Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Stacioni lëvizës fle në Sauk”, Tirana nuk mat ndotjen reale të ajrit

Banorët e Tiranës thithin ajër disa herë më të ndotur se sa kufiri i lejuar i BE-së, por institucionet nuk kanë mundësi për të bërë një matje reale të ndotjes në kryeqytet.

Në mëngjesin e 5 shkurtit, së bashku me ekspertin Arion Sauku u drejtuam për tek Instituti i Higjienës ku ndodhet një nga dy matësit e cilësisë së ajrit në kryeqytet, për të parë nga afër se si bëhej matja.

Gjithsej në të gjithë Tiranën, Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka vetëm 2 matës, të cilët prodhojnë të dhënat për gjithë qytetin.

Këto dy stacione janë vendosur në punë në fillim të vitit 2023, pasi Tirana që prej 2019 ishte një qytet pa të dhëna për ajrin.

Stacioni tjetër “Tirana Mobile” ndodhet në Sauk, larg qendrës ku ndodhet përqendrimi më i madh i trafikut dhe aktivitetit urban, që janë ndotësit kryesor të ajrit.

AKM thotë se ka kontaktuar shumë institucione publike në zona të ngjashme me trafik urban të rënduar por “për shkak të problematikave të ndryshme (ruajtje dhe energji elektrike të vazhdueshme) u vendos në Sauk”.

“Stacioni Tirana Mobile aktualisht përdoret si stacion reference për të parë diferencën midis një zone me trafik të madh urban dhe një zone tjetër me trafik më të moderuar”, – tha AKM për Citizens.

Në ekranin e matësit që ndodhet në oborrin e Institutit të Higjienës, të dhënat tregonin një ndotje tepër të lartë të ajrit mbi normat e BE (SO2, O3, etj). Të dhënat për grimcat e pluhurit PM10 dhe PM2.5 nuk shfaqeshin në ekran, pasi matja e tyre bëhej në laborator.

“Citizens” disponon të dhënat e cilësisë së ajrit për Tiranën që gjenerojnë këto dy matësa, të cilat i konsultuam me ekspertin e mjedisit. Stacioni më problematik është ai i rrugës së Elbanasit.

Nga rezultatet vihet re që grimcat e pluhurit PM10 tek Higjena tejkalojnë normat e lejuara, të cilat arrijnë deri ne 65 µg/m³ gjatë muajit Dhjetor 2023. Kjo ndotje është sa dyfishi i normës së lejuar nga BE. Por kjo e dhënë është mesatarja mujore, që do të thotë se në ditë të caktuara ndotja ka qenë edhe më e lartë se 65 µg/m³. Standardi i lejuar tejkalohet edhe në muajt e tjerë.

Ndryshe nga “Higjiena”, të dhënat e gjeneruara nga stacioni në Sauk tregon të dhëna brenda normave, të cilat nuk kalojnë 23 µg/m³.

Situata është problematike edhe sa i përket NO2 (dioksidi i azotit një gaz shumë reaktiv i formuar nga emetimet e automjeteteve motorike). Gjatë muajit dhjetor stacioni “Higjiena” tejkalon normat e lejuara nga BE duke arritur deri ne 49 µg/m³ (norma e lejuar është 40 µg/m³). Kjo tregon një ngarkesë të gazeve toksike në zone, të cilat vijnë kryesisht nga trafiku i rënduar.

Ndërsa Stacioni në Sauk nuk kalon më shumë se 30 µg/m³ në muajin dhjetor. Kjo zonë rezulton me ajër më të pastër përgjatë gjithë vitin po ta krahasojmë me zonën tek drejtoria Higjenës.

“Kjo si pasojë e intensitetit të ulët të ndërtimeve që ka në Sauk në krahasim me zonën e Liceut Artistik dhe fluksin e makinave që lëviz në të dyja zonat”, – thotë eksperti Arion Sauku.

Ekzistenca e vetëm dy stacioneve fikse vendos në pikëpyetje besueshmërinë e të dhënave.

“Numri i stacioneve fikse të monitorimit të cilësisë së ajrit nuk është i mjaftueshëm për të prodhuar të dhëna përfaqësuese dhe të besueshme”, – shprehet Arion Sauku nga “Mileukontakt”.

Stacionet janë investim i Bashkimit Evropian dhe sipas AKM “kanë ardhur bashkë me pajisjen TECORA, një pajisje e njohur në të gjithë botën për matjen e grimcave të pluhurit me metodën gravimetrike”.

BE ka investuar edhe më herët në blerjen e pajisje për matjen e cilësisë së ajrit. Më 2011 financoi 530 mijë euro duke blerë katër stacione automatike për matjen e cilësisë së ajrit, në Vlorë, Korçë, Durrës dhe Shkodër, dhe disa pajisje të tjera.

Në 2006 BE bleu dy stacione monitorimi për Elbasanin dhe Tiranën, dhe një stacion të lëvizshëm i cili nuk është vendosur në punë.

“Tirana Mobile” supozohej të ishte stacioni i lëvizshëm, por ai ndodhet i stacionuar në Sauk prej të paktën 1 viti, që kur ka nisur punën.

Në janar të 2023, “Citizens” komunikoi me AKM, asokohe ky institucion tha se stacionet ishin vendosur dhe po testoheshin për të nisur punën.

Gjatë një monitorimi të kryer nga BE në vitin 2022 u konstatua se stacionet e dhuruara ishin jashtë funksionit dhe matjet e cilësisë së ajrit ishin ndërprerë.

“Citizens” hulumtoi se si u zhdukën të dhënat e cilësisë së ajrit në Tiranë, dhe se si deri në 2023 të vetmet të dhëna për cilësinë e ajrit ishin ato të “Green Lungs”. Teksa një vit më vonë AKM ka arritur të bëjë matje me vetëm dy stacione.

Sipas monitroimit të “GreenLungs”, në dimër 2023 vlerat e përqëndrimit të CO2 në 53 pika rezultonin shumë më të larta se standardi. Në zonën e Unazës së madhe me pikë referimi Pallatin me Shigjeta duke vazhduar për në Astir e deri tek Bulevardi i Ri (ish Shqiponja) vlerat arrinin në nivele mjaft të larta rreth 1,911.00 -2,035.00 ppm.

“Shkaku kryesor i kësaj ndotjeje është transporti si dhe puna për shembjen e vazhdueshme të ndërtesave private”, – thuhet në raport.

Zona të tjera tepër të ndotura janë dhe kryqëzimi i 21-Dhjetorit, pranë spitalit Gjerman dhe një pjesë e zonës së Myslym Shyrit. “Dhe pse nuk mungon gjelbërimi urban vëmë re se ai nuk është i mjaftueshëm”, – konstaton raporti.

Me vetëm dy stacione në dispozicion, eskpertët ngrenë shqetësimin se AKM e ka të pamundur të bëjë një matje reale të ndotjes së ajrit në të gjithë kryeqytetin.

“Vetëm në dy pika që monitorohen nga AKM kemi nivele të ndryshme ndotje imagjinoni sikur të mbulohen me monitorim edhe pika të tjera të qytetit, të cilat njihen historikisht si hotspote (kryqëzimi 21 dhjetorit, rruga Elbasanit, 5 Maji, Unaza e madhe tek Astiri”, – thotë Arion Sauku ekspert nga “Mileukontakt”.

“Milieukontakt” në vitin 2023 ka realizuar monitorime në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë dhe Shkodër dhe ka adresuar ndotjen e ajrit., ku në Tiranë vendosën 400 pika.

Të gjitha të dhënat e grumbulluara bazohen në një metodologji alternative dhe janë të pasqyruara në platformën www.greenlungs.al kjo për të informuar dhe bërë transparente të dhënat për publikun, gjë që nuk ndodh në rastin e AKM-së.

E pyetur mbi këtë AKM tha se “është menduar për t’u koordinuar dhe realizuar në vijim”.

Shqipëria detyrohet nga direktiva 2008/50 EC e Bashkimit Europian dhe legjislacioni i brendshëm që të monitorojë cilësinë e ajrit si dhe ndikimin e ndotjes në shëndetin e popullatës si dhe t’i bëjë ato transparente pë publikun.

“Të gjitha të dhënat duhet të jenë transparente për publikun dhe në kohë reale. Nuk mund të presim të dali raporti i AKM-së për të parë nëse para një viti kemi pasur ndotje apo jo”, – thotë Sauku.

Edhe raporti për progresin e Shqipërinë në procesin e integrimit në 2023, ngriti si shqetësim paaftësinë për të prodhuar statistika mjedisore plotësisht të përputhshme me kuadrin ligjor të BE-së.

Sauku shprehet se shtimi i pikave të monitorimit dhe publikimi i të dhënave online në kohë reale duhet të ishte berë nga AKM.

“Ndotja e ajrit është një problematikë Mjedisore shumë sensitive për të gjithë dhe impakton direkt shëndetin e njeriut”, – thotë Sauku.

Ai shton se për një sistem informacioni dhe monitorimi të mirëpajisur dhe të konsoliduar, është e nevojshme të merren sa më shpejt masat e duhura.

Referuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë ajri i ndotur vret rreth 7 milion njerëz në botë dhe 500,000 njerëz në Europë.

“Ky fakt tronditës kërkon vëmëndje dhe marrjen e masave emergjente për të adresuar problematikën”, – shpjegon më tej Sauku.

Shqipëria është ndër vendet me nivel të lartë të ndotësve të pranishëm në ajër dhe kryesisht për cilësinë e ajrit në zona urbane.

Si rezultat numri i individëve të cilët regjistrohen për t’u kuruar nga sëmundje të frymëmarrjes dhe stresi është dyfishuar në dekadën e fundit, sipas një raporti të OBSH-së.

Raportet e fundit të OBSH tregojnë se cilësia e ajrit dhe parametrat e saj flasin për rreth 3646 vdekje të parakohshme për shkakt të nivelit të PM2.5, 325 vdekje të parakohshme nga niveli i NO2 dhe 313 vdekje të parakohshme për shkak të nivelit të O3 në atmosferë.

Kjo situatë lidhet kryesisht me rëndimin e trafikut në zona urbane bashkë me flotën e vjetër të makinave, si dhe me aktivitetin e lartë ndërtues (urbanizues) në qytetet e mëdha”, – thotë Sauku.

Së fundmi, eksperti nënvizon se monitorimi aktual që bëhet nga institucionet lë për të dëshiruar. “Mungesa e fondeve, metodologjia jo e përditësuar, parametra të ndryshëm matur në kohë të ndryshme është një panoramë e gjendjes së cilësisë së ajrit”, – shprehet Sauku.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *