Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Motorristët mbeten të pambrojtur përballë rreziqeve në punë

Motoristët e sektorit të shpërndarjes, të njohur “delivery”, përballen me një rrezik të lartë të aksidenteve në rrugë. Por të dhënat tregojnë se vetëm një numër i vogël i aksidenteve raportohen.

Raporti i vitit 2022 i Inspektoratit të Punës e renditi sektorin “delivery” si një profesion me risk të lartë sa i përket aksidenteve.

“Aktivitete të tjera, ku këtu një përqindje të lartë(14,1% të totalit të aksidenteve) zënë aksidentet rrugore të cilat kanë ndodhur kryesisht në shërbimet delivery dhe gjatë rrugës nga shtëpia për në punë dhe anasjelltas”, thuhet në raport.

Inspektorati citon në raport aksidentet rrugore kanë përqindjen më të lartë të vdekjeve me 32%. Por pavarësisht kësaj, në  vitin 2022 Inspektorati raportoi për vetëm 3 aksidente me motor në punë, nga të cilat 2 me pasojë vdekjen.

Në raport me kategoritë e tjera që listohen me risk të lartë, si minierat apo ndërtimi, ky sektor ka një numër të vogël rastesh. E pyetur mbi këtë fakt dhe arsyen pse e kanë listuar si sektor me risk të lartë, ISHPSHSH u përgjigj se “duke qenë se ky sektor ka pasur një zhvillim më të madh vitet e fundit(sidomos gjatë periudhës së pandemisë), si dhe për shkak të aksidenteve të ndodhura gjatë vitit 2022 , është klasifikuar, si sektor me risk për sigurinë dhe shëndetin në punë”.

Inspektorati thekson në raport se duhet t’i kushtohet vëmendje e shtuar sektorit të shërbimeve delivery, por nga ana tjetër ky sektor vijon të ketë mungesa në raportimin e aksidenteve.

Të dhënat e siguruara nga Policia e Shtetit tregojnë se në 2022 kanë ndodhur 279 aksidente me motorr nga të cilat  36 në sektorin delivery, të dhëna të cilat nuk reflektohen në raportin e Inspektoratit.

E pyetur mbi masat e mara, institucioni i tha Citizens Channel se “janë marrë masa administrative Paralajmërim për 2 (dy) subjekte nga 3 (tre) raste aksidentesh në sektorin e shërbimeve delivery “motorist, gjithashtu janë lënë dhe detyra për realizim nga ana e subjektit”.

“Puna me orare të zgjatura dhe trafiku burim aksidentesh”

Punonjësit e sektorit rrëfejnë problematikat e të punuarit si shpërndarës në kryeqytet, teksa nuk përjashtohen aksidentet në qytetet e tjera. Trafiku dhe oraret e zgjatura janë dy nga arsyet kryesore që ata listojnë si burim i aksidenteve.

Bislim Lakna prej vitesh është angazhuar si aktivist me çështje të ndryshme sociale. Prej dy vitesh ai punon si motorist në këtë sektor. Teksa i njeh mirë çështjet e punës si pasojë e aktivizmit në fushën e të drejtave në punë, Lakna rrëfen mbi situatën në këtë sektor.

Bislim Lakna

“Problematikat janë të shumta, në varësi të shumë faktorëve, problematikat e përbashkëta si me thënë të sektorit, është rrezikshmëria në punë, që është konstante, është aty gjithmonë, është punët me orar të zgjatura, pjesa më e madhe e motoristëve punojnë me orar të zgjatur”, tha Lakna për Citizens Channel.

Këtë e konfirmon edhe një motorist tjetër që rrëfeu eksperiencën e tij për Citizens Channel, teksa preferoi të mbetej anonim për shkak të kërcënimeve që mund t’i vinin nga kompania.

Një motorist zakonisht punon mbi 9 orë, 10 orë tek 10 orëshi. Zakonisht nuk ka motorrist që të punojë më pak, 8 orarëshi nuk ekziston me neve”, u shpreh ai. 

Trafiku dhe nxitimi për të dërguar sa më shumë porosi janë arsyet kryesore që motoristët rendisin për sa i përket aksidenteve.

“Fluksi, oraret e fluksit, ngarkesa, lodhja, lodhja për shkak të orëve të gjata të punës, edhe ekspozimi ndaj e para njëherë ndaj trafikut të paorganizuar mirë, dhe ekspozimi ndaj kushteve të hapura atmosferike”, u shpreh Lakna.

Pjesërisht motorristët paguhen edhe me rrugët që bëjnë. Edhe tentojnë gjithmonë që të arrijnë kohën që të kapin porosinë tjetër”, tha një motorist tjetër.

Ekspertët konfirmojnë gjithashtu trafikun si një nga shakatarët e aksidenteve si dhe pjesën e ngarkesës së orareve. Po ashtu nxitimi për të arritur një numër të caktuar porosish i shtyn këta punonjës që të ecin me shpejtësi, duke u bërë kështu burim aksidentesh.

Artur Sulçe, ekspert rrugor

Ata shpejtohen në mënyrë që të rrisin të ardhurat e tyre, pasi paga e tyre është në funksion të numrit të shpërndarjes të pakove të ndryshme te qytetarët. Në këtë këndvështrim ato herë pas here edhe nuk i zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, por njëkohësisht ndeshen me një trafik të rënduar në qytetin e Tiranës”, u shpreh për Citizens Channel eksperti rrugor Artur Sulçe.

Punonjësit e zgjedhin të  detyruar punën me orar të zgjatur, për të fituar më shumë të ardhura. Lakna u shpreh se së bashku me kolegë të tjera të sektorit kishin tentuar hapjen e një sindikate, por deri më tani nuk ia kishin dalë.

“Një nga problemet që doli ishte se një pjesë e mirë e motoristëve kishin frikë se sindikata do t’i ulte orët e punës, do i çonte ato në nivelin standard 8 orësh dhe kjo përbënte problem për një pjesë të mirë të tyre”, tha Lakna.

Në një përgjigje për Citizens Channel, Inspektorati i Punës mohon të ketë konstatuar shkelje në këtë sektor.

Bislim Lakna shprehet se kontratat ua lënë përgjegjësinë punonjësve në rast aksidenti, teksa shton se shumë aksidente nuk raportohen.

Të paktën 3-4 kontrata të cilat kam pasur rastin t’i shoh, në kontratë kompania heq përgjegjësinë nga vetja në rast aksidenti dhe konsiderohet si shkaktar i aksidentit konsiderohen aftësitë drejtuese të motoristit”, deklaron Lakna.

Të njëjtën gjë e konfirmojnë edhe motoristët e tjerë. Ata shprehen se në shumicën e rasteve kompanitë  nuk u paguajnë as veshjet.

Edhe sikur të kishte përgjegjësi kompaninë kontratë, asnjë kompani nuk mban përgjegjësi. Neve i blejmë vet çdo gjë. Zakonisht një motoristi nuk i rron një veshje. S’e bën një dimër s’e kalon një dimër me një veshje, me një uniformë”, u shpreh një motorist për Citizens Channel.

Inspektorati i pyetur mbi shkeljet e të drejtave në punë të regjistruara në këtë sektor nuk pranoi të kishte shkelje me oraret apo kontratat.

“Nga hetimi administrativ i aksidenteve në punë të vitit 2022 nuk janë konstatuar shkelje në drejtim të marrëdhënieve të punës si orët shtesë, zbatimi i kontratave të punës për punëmarrësin e aksidentuar”, tha ISHPSHSH.

Por pranoi përgjegjësinë që duhet të mbajë punëdhënësi në rast aksidentesh.  “Por në asnjë rast punëdhënësi nuk shkarkohet nga përgjegjësia për një ngjarje apo aksident në punë, për shkak të detyrimeve që i ngarkon legjislacioni i punës”, tha më tej ISHPSHSH.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *