Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Studentët në protestë: “Qeveria ndryshoi kontratën për bursat e degëve prioritare”

“Kemi shpallur një listë të programeve prioritare në degët bujqësore e të mësuesisë etj, dhe të gjithë maturantët që kanë mesataren mbi 8.5 dhe zgjedhin një nga këto programe prioritare fitojnë një bursë sa paga minimale”, deklaronte ish-ministrja e Arsimit Evis Kushi në qershor të 2023 duke i bërë thirrje studentëve të regjistroheshin në degët prioritare.

Studentët e Fakultetit të Histori-Filologjisë bojkotuan sot mësimin në shenjë protestë kundër ndryshimeve që ky premtim pësoi me kohën.

Ata tregojnë se nuk janë vënë në dijeni për kriterin se studentët duhet te ruajnë një mesatare mbi 9.5 në vitin e dytë për të përfituar bursën prej 40 mijë lekësh (sa paga minimale e vendosur në kuadër të degëve prioritare). Po ashtu VKMja e ndryshuar sqaron se edhe për studentët që e mbajnë mesataren ka një fond të limituar për bursash.

Pika 4 e VKM-së thotë: “Studenti përfitues sipas shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 2, të këtij vendimi, me qëllim vijimin e financimit, duhet të ruajë notën mesatare, jo më pak se 9.5 gjatë gjithë kohëzgjatjes së studimeve të ciklit të parë dhe të dytë ose gjatë ndjekjes së studimeve të integruara të ciklit të dytë në institucionin publik të arsimit të lartë”.

“Ndryshe nga viti i kaluar, ku kriter ishte mesatarja e shkollës së mesme mbi 8.5, këtë vit përfitues të këtyre bursave do të jenë studentët pavarësisht notës mesatare, por gjithmonë duke plotësuar kriteret e pranimit për çdo program studimi, njësoj si të gjithë studentët e tjerë“, deklaronte Kushi në qershor.

Pika 6 e vendimit, e ndryshuar në qershor të 2023, thotë se përzgjedhja e studentëve përfitues të bursës bëhet sipas notës mesatare/vendit të renditjes në olimpiada ndërkombëtare dhe fondit në dispozicion për vitin përkatës financiar.

Studentët shprehen të indinjuar nga këto ndryshime dhe deklarojnë se nuk kanë qenë të njohur me to kur kanë zgjedhur të studiojnë në këto degë.

“Unë e kam zgjedhur këtë degë se kishte mbështetje financiare se nuk i përballoja dot të tjerat, tani na thuhet se duhet të ruajmë mesataren 9.5? Përse nuk na e thanë që në fillim?”, u shpreh një studente.

Arsyeja se pse bojkotojmë sot është shumë e qartë, është marrë një vendim unanim nga studentët e vitit të parë të degëve prioritare për të bojkotuar mësimin për arsye që ata nuk i dinin”, tha Desada Xhetani studente e Gjuhë Letërsisë.

Ajo shton se ky detyrim është i pamundur për tu arritur në universitet nga 90% e studentëve dhe është i pavërtetë nga ajo që është deklaruar fillimisht nga qeveria.

Protestës i janë bashkuar dhe studentë të degëve të tjera si Gazetaria dhe pse nuk preken nga ky vendim.

“Vendimi i qeverisë është plotësisht i padrejtë, dhe është një diskriminim ndaj studentëve qoftë të degëve prioritare si ato të Mjekësisë apo Gjuhë Letërsisë. Unë jam studente e Fakultetit të Filologjisë, studioj për Gazetari por e ndiej rrezikun se mos këtë vit, vitin tjetër jam e rrezikuar edhe unë”, u shpreh Vjolanda Peca studente.

Ervin Hysa është student i vitit të parë Gjuhë Letërsi dhe shprehet se i është bashkuar protestës pasi e sheh vendimin dhe veprimin e qeverisë si të padrejtë.

“Shteti nuk i ka mbajtur premtimet ashtu siç ka thënë në fillim dhe kjo mua më duket e padrejtë gjithçka të padrejtë unë duhet ta kundërshtojë”, tha ai.

Qeveria vendosi disa degë studimi si prioritet kombëtar pasi ato janë në rrezik mbyllje. Vitet e fundit një pjesë e degëve dhe universiteteve po vuajnë boshatisjen. Por edhe pse janë vendosur degët prioritare ende ka një pjesë prej tyre që rrezikojnë mbylljen.

Numri i aplikantëve për vitin akademik 2023 ka shënuar një ulje prej 6.6% në krahasim me vitin e kaluar. Konkretisht, kemi pasur 19 612 aplikantë në vitin 2023, ndërsa rreth 21 000 aplikantë në vitin 2022.

Në muajin qershor të 2022 Ministria e Arsimit mori një vendim për t’i dhënë çdo studenti ekselent ose që zgjedhë të studiojë në një nga programet prioritare mundësinë e përfitimit të një burse mujore, e cila është e barazvlefshme me pagën minimale, një vit më vonë ky vendim është përditësuar, me ndryshimin e kriterit të mesatares.

Në vitin 2023 kjo bursë nuk pati efekt, teksa sipas një monitorimi të Qëndresës Qytetare analizon degët prioritare dhe regjistrimet në to, këtë vit ka pasur një efekt në disa prej degëve. Por monitorimi thekson se situata mbetet e përkeqësuar.

Nga 27 260 maturantë që kanë plotësuar formularin e aplikimit A1, 39.8% e tyre kanë shprehur interesin për t’u larguar nga vendi.

Sipas monitorimit rezutlon se mes degëve që rrezikojnë mbylljen janë dhe ato prioritare.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *