Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Qytetarët listojnë aferat korruptive të Tiranës përpara SPAK

Një grup aktivistësh dhe qytetarësh u mblodhën sot përpara SPAK (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar) për të inkurajuar drejtësinë të hetojë deri në fund aferat korruptive në qeverisjen vendore të Tiranës.

Pak ditë më parë SPAK lëshoi 15 masa sigurie për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe abuzimit me detyrën për zyrtarë dhe biznesmenë, mes të cilëve drejtorin e Shërbimeve Publike të Bashkisë Tiranë.

Qytetarët e prekur nga projektet e shpronësimit masiv kërkuan vazhdimin e hetimeve për zyrtraët e nivelit të lartë.

“Kërkojmë që hetimi të shkojë deri në fund duke përfshirë edhe personin iniciues të Inceneratorit të Tiranës, Kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ”,- tha gjatë deklaratës së mbajtur aktivisti Edison Lika.

“Ne si qytetarë, të vetëdijshëm për presionet e gjithanshme me të cilat po përballet organi i akuzës jemi këtu fillimisht për përshëndetur veprimtarinë e këtij organi në secilin prej veprimeve të tij të deritanishme. Por, drejtësia s’mund të ndahet as në pjesë, as në çështje, as në parti e as në segmente të ndryshme brenda partisë”,- theksoj Lika gjatë fjalës së tij.

Protestuesit mbanin në dorë disa pankarta me akuza për një sërë çështjesh që akuzojnë pushteti lokal i Tiranës si: “5 maji”, “Teatri Kombëtar“,“Kullat“, “Astiri“, “Ardit Gjoklaj”, “Ndrangheta“,“Kombinati“, etj.

“Inceneratori i Tiranës – Një histori korrupsioni”

Më 8 dhjetor Taulant Tusha, drejtor i Shërbimeve Publike në Bashkinë Tiranë dhe njëkohësisht, anëtar i Këshillit Drejtues të UKT, mori masën e sigurisë arrest me burg.

Masa sigurie janë dhënë edhe për anëtarët e komisionit të koncensionit, ish-ministrin Lefter Koka dhe sekretarin e përgjithshëm Alqi Bllako që ndodhen nën arrest për shkelje lidhur me inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit. Arrest me burg u dha edhe për dy biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto që janë prej kohësh në arrati.

Më 8 gusht 2023 SPAK zbuloi se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët e vërtetë të projektit dhe se kompania ka lëshuar miliona euro fatura të falsifikuara, të paguara nga taksapaguesit shqiptarë.

“Shkatërrimi i monumenteve të kulturës – Teatri Kombëtar”

Më 17 maj 2020, godina e Teatrit Kombëtar u shemb pavarësisht rezistencës prej më shumë se dy vitesh.

Bashkia Tiranë ka shpallur tenderin për ndërtimin e godinës së Teatrit Kombëtar 870 ditë pas shembjes së tij. Projekti për ndërtimin e Godinës së Teatrit Kombëtar, sipas të dhënave të analizuara nga Open Data Albania është investimi i dytë publik me peshën më të lartë në buxhetin e shtetit për vitin 2022.

Ky projekt do të realizohet nga Bashkia e Tiranës për periudhën 2022-2024, dhe ka vlerë totale prej 4.8 miliardë Lekë.

Më shumë se tre vite pas shembjes së Teatrit Kombëtar, hapësira mbetet e rrethuar, me mbetje nga godina e dikurshme e teatrit dhe pa një mundësi shfrytëzimi për qytetarët.

“Miliona m2 ndërtim dhe dhjetëra kulla me burime të dyshimta financimi”

Nëntë kulla të reja iu shtuan Tiranës së fundmi. Qeveria shqiptare përmes Këshillit Kombëtar të Territorit ka miratuar përgjatë vitit 2023, nëntë vendime që i hapin rrugën ndërtimeve të reja, me lartësi nga 12 deri në 58 kate.

Në qendër të Tiranës po ndërtohen gjashtë kulla shumë katëshe, brenda territorit që dikur ishte zonë e mbrojtur historike. Vendimi Nr.582 i Këshillit të Ministrave (me kërkesë të Bashkisë Tiranë), i hapi rrugë tkurrjes së qendrës historike të qytetit.

Kjo ndërhyrje u kritikua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit si e pabazuar në asnjë studim të mirëfilltë, veç interesave të biznesit të ndërtimit. Ndërsa raportet ndërkombëtare kanë ngritur shqetësimin se pastrimi i parave po lulëzon në sektorin e ndërtimit në Tiranë.

“Shpronësimet masive – 5 Maji, Kombinati dhe Unaza e Re”

Më 31 janar 2020 Këshilli i Ministrave shpalli për rindërtim lagjen “5 Maji” , duke caktuar Bashkinë Tiranë si njësi zbatuese të projektit. Në total, për zonën e re për zhvillim preken 222 prona private dhe shtetërore.

136 familje të zonës  dhe 1402 familje të Kombinatit i kanë humbur shtëpitë në rrethana shumë të ndryshme nga njëra tjetra. Megjithatë këto 1708 familje i janë shtuar qoftë edhe përkohësisht, numrit të lartë të familjeve që janë të pastreha apo kërkojnë strehim social në Tiranë.

Bashkë me zonën e “5 majit” u shpallën për rindërtim edhe zona të tjera sikurse ajo e Kombinatit, e Zall-Herrit, e Pezës, e Baldushkut, e Ndroqit, e Kamzës dhe e Vaqarrit.

Në 12 nëntor 2019 u prishën 33 banesa, 15 objekte një katëshe, 11 objekte 2 katëshe, 6 objekte 3 katëshe dhe 1 objekt katër katësh. Më 15 nëntor u prishën dy banesa të tjera dy katëshe, ndërsa në 9 janar të 2020 numri i ndërtesave të prishura për lotin e parë shkoi në 41.

Më 5 mars 2020  Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit shembi 30 ndërtesa për ti  hapur  rrugë vijimit të punimeve në lotin e dytë në kuadër të projektit të Unazës së Re.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *