Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Qytetarët kundër shkrirjes së Akademisë së Studimeve Albanologjike

Një grup qytetarësh dhe aktivistësh vizituan sot Akademinë e Studimeve Albanologjike (ASA) në formë solidarizimi me tentativën e qeverisë për të shkrirë këtë institucion. Vizita nisi fillimisht me një tur brenda këtij institucioni ku u fol mbi rëndësinë dhe punën e ASA – së ndër vite.

“Për garat e vrapit, për policët dhe për ushtarët ka hapur akademi Ministria e Arsimit, ju ka dhënë status të veçantë me VKM, për albanologjinë 10 vjet nuk e bindëm dot të nxjerr atë akt. Arsyeja është se ata nuk donin ta nxirrnin atë akt, donin të na shkrinin”, – thotë Afrim Krasniqi, Drejtor i Institutit të Historisë në ASA.

Ai shpjegon se Akademia e Shkencave drejtohet nga figura politike dhe shkrirja me atë institucion do ta pamundësonte autonominë e kërkimit shkencorë. Krasniqi tregon se fokusi i studimeve të tij është periudha 86 – 90 dhe në këto kushte puna e tij duhet të miratohet nga ata drejtues që kanë qenë edhe atëherë në pushtet.

“Janë fokusi i studimit tim dhe ata do vendosin nëse punimet e mia janë cilësore, kur kam ish ministrin përpara të Ramiz Alisë, shefin e shërbimit sekret të Ramiz Alisë, ish këshilltarin kryesor të Ramizë Alisë. Dhe ky është paradoksi i madh në atë që quhet liri akademike në Shqipëri”, – vijon Krasniqi.

Shkrimtarja Elsa Demo paralelizon situatën me vendin fqinj, Kosovën duke treguar se atje ndryshe nga ajo çfarë po ndodh në Shqipëri Akademitë funksionojnë të ndara.

“Përse ata kanë institutet e tyre albanologjike të ndarë nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës? Përse ne duhet të kthehemi mbrapsht nga kjo punë? ”, – ngre pikëpyetjet Demo.

Demo pohon se ASA nuk ka nevojë të mbroj veten sepse flet puna e saj.

“Kreu i Akademisë së Shkencave thotë ne po bëjmë një reformë. Si u bëka kjo reformë pa u diskutuar gjerësisht? ”, – përfundon ajo.

Shkrirja e ASA – së nxit emigrimin intelektual

Pamje nga organizimi qytetar te Akademia Albanologjike, Tirane;  Foto: Qendresa Qytetare

Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetarë në fjalën e tij sot përpara ASA – së tha se kjo çfarë po ndodh sot me këtë institucion është një tregues sesi po “bien” njerëzit më të zgjuar të këtij vendi.

“Nuk ka arsye që një vit më parë ministria  të deklarojë se ky është një institucion ekselent dhe sot po e njëjta ministre tregon sesi për një draft të porositur, të vijë e ta marrë këtë institucion dhe ta bashkojë me një institucion tjetër të pangjashëm, as në strukturë, as në formë, as në produkt”, – analizon ai.

Nga ana juridike avokati Genti Serjani tregon se kjo është një formë paligjshmërie sepse ligji për arsimin e lartë e përcakton qartë se kur institucioni publik nuk përmbush kushtet dhe nuk plotëson kriteret për ushtrimin e veprimtarisë së saj atëherë bëhet mbyllja e institucionit. Në këtë rast shohim se nuk ka asnjë kusht dhe kriterë që të bëhet mbyllja e ASA – së, sqaron ai.

“Siç kemi përzënë me VKM qytetarët e thjeshtë për të shkuar jashtë sepse ja kemi prishur banesën, sot ne shohim që e njëjta gjë do të ndodh dhe me akademikët shqiptarë që me miratim e kësaj VKM – je do ti themi shkoni dhe punoni jashtë vendit, atje ku ka më shumë nevojë për ju”, – pohon avokati Serjani.

Ndërsa arkitektët dhe planifikuesit urbanë duke marr shkas dhe nga precedentë të mëparshëm i druhen faktit se ky vendim mund të ketë si prapavijë përvetësimin e ambienteve të ASA- së.

“Është një ndër objektet e radhës që i vihet gishti në Tiranën tonë, pra këtij objekti do i tjetërsohet destinacioni dhe kjo është arsyeja që krijohet, për mendimin tim personal, bëhet gjithë kjo katrahurë”, – përfundon arkitektja Entela Spahivogli.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *