Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Fier: Punonjëset e fasonerisë protestojnë para prokurorisë për pagat e prapambetura

70 gra, ish-punonjëse të fasonerisë “Ozgun Kan Albania” protestuan të shtunën përpara Prokurorisë së Fierit. Në mars të këtij viti, kompania shpalli falimentin, duke i lënë punonjësit me dy paga të pa paguara. Protestueset kanë bërë një kallëzim, dhe kërkuan nga prokuroria e Fierit të mos zvarrisë më procesin por të nisë hetimin në mënyrë që kompania t’i japë fund abuzimit.

“Ne kemi që në muajin mars, gjashtë muaj, që po kërkojmë pagat dhe jemi në vesh të shurdhët, sepse s’po na dëgjon njeri ”,- tha për Citizens Channel ish–punonjësja Leonora Ballaj.

Edison Hoxha nga Qendra për të Drejtat në Punë shpjegon se zyra ligjore që po ndjek çështjen ka kërkuar nga Drejtoria Tatimore një hetim fiskal, pasi dyshohet nga kallëzueset (gratë që nuk kanë marrë pagat) se ky proces është i qëllimshëm nga pronari ose kompania.

“Puna që është marrë perisper nga kompania është kryer dhe kompania i ka marrë pagesat për punën që ka kontraktuar, ndërkohë gratë nuk kanë marrë pagat“- pohon ai.

Hoxha analizon se nuk është hera e parë që ndodhin raste të tilla, pasi shumë kompani në sektorin privat bëjnë një manovër të tillë, ku marrin përsipër shumë detyrime dhe në përfundim nuk paguajnë punonjësit. Kompania e lë aktivitetin pezull, sqaron Hoxha, por më pas vijon po të njëjtin aktivitet, me po të njëjtat mjete pune, me një tjetër NIPT.

“Rasti i rafinerisë së punonjësve të Ballshit ka qenë i ngjashëm, ku kompania Armo edhe pse kishte detyrime, edhe pse u fituan procese gjyqësore nga punonjësit, përsëri punonjësit nuk morën pagat që u takonin. “-  tregon Edison Hoxha.

Kontrata të rregullta dhe rritje pagash

“Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë” i përbërë nga sindikata dhe organizata të shoqërisë civile në mbrojtje të të drejtave në punë parashtruan disa kërkesa:

  • Kontrata të shkruara dhe të rregullta dhe në dispozicion të çdo punonjëse: Kërkojmë që të nënshkruhet një kontratë e rregullt pune ku të përfshihen të gjitha të drejtat dhe detyrimet, duke përfshirë pagën mujore, orët e punës, ditët e paguara për sëmundje, lejet vjetore dhe ditët e pushimit. Punonjëset duhet të kenë kopjen e tyre pas nënshkrimit.
  • Rritja e pagave: Është urgjente një rritje e ndjeshme e pagave në sektorin e fasonerisë, për të përmbushur nevojat jetike. Kërkesa jonë qëndron për paga dhe të drejta të barabarta për të gjithë punëtorët si një e drejtë thelbësore.
  • Kushte pune të sigurta dhe të mbrojtura: Kërkojmë përmirësimin e kushteve të punës, duke përfshirë sigurinë dhe higjienën në ambientet e punës, si dhe mjetet dhe pajisjet e nevojshme për të punuar të sigurtë.
  • Mbështetje për sëmundje dhe pushime vjetore: Kërkojmë ditë të paguara për rastet e sëmundjeve dhe pushime vjetore të paguara, që janë të drejtat tona themelore.
  • Përfaqësim sindikal: Kërkojmë të drejtën për tu organizuar në sindikata pa frikë se do na heqin nga puna dhe përfaqësim të punëtorëve në negociata me fabrikën për tu siguruar që të drejtat dhe interesat tona do të respektohen.
  • Zbatimi i kodit të punës: Kërkojmë që fabrika të zbatojë Kodin e Punës në mënyrë të drejtë dhe të respektojë të drejtat tona si punëtorë.
  • Pagesa në kohë reale: Kërkojmë që pagat të kalojën në kohë reale, sipas ligjit.

Protesta e parë u mbajt më 22 qershor ndërkohë që gratë kanë paralajmëruar se do të protestojnë sërish nëse shohin që prokuroria nuk do të ndërmarrë asnjë hap të mëtejshëm për procesin gjyqësor.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *