Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ministria e Arsimit vendosi bursa me detyrimin për të qendruar në Shqipëri

Me një Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) të miratuar ditën e sotme, maturantët që zgjedhin për të studiuar në degët prioritare do të përfitojnë bursë.

Sipas Ministres së Arsimit, Evis Kushi, kjo bursë do të jetë sa paga minimale, ndërsa shtoi se vendimi u mar si përgjigje ndaj largimit të të rinjve jashtë vendit.

Një vit më parë qeveria listoi si prioritare 35 programe, mes të cilave gjuhë letërsia, shkencat, degët që lidhen me bujqësinë dhe turizmin.

“Të gjithë ata maturantë që kanë mesatare mbi 8.5 dhe që zgjedhin një nga këto programe prioritare, përfitojnë një bursë sa paga minimale, çdo muaj. Dhe ndërkohë, detyrimi i tyre është që pas diplomimit të qëndrojnë tre vite, të japin kontribut për vendin.”,– u shpreh ministrja Kushi.

Me vendimin e sotëm është saktësuar edhe heqja e kriterit të mesatares 8.5 për të përfituar bursën, veçanërisht për programet prioritare.

“Edhe një maturant që mund ta ketë mesataren më të ulët, por gjithmonë duke plotësuar ato kritere siç i kanë të gjithë studentët, siç është p.sh. mësuesia me 7.5 apo kriteret e tjera, pra duhet ti plotësojnë kriteret bazë, siç i kanë të gjithë maturantë e tjerë, por kemi hequr kriterin 8.5,”-saktësoi ministrja Kushi.

Megjithatë, nuk u saktësua nëse do të ketë një kontratë të nënshkruar nga studentët për të përfituar bursën, dhe çfarë ndodh me studentët të cilët nuk pranojnë të përfitojnë bursë e si rrjedhojë të qendrojnë tre vite pas studimeve në Shqipëri.

Studentët që do të përfitojnë bursën nuk janë të detyruar ta ruajnë mesataren përgjatë studimeve, pasi mbështetja do të jetë deri në përfundim të shkollimit.

“Pra në vkm-në ekzistuese maturantët për të vazhduar që ta marrin edhe vitin e dytë edhe vitin e tretë bursën, duhet të ruajnë mesatern që kanë nga shkolla e mesme, ndërkohë që ne i kemi hequr. Pra edhe nëse një student vitin e parë, edhe pse mund të ketë rënë nga mesatarja 8.5 në 8 fjala vjen ai do të vazhdojë të mbështetet me bursë edhe në vitin e dytë edhe në vitin e tretë, me qëllim që kjo mbështetje të vlejë për gjatë gjithë kohëzgjatjes së studimeve”,– u shpreh ministrja Kushi.

Sipas ministres, kjo nismë është ndërmarrë për të mbështetur veçanërisht universitetet në rrethe.

“Është një vendim i përbashkët, është që ti japim më shumë mundësi universiteteve, madje kryesisht universiteteve në qytetet jashtë Tiranës. Sepse dihet që në Tiranë preference e të rinjve dhe të rejave dhe që vijnë nga qytetet e tjera është gjithmonë e lartë, pro kështu ne i japim edhe më shumë mbështetje universiteteve të tjera”-,përfundoi Kushi.

Sipas vendimit të vitit 2022 lë listën e degëve prioritare përfshihen gjuhë letërsia, biologjia, kimia, fizika, matematika, miniera, bujqësia, veterinaria dhe turizmi.

Degët prioritare

Ndërsa me vendimin e sotëm, sipas ministres përfshihet edhe mësuesia në arsimin parashkollor dhe atë fillor, programi i histori-gjeografisë dhe disa programe të inxhinierisë.

Bursa nuk nxiti studentët të zgjedhin programet prioritare një vit më parë

Një vit më herët, përmes mbështetjes me bursë të studentëve me mesatare mbi 9.5 qeveria ndërmori këtë si një hap nxitës për të rritur numrin e studentëve në degët prioritare, të cilat rezultojnë në 35 të tilla.

Megjithatë sipas një analize të Qëndresës Qytetare rezultoi se mbështetja e dhënë më herët prej prej 34.000 lekësh nuk ka patur efekt tek studentët dhe se ata nuk kanë zgjedhur të studiojnë në programet prioritare.

“Nga analiza e kryer rezulton se bursa nuk ka patur efekt tek studentët dhe se ata nuk kanë zgjedhur të studiojnë në programet prioritare. Rreth 71.6% e këtyre programeve rrezikojnë të mbyllen si pasojë e mos plotësimit të numrit minimal prej jo më pak se 10 studentë të regjistruar, ndërsa katër nga këto programe studimi janë mbyllur që pa nisur mirë implementimi i programit të bursave, sinjal tepër i qartë për vendimmarrësit në lidhje me suksesin e kësaj iniciative”,-thuhet në raportin e Qwndresws Qytetare.

Mungesa e efektit të bursës te përzgjedhjet e studentëve vjen edhe për faktin se studentët regjistrohen në ato degë studimi që shërbejnë si “pasaportë’ për tu larguar jashtë vendit, theksohet në raport.

“Sipas analizës tonë, e cila ka marrë në konsideratë programin e studimit Infermieri në të gjitha universitetet publike të vendit, rezulton se nga studentët janë ezauruar mbi 92% e kuotave të vlefshme, ndërsa në programet prioritare janë ezauruar vetëm 27% e këtyre kuotave”,-argumentohet në raport.

Sipas raportit Ministria e Arsimit nuk ka kryer asnjë studim tregu lidhur me kriteret se përse këto programe studimi janë përzgjedhur si prioritare.

Pak ditë më parë Universiteti i Korçës lajmëroi lajmëroi mbylljen dhe bashkimn me Universitetin e Tiranës. Numri i ulët i studentëve të regjistruar në programet mësimore të këtij universiteti ishin një nga arsyet e mbylljes. Janë katër programe studimi në Universitetin e Korçës që konsiderohen prioritare sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit të vitit 2022, sikurse gjuha shqipe dhe letërsia, bilogji-kimi, inxhinieri agronomike dhe menaxhim turizmi.

Në këto degë vitin e fundit regjistrimi ishte në kuotat minimale, pëkatësisht:

-Në gjuhë shqipe dhe letërsi nga 25 kuota të vlefshme pati vetëm tre regjistrime vitin e fundit.

-Në degën biologji-kimi nga 30 kuota të vlefshme pati vetëm gjashtë regjistrime.

-Në inxhinieri-agronomike, nga 50 kuota të vlefshme pati vetëm tre regjistrime.

-Në degën menaxhim turizmi nga 40 kuota të vlefshme pati vetëm tre regjistrime.

Vetëm pak orë më vonë pas njoftimit për mbyllje, universiteti doli me një deklaratë publike ku njoftoi tërheqjen nga vendimi për mbyllje.

“Pas një diskutimi më të gjerë në nivel njësie qendrore dhe njësie bazë, kjo nismë do të rishqyrtohet në mbledhjet e ardhshme të organeve vendimmarrëse të Universitetit, të cilat do të dalin me një vendim përfundimtar”,-thuhet në njoftimin e universitetit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *