Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Bie ndjeshëm numri i nxënësve, në 2023 u regjistruan 7.4% më pak gjimnazistë

Të dhënat e fundit të publikuara nga INSTAT  tregojnë një rënie të konsiderueshme të regjistrimeve për vitin shkollor 2022-2023.

Në vitin shkollor 2022-2023, u regjistruan në arsimin zyrtar 554.222 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 4,1 %, krahasuar me vitin shkollor 2021-22”, – shkruhet në publikimin e INSTAT.

Uljen më të madhe të regjistrimeve e ka pësuar arsimi i mesëm. Këtë vit, 7.4% nxënës me pak janë regjistruar në gjimnaze krahasuar me një vit më parë. Ndërsa në shkollat 9-vjeçare, ka një rënie regjistrimesh prej 3.6% nga viti shkollor 2021-2022.

Gjithashtu, shënohet rënie në regjistrimet në nivelin parashkollor me 3.6% dhe me 2% në arsimin e lartë.

Sipas Rigels Xhemollarit, nga organizata Qëndresa Qytetare, shifrat e larta shpjegohen pikërisht përmes fenomenit të emigracionit. Ky konstatim mbështetet edhe nga Fabio Aliaj, një ndër studentët e shumtë që dëshiron të largohet.

Ai studion në Universitetin e Vlorës në degën e infermierisë. Prej disa vitesh, Aliaj ka bërë çdo ditë rrugën vajtje-ardhje nga Fieri në Vlorë për të ndjekur studimet, por tashmë nuk beson se mundi i tij do të shpërblehet. Fabio po konsideron largimin drejt disa shteteve në Evropë, ashtu sikurse shumë kolege të tij kanë bërë.

Unë vendin tim e dua, por duke parë si po shkojnë gjërat thjesht na mbetet te largohemi! Këtu nuk ka asnjë politikë për studentët, asnjë mbështetje financiare. Ka vetëm llafe boshe dhe iniciativa 3D”, – thotë ai për Citizens Channel.

Zhvendosja e emigrimit te grupmoshave14-18 vjeç, tregon se ka një emigrim familjar, shpjegon Rigels Xhemollari.

Kjo shpjegohet edhe me faktin se edhe familjet e reja po emigrojnë dhe duke emigruar familjet e reja sigurisht që fëmijët e tyre janë në këto grupmosha”, – sqaron ai për Citizens Channel.

Sipas Xhemollarit, prindërit kërkojnë që fëmijët e tyre të ndjekin arsim cilësor në shtete të tjera.

Arsimin e shikojnë si një lloj puzzle-i që plotëson të gjithë atë arsyetimin që bëjnë të larguarit nga Shqipëria”, – shpjegon Xhemollari. “Fillon me arsimin, po nuk mbaron te arsimi. Me diplomimin përballesh direkt me tregun e punës dhe tregu i punës është jo meritokratik, është i bazuar në lidhje nepotike”.

Pas emigracionit, Xhemollari liston shkaqe të tjera që kanë sjellë si rezultat rënie të dukshme vit pas viti të regjistrimeve në nivele të ndryshme të arsimit, si lëvizjet demografike dhe rënia e lindshmërisë.

Sa i përket degëve, më e preferuar mbeten fushat e studimit “Biznes, administrim dhe ligj”, ku është përqendruar një e katërta e numrit gjithsej të studentëve.

Fusha më pak e preferuar është “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” ku janë të regjistruar vetëm 2,6% e numrit gjithsej të studentëve”, – shkruhet në raportin e INSTAT.

Emigrimi boshatis bankat e shkollës në Kukës

Të dhënat nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve, të siguruara nga Citizens Channel, tregojnë se përgjatë katër viteve të fundit në Kukës janë mbyllur gjashtë shkolla 9-vjeçare. Emigrimi masiv e ka tkurrur sistemin arsimor me 17% në vetëm pesë vite.

Shifrat po ashtu tregojnë se numri i nxënësve bie drastikisht pas mbarimit të shkollës 9-vjeçare. Prej viteve 2019-2023, në total në shkollat 9-vjeçare kanë ndjekur studimet 22.027 nxënës, ndërsa shifrat e nxënësve në total për ato vite në arsimin e mesëm bie në 7.340 nxënës.

Kukësi mbetet një ndër qytetet më të prekura nga emigrim i të rinjve të cilët migrojnë kryesisht në forma ilegale drejt vendeve të zhvilluara. Përmes ciklit të podcastit “Pezull”, të rinj nga Kukësi që kanë tentuar të emigrojnë kanë shpjeguar për Citizens Channel arsyet që i shtyjnë të largohen nga vendi i origjinës.

“I ngecur… mes rrugëve të emigrimit të paligjshëm”

Mungesa e perspektivës, kushtet ekonomike dhe dëshira për të qenë afër miqve dhe familjarëve e shtynë Gjergjin që të braktisë shkollën dhe të emigrojë. Ai është 23 vjeç, ka lindur në Dibër dhe aktualisht jeton në Kamëz. Në tre vitet e fundit, ai ka tentuar të gjitha mënyrat për të mbërritur ilegalisht në Angli.

“Tranzit, jeta përballë kufirit të ndaluar”

Florini ishte 16 vjeç kur braktisi shkollën dhe vendin e tij për të shkuar në Britaninë e Madhe. Edhe pse minoren, vështirësitë ekonomike të familjes përgjegjësia për t’i parë familjarët më mirë, mori një rrugë aspak të lehtë, duke kaluar nga Italia në Francë me qëllimin përfundimtar Anglinë.

“I rikthyeri… i huaj në vend të vet”

Fatlumi është një djalë i ri me origjinë nga Kukësi. Ai është kthyer nga Britania e Madhe me vullnetin e tij, por tashmë sërish është me sytë drejt migrimit. Fatlumi provoi të përshtatej me realitetin shqiptar, por sërish ndjehet i huaj në vendin e tij.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *