Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Klos: “Të gjithë kundër hidrocentraleve”; Institucionet vijojnë miratimin e lejeve

Një muaj më parë, dhjetëra banorë të njësisë administrative Suç, në Bashkinë Klos u mblodhën për të kundërshtuar hidrocentralet në përroin e Lusës, burim ujor që shërben për komunitetin si ujë vaditës dhe ujë i pijshëm.

Ne, banorët e fshatrave Kurdari, Skënderaj, Kurtelaj, Suç dhe Kujtim jemi tepër të shqetësuar në lidhje me projekt-ndërtimin e HEC-eve brenda territorit të Kurdarisë”, – tha i moshuarit Rexhep Kuleni duke iu referuar projekteve energjetike “Lusa 1” dhe “Lusa 2” nga firma “Idrolusa Sh.p.k”.

Kuleni është angazhuar kundër hidrocentraleve prej disa vitesh, pasi beson se do të shkaktojnë dëme të mëdha në mjedis dhe në mënyrën sesi banorët e organizojnë jetesën.

Në tre vite, banorët kanë mbledhur mbi 1300 firma kundër kundër hidrocentraleve, megjithatë ata shprehen se institucionet kanë qëndruar indiferentë ndaj kërkesave të tyre.

Firma kundër hidrocentrale “Lusa 1 dhe Lusa 2”

Krimin më të madh na e bëjnë krejt këta zëvendësministrat. Këta i firmosin letrat: centrale këtu, centrale aty”, – shprehet një tjetër protestues, Sali Ndreu, nga fshati Kurdari. Ai ka në zotërim pesë dynym tokë që e mbjell me perime dhe një hektar vreshta.

Një tjetër protestues, Imer Duka, i cili ka në zotërim 10 dynym tokë, thotë se pasojat do të ndjehen në gjithë rrethin e Matit.

Fshati i Kurdarisë mban një rreth Mati me perime e me fruta. Në atë minutë që t’i merret uji Kurdarisë merreni edhe popullin edhe çojeni atje në greminë edhe mbulojeni për së gjalli”, – shprehet ai për Citizens Channel.

Kam 20 dynym tokë, e ujis me këtë ujë. Si të pritet uji, çfarë të bëjmë ne këtu?”, – shton më tej një tjetër protestuese, Engjëllushe Mamica.

Në fshatin Kurdari është ende funksional mulliri dhjetëra-vjeçar, për të cilin kujdeset Sali Ndreu. “Prandaj, po u bënë centralet Kurdaria ka mbaruar. Mulliri del jashtë funksionit”, – tregonn ai.

“Komuniteti kundër, institucionet pro”

Historiku i hidrocentraleve ka filluar prej vitit 2006, por projekti që do të shfrytëzonte përroin e Lusës nuk u finalizua. Gjatë viteve 2017-2018 dy shoqëri të ndryshme aplikuan për të zhvilluar disa hidrocentrale në këtë përrua, shoqëria “Idrolusa Shpk” dhe “Global Interprise Group”.

Në vitin 2017, qeveria shqiptare i dha leje firmës “Idrolusa Shpk” për ndërtimin e HEC-it “Lusa 1 dhe Lusa 2”.

Dy vjet më vonë, pas mbarimit afateve ligjorë për nisjen e punimeve, “Idrolusa Shpk” u paraqit në mars të vitit 2022 në fshatin Skënderaj për të zhvilluar një konsultim me banorët, por ata refuzuan të zhvillojnë ketë takim.

Megjithatë, sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), komuniteti nuk kishte shqetësime mbi zhvillimin dhe ndërtimin e këtij hidrocentrali. “Në takim është prezantuar projekti, janë dëgjuar sugjerimet e pjesëmarrësve, të cilat do të merren parasysh nga ana e investitorëve, gjatë kohës së shfrytëzimit”, – shkruhet në përgjigjen zyrtare nga AKM për Citizens Channel.

Këtë ujë e duan 99% këtu në këtë zonë, të gjithë janë kundër ndërtimit të HEC-eve”, – kundërshton banori Rexhep Kuleni, i cili në vitin 2022 ka mbledhur 705 firma kundër HEC-eve “Lusa 1” dhe “Lusa 2”.

Sokol Muceku, administrator i firmës “Idrolusa Sh.p.k” shprehet se ka ndjekur hapat e përcaktuara në ligj dhe se banorët konfliktin mund ta zgjidhin përmes institucioneve.

Kemi një shtet ligjor, ne nuk kemi punë me banorët. Me banorët ka bashkia, janë të tjera instanca. Ne thjesht jemi investitorë”, – u shpreh Muceku për Citizens Channel. “Ne nuk kemi shkuar me dëshirë aty, ne na ka dërguar qeveria”, – shton ai.

Banorët, në përpjekjen e tyre disa vjeçare për të njoftuar institucionet mbi shqetësimin e tyre, iu drejtuan zyrës së kryeministrisë, po në vitin 2020. Në përgjigjen zyrtare, thuhet se ata janë në dijeni të problemit të ngritur nga banorët. “Në mbështesim para së gjithash interesat e komunitetit”, – shkruhet më tej në përgjigjen nga Kryeministria.

Nga ana tjetër, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Ujore (AMBU) ka miratuar lejen për përdorimin e burimit ujor të Lusës.

Kryetari i Bashkisë Klos i është drejtuar Agjencisë Kombëtare të Burimeve Ujore me anë të një kërkesë për prishje vendimi, duke argumentuar, ndryshe nga Ministria e Mjedisit, se komuniteti është kundër këtij projekti.

Bashkia Klos nuk është dakord pasi në dëgjesën publike është kundërshtuar me forcë ndërtimi i HEC-eve”, – shkruhet në shkresën nga Bashkia Klos.

Agjencia e Burimeve Ujore, në një përgjigje zyrtare për Citizens Channel, u shpreh se subjekti “Idrolusa Sh.p.k” ka zhvilluar dëgjesë me banorët dhe sipas dokumentit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) të dorëzuara nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit “nuk rezulton të ketë pasur pretendime nga banorët e zonës”.

Agjencia e Burimeve Ujore shton se Bashkia Klos në vitin 2019, ka nënshkruar kontratë qiraje me subjektin “Idrolusa Sh.p.k” për dhënien në përdorim të fondit pyjor/kullosor publik për ndërtimin e hidrocentraleve “Lusa 1” dhe “Lusa 2” me afat 10 vjet.

“Precedentët e manipulimit të pjesëmarrjes së banorëve në dëgjesat publike”

Në vitin 2018, shoqëria Global Interprise Group” kërkonte të ndërtonte hidrocentralin “Doma” po në këtë përrua dhe në datë 04.06.2018 zhvilloi një dëgjesë publike, ku morën pjesë 19 banorë.

Në dokumentet nga Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, thuhet se banorët në këtë takim shprehën dakordësinë për zhvillimin e hidrocentralit “Doma”.

12 prej këtyre banorëve, përmes një deklarate të nënshkruar, pohojnë se firma e pjesëmarrjes është manipuluar. “Deklarojmë se kemi marrë pjesë si dëgjues për projektin “Doma”, por nuk kemi shprehur dakordësi pasi bie ndesh me interesat jetikë të popullit”, shkruhet në deklaratë.

Më pas, një tjetër tentativë për të zhvilluar një dëgjesë me komunitetin për zhvillimin e projekteve hidrike u përsërit në vitin 2020, por u refuzua masivisht nga banorët dhe u mblodhën 631 firma kundër.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *