kur kalojnë këto bëjnë një test tjetër, ‘terzamedia’ dhe me këtë testin e fundit ti mund të vazhdosh një shkollë për çfarë të duash ti, për hidraulik tre vjeçare, për çfarë të duash”,-rrëfen Genci, ndërsa tregon se deri më tani ka kaluar në nivelin A2.

Përpos kurseve për gjuhën italiane, të rinjve ju ofrohen edhe kontrolle shëndetësore.

“Na ofrohet ushqimi, kontrolli shëndetësor, na mundësojnë kursin për gjuhën italiane dhe palestër ose aktivitete të tjera”,-rrëfen Miri.

“Mëngjes, drekë, darkë, cdo gjë i kemi, nuk na nevojitet asgjë me thënë të drejtën. Është njësoj siç kemi qenë në shtëpiat tona vetëm se jemi larg familjes. Të gjitha kushtet i kemi, me të fjetur, dhomat janë të mira, ushqimi është i mirë. Në shkollë na dërgojnë. Na gjejnë punë. Cdo gjë është në rregull”,-ndan mes të tjerash Gencii.

Sipas Roberto Castro, të rinjtë bëhen pjesë e një procesi integrues në këto qendra.

“Ligji i mban ata aty deri në moshën 18 vjeç. Por lajmi i mirë është se ata janë brenda një procesi integrues. Ata fillojnë aktivitete të ndryshme nga shkolla te aktivitetet e trajnimit, të punës. Është një proces, por shumicën e kohës është i suksesshëm krahasuar me minorenët e tjerë. Shumicën e kohës edhe pasi mbushin 18 vjeç ata vijojnë ende të jetojnë në këto qendrat komunitare”,-shprehet Castro.

Një mënyrë për të marrë më shpejt dokumentet italiane 

Tanimë, Genci ka tetë muaj që qëndron në këto qendra sociale. Ai rrëfen se është pajisur me leje qëndrimi fill pas një muaji nga mbërritja.

“Mbas një muaji që erdha këtu në “comunita” kam marrë lejen e qëndrimit. Mbas disa muajsh kemi marrë “permesson” që është minorene, letra por për minorenët. Kur të mbushësh 18 shkon në “kuesturë”, i paraqit letrat dhe ata ti kthejnë në mazhorene dhe nuk ke asnjë lloj problemi pastaj. Thjesht të rinovohen letrat. Pas ca kohesh do marrësh një kartë identiteti që është kartë italiane dhe mund të lëvizësh në çdo vend. Pastaj mbas disa vitesh 7-10 vitesh merr pasaportën italiane”-shpjegon Genci.

Ai mbush 18 vjeç në verën e këtij viti dhe mezi po pret të rikthehet në Shqipëri për të takuar familjen, tanimë me leje qëndrimi italiane.

Sipas Mirit, që të mbash letrat e qëndrimit më pas duhet të kesh një punë me kontratë.

“Këta ti japin për një vit si fillim, kur bën 18 deri afër moshës 19. Pastaj duhet të jesh i siguruar me punë, të kesh një kontratë pune edhe të kesh një rezidencë, pra që të paguash qiranë, të kesh një shtëpinë tënden këtu në Itali që ti rinovosh prapë për një ose dy vite të tjera”-argumenton Miri.

Sipas tij, shumë të tjerë të rinj nga Kosova, disa prej të cilëve ndan edhe dhomën,  zgjedhin të vijnë në këto qendra duke përdorur sportin.

“Për shqiptarët është e lehtë për të ardhur, në mënyrë tokësore ose ajrore. Por të Kosovës, vijnë vetëm me anë të vizave dhe paguajnë shumë për të ardhur. Mund të shkojnë deri në 3-4 mijë euro vetëm rruga për të ardhur këtu. Gjejnë një person, i cili i sjell me viza sikur janë futbollistë, sikur luajnë futboll dhe i kalojnë sikur vijnë për të bërë ndeshje”,-përfundon Miri.

Sipas Roberto Castros, sistemi është i mirë megjithatë ka disa kufizime.

“Nga njëra anë për organizatat zyrtare është perfekte se janë brenda standardeve të BE-së, janë konsideruar si një nga ssitemet më të mirat për minorenët. Por nga ana tjetër realiteti është se qendrat komunitare shpeshherë janë shumë larg nga qendrat e qyteteve, pra nuk ka një integrim të mirë. Është shumë e vështirë për minorenët që të përfshihen në punë, në jetë, dhe shpesh këto vende janë përceptuar edhe si burgje për minorenët”. 

Shqipëria e katërta në renditje si vend origjine për minorenët e pashoqëruar

Sipas një raporti të Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale në Itali, Shqipëria renditet në vendin e katërt sa i përket origjinës së minorenëve të pashoqëruar.

“Deri në dhjetor 2022, vendet kryesore të origjinës së të miturve të pashoqëruar janë nga Ukraina (5.042 të mitur), Egjipti (4899 të mitur), Tunizia (1800 të mitur), Shqipëria (1347 të mitur) dhe Pakistani (1082 të mitur)”,- thuhet në raport.

Numër ky, i cili ka ardhur në rritje krahasuar me vitet 2020 dhe 2021.

Renditja e vendeve të origjinës së minorenëve të pashoqëruar.

Në Itali numërohen 21 rajone pritëse të minorenëve të pashoqëruar. Ndërsa pjesën më të madhe të minorenëve të pashoqëruar e përbën grupmosha 17 vjeçare, me 44.4%.

Burimi: Raporti i Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale (Itali)

Minorenët e pashoqëruar shqiptarë, sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe politikave Sociale në Itali janë të shpërndarë më së shumti në rajonin e Toskanës dhe Emilia-Romagna.

Burimi: Raporti i Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale

Sa i përket hyrjeve në Itali të minorenëve të pashoqëruar përgjatë vitit 2022, Shqipëria renditet e pesta, pas Ukrainës, Egjiptit, Tunizisë dhe Afganistanit.

Burimi: Raporti i Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale

Sipas Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale, “Italia është i vetmi vend europian që në vitin 2017, me miratimin e ligjit nr. 47, i ashtuquajturi “Ligji Zampa”, miratoi legjislacionin që synonte posaçërisht të miturit e huaj të pashoqëruar, duke sjellë ndryshime të rëndësishme në legjislacionin ekzistues me qëllim forcimin e mjeteve mbrojtëse të njohura nga sistemi italian në favor të tyre”.

*Genci dhe *Miri janë emra të përdorur për të mos treguar identitetin e vërtetë të dy minorenëve të intervistuar, për të mbrojtur anonimatin dhe sigurinë e tyre.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *