Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Nisma Thurje sfidoi partitë e vjetra duke fituar 5 mandate në Këshillin Bashkiak

Nisma Thurje njoftoi dje zyrtarisht fitoren e pesë mandateve për këshill bashkiak në zgjedhjet vendore të 14 majit. Kandidatët e tyre në Tiranë, Korçë, Mirditë dhe Kukës, arritën të mbledhin një total prej 10975 votash.

Ata do të përfaqësohen nga Endrit Shabani në Tiranë, Rigerta Tushaj në Mirditë, Klajdi Pllaha në Korçë, Rubin Omuri  dhe Blerona Potja në Kukës.

Endrit Shabani, drejtues i Nismës Thurje, tregon për Citizens Channel se rezultati nuk ishte surprizues, pasi kishte pritshmëri më të larta. Në Tiranë ai do të përfaqësojë zërin e 7000 votuesve, ndërsa secili nga këshilltarët e Partisë Socialiste përfaqëson rreth 4000 votues.

“Është aplikuar një formulë e ndarjes së mandateve ku votuesi i tij ka dy mandate ndërsa votuesi alternativ ka një mandat. Pra votuesi i Partisë Socialiste ka më shumë zë ne vendimmarrje sesa votuesi që voton kundër Partisë Socialiste apo për një alternativë të re si Nisma Thurje ”, shpjegon Shabani.

Shabani thekson se zgjidhja e vetme është përfshirja në institucion duke e ndryshuar institucionin.

Pse shqiptarët i dhanë pesë mandate  Nismës Thurje?

Pamje nga stafi i Nismes Thurje

Shabanit tregon se ka disa elementë kyç që i siguruan kësaj force politike pesë mandate në Këshillin Bashkiak. Së pari nevoja e qytetarëve për një brez të ri politikanësh.

“Janë kushtet ku njerëzve realisht ju ka ardhur në majë të hundës me këtë klasë politike, me këtë mënyrë të bërit politikë dhe kjo i bën ata të predispozuar për të votuar një alternativë të re”, pohon Shabani.

Arsyeja e dytë sipas Shabanit është se kandidatët që ata propozuan personifikojnë një ofertë të qartë politike.

“Klajdi është shkolluar në Itali është kthyer në qytetin e vetë, Gerta është shkolluar në “La Sapienza” në Itali dhe është kthyer në qytetin e vetë”, rrëfen ai.

Cili është programi i Nismës Thurje?

Endrit Shabani

Shabani tregon se Nisma Thurje mbështetet në një manifest politik që quhet “Karta 2020”. Në zgjedhjet e kaluara ai thekson se dolën me 33 projektligje, një prej të cilëve arritën ta çonin në Parlament.

“Transporti publik falas për pensionistët dhe studentët, aboneja dhe bileta elektronike, GPS për autobusët dhe oraret, gjë që nuk ndodh sot se privati nuk do të monitorohet, për çdo vonesë autobusi të merret gjobë etj.”, shpjegon Shabani.

Përveç zgjidhjes së problemit të transportit urban, Nisma Thurje synon të lobojë në Këshillin Bashkiak për çështjet arsimore, furnizimin me ujë të pijshëm etj.

Për sa i përket rretheve të tjera ndryshojnë edhe problematikat që do të ndiqen nga kandidatët e Nismës Thurje.

Kandidatët në qytetet e tjera do të përqendrohen në problematikat lokale. Në Mirditë, Rigerta Tushaj synon të ngrejë problematikat e fermerëve me subvencionet. Kandidati i Korçës Klajdi Pllaha ka identifikuar si urgjencë çështjet e mjedisit, si prerjen e pyjeve për ndërtimin e vilave në kodrat në periferi, dhe distancimin e tregut të fermerëve nga qendra.

“Naiviteti na bëri që në 2021 të shkonim me 33 projekt ligje, strategjikisht kjo ishte e gabuar se ne nuk po garojmë për të qeverisur vendin. Ne nuk arritëm të fiksonim asnjë nga këto te njerëzit, prandaj këtë radhë fokusuam energjinë vetëm në disa shtylla”, thotë Shabani.

Por Shabani tregon se propozimet e Nismës Thurje kanë qenë të shumëllojshme, e disa edhe janë përqeshur, si në rastin e banjove publike. Aktivistët e Nismës Thurje ndërmorën edhe një fushatë “gjobash”, për të denoncuar numrin e lartë të gjobave që vendos Bashkia, dhe mungesën e parkimeve në Tiranë.

“Me këto para që janë mbledhur nga gjobat mund të krijohen 5 mijë vende të reja parkimi. Kjo është një pjesë e programi elektoral por ka marr shumë pak vëmendje me hapësirën mediatike që ne kishim”, përmbledh Shabani.

“Sfida për të krijuar një opozitë reale” 

Egriselda Allushi

Egriselda Allushi, tregon për Citizens Channel se puna e saj në terren ka nisur që në Shkurt me mbledhjen e firmave të nevojshme për t’u regjistruar në në zgjedhjet vendore. Ata arritën të mbledhin 8,800 firma në Tiranë dhe 12,000 në total, duke përfshirë qytetet e tjera.

“Ka qenë një entuziazëm që na motivoi shumë. Në fillim shkonim ne te njerëzit më pas edhe me ndihmën e rrjeteve sociale njerëzit filluan të na kontaktonin vetë”, kujton Egriselda, anëtare e Nismës Thurje.

Ndërsa gjatë procesit të numërimit pas 14 majit  Egriselda thekson se vëzhguesit kanë qenë prezent 24 në 24 për të mbrojtur çdo votë të hedhur për Nismën Thurje.

“Para zgjedhjeve ndoshta janë blerë, intimiduar votat  siç ndodh rëndom ndërsa ditët e numërimit ne kemi kërkuar çdo proces verbal, siç parashikon ligji, nuk kemi lëvizur nga aty asnjë sekondë”, përfundon Egriselda.

Denis Dema

Denis Dema, 30 vjeç, i angazhuar me Nismën Thurje që në 2021,  rrëfen se ndjehet krenar për fushatën e zhvilluar.

“Kam konstatuar mungesë shprese te qytetarët, nuk ishte problemi te rrugët, uji, taksat, por mungesa e shpresës që i ka sjellë politika në 30 vite”, pohon Dema.

Ai tregon se asiprata e Nismës Thurje është që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 të përfaqësohet me mandate deputetësh në disa zona të Shqipërisë.

“Aspirojmë të jemi një opozitë reale sepse këtij vendi i mungon opozita, këtij vendi i duhet një opozitë reale”, përfundon Dema.

Nevojë për bashkëpunim

Endrit Shabani ndan për Citizens Channel se Nisma Thurje garojë vetëm për këshillat sepse aty ishin shanset më të larta për të fituar.

“Ajo që ka ndodh me forcat e reja është se garojnë, humbasin dhe përforcojnë idenë që të rinjtë dhe të ndershmit nuk fitojnë”, shton Shabani, i pyetur mbi arsyet pse zgjodhën të kandidojnë vetëm për këshillat e jo për të drejtuar qytetin.

Ai tregon se është e nevojshme të bashkëpunohet me lëvizjet e tjera politike për tu bërë në një front sepse, momentalisht problemet janë të përbashkëta.

“Duhet ti japim vendit një brez të ri politik, që është një nevojë urgjente tani. Duke i rikthyer shpresën, më shumë njerëz do shkojnë të votojnë. Ka kohë për të debatuar ideologjikisht”, thotë Shabani.

Çdo kokëfortësi për të mos bashkëpunuar na mban të dobët. Duke u bërë bashkë, duke arritur disa fitore, padyshim do ngjallim më shumë shpresë”, përfundon ai.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *