Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Organizatat ndërkombëtare kundër marrëveshjes Rama-Meloni; Gjykata shtyn sërish vendimin

Gjykata Kushtetuese shtyu për herë të dytë vendimin për marrëveshjen mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare për çështjen e kampit të emigrantëve në Gjadër të Lezhës.

Një grup qytetarësh u mblodhën për herë të dytë përballë Gjykatës Kushtetuese, për të kërkuar shfuqizimin e marrëveshjes, ndërsa gjykata njoftoi se seanca e radhës do të mbahet ditën e hënë në orën 10:00.

Aktivistët, ekspertët e ligjit dhe deputetët e opozitës e kanë kundërshtuar marrëveshjen duke e cilësuar si antikushtetuese, pasi nuk ka marrë miratimin e presidentit të Republikës dhe prek ekstra-territorialitetin. Ekspertët ligjor flasin dhe për një ndikimin të mundshëm në vendet e tjera që kanë emigrantë, pra mund të shërbejë si një rrezik.

Më 18 janar, 31 organizata lokale dhe ndërkombëtare hartuan një opinion miqësor për gjykimin e kësaj marrëveshje, duke renditur disa pika ku shkelet Kushtetuta.

Së fundmi edhe organizata ndërkombëtare Amnesty International (AI) theksoi përmes një deklaratë se kjo marrëveshje i tejkalon kufijtë ligjorë.

Amnesty International kritikon vazhdimin e politikës së menaxhimit të proceseve migratore të Italisë, duke theksuar paaftësinë e saj në zbatim. Organizata shprehet kundër marrëveshjes së re me Shqipërinë, duke vlerësuar se kjo do të ndikonte negativisht në të drejtat e njeriut, duke përfshirë integritetin fizik dhe të drejtat për azil.

“Zbatimi i saj do të kishte një ndikim negativ në një sërë të drejtash të njeriut, duke përfshirë të drejtat për jetën dhe integritetin fizik të njerëzve që kalojnë me vështirësi detin, dhe të drejtat për lirinë, për azilin dhe për zgjidhjen e duhur të personave që transferohen në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e AI.

Deklarata përsërit atë që ekspertët e ligjit dhe të emigracionit kanë shprehur kundër kësaj marrëveshje, duke u shprehur se autoritetet italiane nuk garantojnë në terma praktikë zbatimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen nga diskriminimi i emigrantëve.

Kjo marrëveshje është e rrezikshme pasi mund të jetë precedent për protokolle të ardhshme”, thuhet në reagimin e Amnesty International.

Dorina Ndrejaj juriste, u shpreh gjatë fjalës së saj në protestë se “emigrimi është një fenomen që ka ekzistuar gjithmonë dhe njerëzit janë të lirë të zgjedhin ku të jetojnë”. Ajo theksoi se kjo kundërshti nuk ka të bëjë me të qenit kundër emigrantëve, por u shpreh e shqetësuar për procedurat.

“Çështja është që të gjitha procedurat të jenë të bazuara në ligj, të gjitha të jenë të bazuara, në vullnetin e popullit, dhe Kushtetuta është shkelur pra prandaj ne jemi përpara dyerve të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Ndrejaj.

Aktivisti i Lëvizjes Bashkë, Emilajndo Kita ngriti si  shqetësim vendimmarrjen autoritare të qeverisë.

Një shqetësim madhor që unë e shikoj që vazhdon ndër vite është fakti që një kryeministër i zgjedhur për katër vite vendos se çfarë do të bëjë për territorin e vendit tonë për 5 vite, minimalisht 5 vite”, shprehu indinjatën e tij Kita.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *