Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Raportet e para konstatojnë shkelje gjatë votimit për zgjedhjet lokale 2023

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) në bashkëpunim me Qëndresën Qytetare (QQ) kanë nxjerrë të dhëna paraprake nga vëzhgimi i procesit të votimit në zgjedhjet lokale. Në 29 bashkitë e vëzhguara, të dhënat paraprake listojnë një serë shkeljesh dhe parregullsish.

Sipas KQZ, në rang kombëtar kanë votuar 34.37% e popullsisë. “Vihet re një klimë e lartë apatie ndaj partive politike dhe zgjedhjeve. Raportohet si shqetësues fenomeni i largimit të të rinjve jashtë vendit”, – tha në fjalën e saj Erida Skëndaj nga KShH.

Procesi vijoi me tensione që në orët e para të mëngjesit. Ky faktor, bashkë me dështimin e votimin elektronik ka dekurajuar procesin e votimit.

Vonesa në procesin e votimit ka ardhur si pasojë e vonesës së marrjes së bazës materiale nga qendrat e votimit të disa bashkive, mungesës së njohurive nga anëtarëve të komisioneve të QV dhe vakancave të krijuara në përbërjen e këtyre komisioneve”, – listoi Skëndaj.

Qëndresa Qytetare dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit kanë dokumentuar shkelje të përsëritura në bashki të ndryshme.

Pothuajse në çdo Qendër Votimi (QV) të monitoruar është vënë re prezenca e lartë e personave të paautorizuar në brendësi ose brenda QV të cilët kanë intimiduar, ushtruar presion ose shoqëruar votues në Elbasan, Tiranë, Kukës, Durrës dhe Shkodër”, – tha më tej Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare.

Një gjetje me rëndësi i këtij monitorimi nga QQ lidhet me shfrytëzimin e pozicionit për intimidimin e votuesve.

Një pjesë e këtyre personave ishin përfaqësues të administratës publike, të cilët përdorën postin e tyre për të ndikuar te qytetarët në votim”, – shtoi Xhemollari, teksa numëroi gjashtë raste të evidentimit nga vëzhguesit të votimit familjar në Bashkinë Shkodër, Tiranë dhe Kukës.

Votimi familjar si dhe shkelje të tjera janë ndeshur dhe nga vëzhguesit e KShH-së, të cilët kanë dhënë: 36 vërejtje me shkrim për votim familjar, mosrespektim të procedurave për dhënie e ndihmës ndaj zgjedhësve që për shkak të aftësisë së kufizuar nuk mund të votonin vetë, prezencën e personave të paautorizuar në qendrat e votimit; pesë vërejtje me shkrim për përdorim ose mbajtje te aparatit celular nga ana e zgjedhësve dhe shtatë vërejtje me shkrim për mostrimbrosje në Bashkinë Kukës, Pogradec dhe Tiranë.

Vëzhguesit janë ndeshur me intimidim nga vëzhguesit partiakë.

Në bashkinë Lezhë, Komisioni i Qendrës së Vëzhgimit nuk ka protokolluar vërejtjen me shkrim për votim familjar. Vëzhgues i Partisë Socialiste e ka fotografuar vërejtjen me shkrim dhe e ka dërguar në WhatsApp”, – shtoi Erisa Skëndaj. “Në vijim, vëzhguesi i këtij subjekti i është drejtuar vëzhguesit të KShH me tone të larta, duke i kujtuar që është rasti i dytë që krijon raste të tilla”.

Lexo më shumë mbi procesin e votimit në zgjedhjet lokale hap pas hapi

Sipas rezultateve të bëra publike deri më tani nga KQZ, Partia Socialiste rezulton në avantazh në 54 bashki të vendit, ndërsa koalicioni “Bashkë Fitojmë” kryeson në gjashtë Bashki të vendit.

Sa i përket kryeqytetit, nga votat e numëruara në 673 QV (941 në total), kandidati i Partisë Socialiste Erion Veliaj kryeson ndaj partive të tjera me (54.59%) të votave, pasuar nga kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi (34.67%) të votave, ndjekur nga kandidati i Lëvizjes Bashkë Arlind Qori (4.77%) të votave.

Kandidatët e tjerë si Roland Bejko nga Partia Demokratike ka marrë (4.28%) të votave, Marko Dajti nga Fronti i Majtë (0.94%), Lajla Pernaska nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (0.74%).

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *