Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Fikur që nga dhjetori, Inceneratori i Elbasanit kërkon 76 milionë lekë për pajisje

Që prej 21 dhjetorit inceneratori i Elbasanit fiku sërish turbinat dhe kaloi në remont. Si pasojë, prej dy muajsh, tonelatat e mbetjeve që depozitojnë aty çdo ditë 7 bashkitë e qarkut Elbasan, nuk përpunohen.

 “21 dhjetor të vitit 2023, stafi Teknik ka përfunduar procesin e fikjes së Impiantit. Aktualisht, impianti është në remont”, tha për “Citizens” kompania “Eco-Elb”.

Vetëm pas pak muajsh punë, inceneratori i shumëdebatuar i Elbasanit, ka kaluar sërish në remont dhe ka nisur procedurat për blerje pajisjesh të reja, pasi “janë amortizuar”.

Kompania publike “Eco-Elb”, e cila administron inceneratorin që prej dhjetorit 2021 ka hapur dy tendera me vlerë 76,794,750 lekë për blerje makinerish dhe pajisjesh të tjera për inceneratorin.

Njëri prej tenderave ka përfunduar dhe është shpallur fitues kompania “Vëllezërit Agalliu 20”. Ky tender me vlerë 21 milionë e 990 mijë lekë, është kualfikuar me “flamur të kuq” pasi janë skualifikuar të gjithë përveç fituesit.

“Eco-Elb” tha për “Citizens” i justifikon këta dy tendera me pretendimin se “për një periudhe të gjatë kohore që Impianti i përpunimit të mbetjeve ka qenë në funksion, janë shfaqur defekte që kanë ndikuar në procesin e trajtimit të mbetjeve”.

Sipas kompanisë për këtë arsye ka lindur nevoja për të blerë pjesë këmbimi, të cilat “do të shërbejë për zëvëndësimin e pjesëve mekanike dhe elektrike të cilat janë amortizuar”.

Fikja e kaldajave vjen vetëm pak kohë pasi zyrtarët e bashkisë e trumbetuan inceneratorin si modern.

 “Jam krenar që falë punës që po bëjmë, kemi sot një qytet shumë herë më të pastër”, – deklaroi Gledis Llatja, kreu i bashkisë Elbasan, dhjetë muaj më parë kur inceneratori u ndez pas një periudhe të gjatë remonti. Sipas tij, ky incenerator trajton 120 mijë ton mbetje nga 7 bashki.

Për ekspertin e ekonomisë Zef Preçi, blerja e makinerive të reja është tregues që “marja në dorëzim apo sekuestrimi i asetit nuk është kryer sipas ligjit”.

“Auditimi që është bërë për investimin e kryer duhet bërë objekt hetimi sepse janë marrë në dorëzim pajisje të papërshtatshme dhe që nuk justifikojnë vlerat që janë paguar nga shteti”, thotë Preçi.

Ai shprehet se shteti ka pasur në dorë që të verifikonte pajisjet “nga tatimet e doganat nëse ishin ato që ishin porositur apo nëse janë të përdorura e të vjetra”.

“Citizens” tentoi të kontaktonte sërish të premten administratorin e kompanisë “Eco-Elb”, Leli Kaja për të pyetur se deri kur do të qendrojë në remont inceneratori dhe se çfarë ka ndodhur me menaxhimin e mbetjeve gjatë kohës që nuk ka punuar inceneratori. Edhe pse ora shënonte 13:45, Kaja u shpreh përmes një bisede telefonike se duhet të presim deri të hënën për një përgjigje pasi “ka përfunduar orari zyrtar i punës” .

Ndërsa zëdhënësi i bashkisë Elbasan, Vladimir Mema tha se nuk kishte informacion se ku janë dërguar mbetjet e bashkisë Elbasan gjatë kësaj periudhe.

“Unë nuk jam ekspert i fushës më duhet kohë për një përgjigje”, tha Mema përmes një bisede telefonike.

Fikja e turbinave të inceneratorit rrit shqetësimin për një krizë të re mjedisore në këtë qark.

Drejtuesi i “Eco Albania” Olsi Nika, konsideron se tejkailimi i kapaciteteve në landfill është rrezik për të gjithë ekosistemin. Sipas tij ndarja në burim nuk funksionon në asnjë prej bashkive të vendit, por shton se problemi më i madh mjedisor fillon me depozitimin e mbetjeve në incenerator.

Inceneratori, thotë Nika “nuk është në kushtet e standardeve të landfillit” dhe për më tepër ajo që ai e quan ndotje difuze ka të bëjë me sasinë e grumbullimit të mbetjeve në landfill.

 “Aty janë në ekstrem, edhe duke qenë dhe pranë Shkumbinit, ka rrisk potencial që të shkaktojë ndotjen difuze”, tha Nika për Citizens.

I ndërtuar në vitin 2017, impianti kushtoi 26 milionë euro, procedurë që u bë përmes një kontrate me PPP. Inceneratori i Elbasanit, sëbashku me atë të Fierit dhe Tiranës bëjnë pjesë në një aferë që i ka kushtuar taksapaguesve 150 milionë euro.

Po ashtu, Prokuroria e Posaçme ka nisur hetim dhe ka dënuar një sërë zyrtarësh dhe administratorësh të këtyre inceneratorëve.

Të dënuar për vepra penale lidhur më këtë aferë janë, Ish ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish deputeti Alqi Bllako, administratorët e kompanicë Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, teksa ish.zv.kryeministri Arben Ahmetaj është arratisur.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *