Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Helmimi i jetës së egër rrezikon kafshët në rrezik zhdukjeje në Shqipëri

Helmimi i botës së gjallë nga njeriu po rrezikon lloje që gëzojnë status ruajtje dhe kategorizohen si të rrezikuara sipas listës së kuqe të Florës dhe Faunës, por jo vetëm.

Lista e viktimave të helmimit është e gjerë dhe përfshin kafshët e egra, kafshët shtëpiake, bagëtitë dhe njerëzit”, – shpjegon për Citizens Channel Ledi Selgjekaj, biologe nga organizata PPNEA (Mbrojtja dhe Ruajtja e Mjedisit Natyror në Shqipëri).

Ledi Selgjekaj, PPNEA

Shpesh barinjtë, fermerët apo gjuetarët helmojnë karremin, i cili mund të jetë në formën e kufome të helmuar.

Karremat lihen në zona lehtësisht të arritshme për kafshët. Megjithatë, kjo praktikë është joselektive, duke rezultuar në vdekjen e ngadaltë dhe të dhimbshme të çdo kafshe që ndeshet me karremin”, – thotë me tej Selgjekaj.

Në Shqipëri, kali i qyqes, shkaba e vetme folezuese në vendin tonë, listohet si një ndër llojet më të rrezikuar, që mban statusin “I rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje” (CR).

Po ashtu shqiponja e malit mban statusin “E rrezikuar” (EN). “Helmimi konsiderohet një nga kërcënimet që mund të ketë çuar në rënie të popullatës, duke qenë lloj grabitqar dhe që mund të ushqehet dhe me kërma”, – sqaron biologia Ledi Selgjekaj. Të tjera lloje të rrezikuara nga praktika e helmimit në Shqipëri janë krahëthadra, korbi dhe sorra e përhime.

Sa i përket gjitarëve, llojet që bien pre e helmimin është ujku, që mban status ruajtje sipas listës së kuqe, dhelpra, ariu i murrmë, çakalli pasi janë “target për barinjtë, fermerët;  konsiderohen si dëmtues të bagëtive, kulturave bujqësore etj.”, – shtjellon Selgjekaj. Ky fenomen është i përhapur kudo në Shqipëri.

Cilat janë pasojat e këtij fenomeni?

Biologia Ledi Selgjekaj shpjegon se helmimi ka pasoja të rënda për ekosistemin si dhe sjell ndikime negative veçanërisht te banorët lokalë.

Humbja e një kafshe mund të prishë ekuilibrin delikat të natyrës, duke shkaktuar edhe efekte të tjera”, – sqaron ajo. “Shkabat që zakonisht nuk janë objektiv i helmimit, pastrojnë kufomat e helmuara, duke u bërë vetë viktima, gjë që mund të çojë në humbjen tragjike të shumë individëve dhe madje të zhdukë koloni të tëra”.

Po ashtu, humbja e pastruesve të mjedisit si në rastin e shkabave, mund të kontribuojë në një rritje të dëmtuesve që mbartin sëmundje, duke prekur si bagëtitë ashtu edhe njerëzit.

Kur njerëzit hasin karrema helmues ose kafshë të helmuara, kjo mund të ketë efekte të dëmshme në shëndetin e tyre. Ky kontaminim mund të kalojë pa u vënë re, duke bërë që individët të konsumojnë mish, të korra ose ujë që është i ndotur me këto substanca të dëmshme”.

Si rezultat, ata mund të vuajnë nga probleme shëndetësore “duke filluar nga helmimi akut deri te sëmundjet kronike, dëmtimet e organeve dhe në rastin më të keq, edhe vdekja”, – pohon biologia Ledi Selgjekaj.

Një tjetër sektor që preket nga helmimi masiv i botës së egër është ai i turizmit.

Prania e këtij lloji në rajon është potencial për gjenerimin e të ardhurave të banorëve lokalë, e quajtur ndryshe si “ekoturizmi” ose turizmi i kundrimit të shpendëve”, – thotë Selgjekaj, e cila shtjellon që banorët lokalë preken shumëfish nga kjo praktikë, pasi mund t’u helmohen edhe kafshët shtëpiake, duke u shtuar edhe kosto mirëmbajtje por edhe shëndetësore.

Ky është një problem i evidentuar gjerësisht në Ballkan dhe PPNEA i është bashkuar nismës “Ballkan DetoxLife” ku shtatë vende nga rajoni do të punojnë me institucionet dhe banorët lokalë me qëllim ruajtjen e llojeve të rrezikuara dhe rivendosjen e një harmonie mes botës së gjallë dhe komunitetit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *