Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Fier: Punonjëset mbeten pa paga, fasoneria vijon punën me NIPT të ri

Prej marsit 2023, Ornela Bruhamaj nuk mori më asnjë pagesë në fasonerinë “Ozgurkan Textile Albania” në Fier. Ajo edhe dhjetëra gra të fasonerisë u organizuan në protesta për të kërkuar pagat e prapambetura dhe për të kundërshtuar ndërprerjes e beftë të punës.

“Kishim dy muaj edhe 10 ditë pa marrë pagat. Kemi marsin, prillin dhe kemi qenë në punë deri në 8 maj. Pastaj ai e mbylli. I mbaruam punë dhe e mbylli pa asnjë sqarim”, -shprehet Ornela në një bisedë të zhvilluar me të.

Ajo tregon për Citizens Channel se pronari është larguar dhe nuk dinë çdo të bëhet me paratë e tyre.

“Jo, nuk na lajmëruan paraprakisht. Punën e kemi mbyllur me përgjegjësen, ai nuk u duk fare. Edhe ortaku i tij, turku iku. Për bajram janë larguar dhe nuk janë dukur më”.

Pagesa që merrnin në fasoneri ishte në kufirin e pages minimale.

“Si pagë shkonte diku te 420 mijë lek, me rritjen e fundit që bëri 7% në mars. Më pas kemi punuar e nuk kemi marrë më lek. Për të na mbajtur në punë, trysnia siç funksionon në fasoneritë”, –rrëfen Ornela.

Numri i punonjësve në fasoneri erdhi duke u zvogëluar me kalimin e muajve, për shkak të problemeve me pagat në vijimësi.

“Problemi filloi që në gusht me pagat. Ishim 150 punonjës në total. Duke u larguar, duke pasur probleme pagat, përfunduam 70. Nga 70 muajt e fundit, pra nga muaji mars deri në 15 prill punuan, e panë që lek nuk kishte dhe u largua një pjesë e tyre, mbetëm 45 gra në fund fare. Por edhe këto që u larguan nuk kanë marrë lek”, – tregon Ornela.

Citizens Channel tentoi të kontaktojë administratorin Erjon Tahiraj, por nuk mori një përgjigje, ndërsa sipas punëtorëve kontakti i vetëm edhe për instucionet mbetet babi i tij, i cili vijon punë në katin e tretë të ndërtesës me një tjetër nipt.

Kompania i ka Ornelës një borxh prej 73 mijë lekësh (të reja), ndërsa për koleget e saj, të cilat kanë punuar edhe orare shtesë, borxhi shkon në më shumë se 100 mijë lek.

Ajo rrëfen se presioni në muajt e fundit për të mbyllur punën në kohë ishte i vazhdueshëm.

“U sforcuam, sidomos majin që duhej puna urgjentisht të dorëzohej, ne u sforcuam, punonim dhe me orë shtesë për ti mbaruar punën atij dhe na thoshte mos kini merak, mbyllni punën, unë do t’ju likuidoj. Nuk janë marrë rrogat, jo më orët shtesë. Unë për vetë kam punuar festën e 1 Majit, kam punuar të dielave, por shtesë nuk kam ndenjur se jam me fëmijë të vegjël. Po janë shoqet që kanë ndenjur deri në orën 6-7 dhe kanë marrë edhe punë në shtëpi, kanë harxhuar edhe korrentin e tyre,”-përfundon Ornela.

Praktika “falimentim i kompanisë” dhe hapja e një nipti të ri

Kompania “Ozgurkan Textile Albania” me veprimtari prodhimi dhe përpunimi të produkteve të veshmbathjes dhe shërbimeve të lidhura me to, është themeluar në vitin 2018 dhe ka si administrator Erjon Tahiraj. Sipas të dhënave nga Open Corporates.al, është një kompani me origjinë mikse, pasi ka pronarë të shtetësisë turke, përkatësisht nga Taner Taskin Ozgurkan dhe Hadi Ozgurkan me 40% të kapitalit secili, ndërsa Erjon Tahiraj dhe Tekin Çapan me 10% të kapitalit secili.

Më 2022, Hadi Ozgurkan shet 10% të kapitalit te Erjon Tahiraj për 100 euro, duke e kthyer Tahirajn në zotërues të 20% të kapitalit. Kompania ka një kapital prej 20.000 eurosh.

Pas protestës së punëtoreve për shkak të mos marrjes së pagave, Koalicioni për të Drejtat në Punë, së bashku me Inspektoriatin e Punës dhe zyrën e komisionerit të anti-diskriminimit zhvilluan një takim për ti njohur gratë punëtore të fasonerisë me të drejtat e tyre. Inspektoriati i Punës në një postim në rrjetin social Facebook e konsideron protestën e grave punëtore në fasonerinë e Fierit si grevë, megjithëse nuk përmbush asnjë kriter të kësaj natyre.

Sipas Gentjan Serjanit, Avokat i Qendrës “Drejtësia Sociale”, pjesë e Koalicionit për të Drejtat në Punë, çështja është e komplikuar, pasi kompania nuk ka shpallur falimentin ndërsa, në të njëjtin ambient vazhdon punën babai i administratorit të firmës, me një tjetër nipt.

“Ai kishte tentuar disa herë të merrte kredi nëpër banka, nuk i kanë dhënë as bankat kredi sepse e dinë që është drejt falimentit. Ndërkohë, procedurën e falimentit nuk e ka filluar akoma. Është një situatë e komplikuar. Disa prej punëtorëve po shkojnë në firma të tjera, por ndërkohë i njëjti ambient në kat të dytë vazhdon punën babai i tij, me një numër nipti tjetër”, -shprehet Serjani.

Inspektoriati i Punës, pas inspektimeve të kryera në fasoneri ka kërkuar shlyerjen e menjëhershme të detyrimeve financiare kundrejt punëtorëve, mirëpo kompania është debitor.

“Pronari thotë jam në pamundësi financiare për ti shlyer pagat dhe është edhe debitor te tatimet për shkak të mos pagesës të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe taksave të tjera që ka ai atje. Ndërkohë tatim-taksat i kanë bllokuar numrat e llogarisë. Inspektoriati ka kryer inspektime, ka parë që është në gjendje financiare të pamundur për ti shlyer, por i ka lënë një detyrë që ti shlyeje menjëherë. Nuk i shlyen menjëherë sepse nuk ka mundësi”, -argumenton Serjani.

Për punëtorët, dërgimi i çështjes në gjykatë, kërkon shumë kohë, ndërsa ata kërkojnë paratë sa më shpejt.

Gentjan Serjani sheh si zgjidhje në këtë rast nisjen e hetimit nga Prokuroria.

“Unë i sugjerova që të ketë mënyra të tjera presioni ndaj tij. Një mundësi mund të ishte që Prokuroria mund të fillonte ndonjë hetim për rastin për sa kohë informacioni është publik. Kemi të bëjmë e para me shkelje penale, për aq kohë sa nuk janë paguar tatimet në shtet, por nga ana tjetër kemi të bëjmë edhe me mos dhënien e pagës punëtorëve, që është një e drejtë e tyre dhe e kanë të vetmen mundësi për tu ushqyer”, -shprehet Serjani për Citizens Channel.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *