Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Kohë e pamjaftueshme për të “shpëtuar” zonat e mbrojtura

Autor: Artan Rama* | Citizens Channel

Deputetja Jorida Tabaku (PD) i ka kërkuar Kuvendit që ta zgjerojë diskutimin për shqyrtimin e projektligjit “Për zonat e mbrojtura” edhe në Komisionin e Çështjeve Evropiane. Kërkesën ia paraqiti Konferencës së Kryetarëve, nëpërmjet drejtorisë juridike, të mërkurën (24 janar).

Propozimet e befta për të ndryshuar legjislacionin e zonave të mbrojtura, u kërkuan nga Kuvendi në ditët e fundit të vitit që shkoi, por u programuan nxitimthi për shqyrtim, vetëm në dy komisione: Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin dhe Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Tabaku ka prezantuar një profil të spikatur ndaj çështjeve mjedisore, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit, duke shpenzuar kohë për mbrojtjen e parqeve dhe të burimeve natyrore të vendit. Kujtojmë interpelancën që zhvilloi në 2022-shin ndaj Ministrit Kumbaro, lidhur me vendimin (ende të diskutueshëm) të qeverisë, për të ndërtuar një aeroport të madh brenda Peizazhit të Mbrojtur Pishë-Poro-Nartë, si dhe rolin në drejtimin e komisionit hetimor parlamentar për inceneratorët e mbetjeve urbane.

“Jemi nën efektin e një vendimmarrje agresive ndaj zonave të mbrojtura, – konstaton Tabaku. “Propozimi nuk ka marrë në konsideratë përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian”, – vëren ajo, duke iu referuar ndryshimeve ligjore.

Ndonëse propozuesit (një grup prej 12 deputetësh (PS)) e kanë anashkaluar çështjen e përafrimit të legjislacionit vendas me direktivat e BE-së, ekspertë të shoqërisë civile theksojnë se ndryshimet e propozuara cenojnë, në thelb, frymën e këtij përafrimi.

Më herët, një përfaqësi e Delegacionit Evropian në Tiranë, kërkoi që të njihej me ndryshimet, gjatë një takimi të mbyllur me drejtues të lartë të legjislativit.

Organizatat dhe donatorët ndërkombëtarë që mbështesin, financiarisht, menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe të parqeve tona kombëtare, shprehën të njëjtin shqetësim, ndaj ndryshimeve në fjalë

Ndryshimet provokuan një seri reagimesh nga organizatat mjedisore dhe nga grupe interesi, të cilët i kundërshtuan solidarisht, duke i depozituar kundërshtitë në faqen (online) e konsultimeve publike të Kuvendit. Të tjerë aktivistë dhe akademikë mjedisi regjistruan kërkesa për zhvillimin e seancave dëgjimore, në komisionet e përhershme të Kuvendit.

Qëndrimet dëshmojnë për rrezikun që paraqesin ndryshimet ligjore, miratimi i të cilave, mund të shënojë “shkatërrimin e zonave të mbrojtura”.

Në përpjekje për të zbutur kritikat në hapësirën publike, deputeti socialist Arben Pëllumbi (Kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit) kërkoi mendimin e qeverisë. Nuk ka ende një draft publik, të dakordësuar, nga ekzekutivi.

Nga ana tjetër, Ministri Kumbaro pranoi në takim, një përfaqësi të zgjeruar nga organizatat mjedisore, të cilët janë shprehur kundër ndryshimeve, por ajo (Kumbaro) nuk i bëri publike qëndrimet që mbajti në këtë takim.

Ndërkohë, pritet që Kuvendi do t’i shqyrtojë ndryshimet në seancën plenare të 15 shkurtit. Mbeten, gjithsej, edhe tri javë. Por punimet nëpër komisione do të ndërpriten javën e  ardhshme, pasi deputetët do të zhvendosen në terren, në kuadër të programit “Java e Gjelbër”, çka, nga njëra anë, zvogëlon kohën për shqyrtimin e ndryshimeve dhe nga ana tjetër, shton tensionin mes palëve, në një moment, kur sfida e përballjes pritet që të jetë e lartë.

Është e dukshme, se koha e diskutimeve mbetet e pamjaftueshme. Për më tepër që Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, në cilësinë e komisionit përgjegjës, ende nuk ka i planifikuar diskutimet mes grupeve të interesit.

Le të shpresojmë që “heshtja” nuk do të jetë një mjet për të kaluar në fshehtësi ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura.

* Artan Rama është gazetar dhe producent i pavarur që jeton në Tiranë. Ai fitoi çmimin e dytë të BE-së për gazetari hulumtuese në vitin 2016 dhe çmimin e tretë në vitin 2022. Prej kohësh ai është i angazhuar në raportimin e historive të krimit mjedisor, në shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe në çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *