Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Edhe këtë sezon, turistët e huaj e përdorën transportin publik me “ndihmën e shqiptarëve”

“Nuk e dija nëse kishte ndonjë autobus që mund të më sillte këtu, në terminal, kështu që vendosa të eci gjysmë ore në këmbë. Kam vetëm një çantë të vogël shpine, kështu që është ok”- rrëfen për  Citizens Channel Victor Claderon nga Spanja, i cili edhe pse për herë të dytë në Shqipëri, duket se e ka të vështirë të orientohet me transportin publik.

Shumica e të huajve që takuam në terminalin e stacionit të autobusëve në Tiranë pohuan se mirësjellja e shqiptarëve është ajo që po i ndihmon të orientohen me lëvizjen brenda dhe qyteti në qytet.

Eva Boschman gjate pritjes ne terminal

“Njerëzit këtu janë shumë të sjellshëm, realisht po na ndihmojnë njerëzit, por është pak e vështirë sepse nuk janë on-line oraret e autobusëve apo nuk janë shumë të qarta desticancionet, por ne po e menaxhojmë situatën me ndihmën e shqiptarëve”- na rrëfen një tjetër turiste, Eva Boschman, e cila po udhëton nga Tirana për në Sarandë.

Një tjetër sezon turistik me transport kaotik 

Përfaqësues të qeverisë dhe bashkive të mëdha të vendit kanë premtuar prej kohësh implementimin e biletave online për transportin publik.  Premtimi i fundit ishte i Kryeministrit Rama më 6 maj të vitit të kaluar, në një takim të zhvilluar me përfaqësues të bankave të nivelit të dytë.

“Tani, shumë shpejt, më në fund, do të hyjmë në një fazë tjetër me transportin publik, urban dhe ndërurban, ku nuk do të ketë më bileta letër, dhe e gjitha do të bëhet on- line. Siç bën çdo qytetar i shumë vendeve rreth nesh tanimë prej vitesh tanimë”, tha Rama.

Për herë të parë u fol për investimin i cili do të lehtësonte transportin e qytetarëve, ku do të priteshin edhe biletat on- line përmes telefonit, më 23 korrik 2020. Vlera e përafërt e përllogaritur për implementimin e sistemit e-transport është 1.7 milionë euro.

Ky investim vjen si bashkëpunim i DPSHTR (Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor) dhe AKSHI(Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit).

Pamje gjate prezantimit te platformes e – transport

“Konsumatori, udhëtarët janë në një situatë ku në fazën dy të e – transport  jemi duke e implementuar dhe që është si synim që të realizohet dhe të mundësohet brenda gjashtë mujorit të parë të vitit 2023, në një mënyrë krejtësisht transparente”- tha Blendi Gonxhe, kreu i DPSHTR më 5 dhjetor 2022, gjatë prezantimit të kësaj platforme.

Edhe pse kanë kaluar gjashtë muajt e parë të 2023, ky aplikacion nuk mund të shkarkohet në telefon dhe ende nuk mund të prihen bileta on – line, edhe pse është i pasqyruar opsioni i Master apo Visa Cart në platformë.

“Një nga projektet që do ta ndryshoj tërësisht faqen e transportit ndërqytetës në Shqipëri“– ju referua platformës Linda Karcanaj, Drejtoreshë e AKSH.

Edhe pse e papërfunduar dhe jo funksionale, më 28 janar 2023 platforma e-Transport u vlerësua nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës si “Platforma e vitit”, në eventin “CCIT Awards”, i cili vlerëson sipërmarrjet më të suksesshme në fusha të ndryshme të të gjithë trevave shqipfolëse.

Në një kërkesë për informacion, DPSHTR i konfirmoj Citizens Channel se procesi për pagesat on – line pritet të finalizohet nga AKSHI dhe pretendohet të konkretizohet më qershor të 2024. Ky shërbim do të implementohet në Google Transit dhe Google Maps.

Sipas DPSHTR me anë të kësaj platforme deri në këtë fazë janë implementuar dhe është funksional prej 2 vitesh, procesi i licencimit dhe certifikimit, duke ofruar të gjitha këto procedura on – line, pra për subjektet nuk është e nevojshme paraqitja në sportele, por duke realizuar të gjitha këto procedura nga zyra, nëpërmjet një PC apo pajisje elektronike mobile.

“Kanë përfituar subjektet e transportit ndërqytetës, ku janë gjeneruar me vulë elektronike 381 licenca të transportit ndërqytetës dhe 2,486 certifikata operimi“- pohojnë përfaqësues të DPSHTR.

Pavarësisht premtimeve në gusht të 2023 shumë turistë të huaj në kryeqytet përshkojnë distanca të gjata në këmbë për shkak të mungesë së informacionit.

“E mora autobusin deri në një pikë, por nuk e dija nëse kishte ndonjë autobus tjetër që mund të më sillte në terminal, kështu që vendosa të eci gjysmë ore sepse kam edhe një çantë të vogël shpine, kështu që është ok“- tregon Victor Claderon, i cili edhe pse për herë të dytë në Shqipëri, sërish e ka të vështirë të orientohet.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *