Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ish-minatorët në protestë, 3 dekada në kërkim të statusit

Në kërkim të statusit prej 30 vitesh, ish-minatorët e Bulqizës, Klosit dhe Mirditës protestuan sot para Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës.

Ndonëse punojnë mijëra metra nëntoke ata marrin një pension qesharak, që nuk u jep mundësi të jetojnë me dinjitet. Si pasojë nuk marrin as një kujdes shëndetësor cilësor.

Ymer Spaho, ish-minator

Kam punuar 20 vjet nën tokë. Kur kam punuar në minierë merrja 12000 edhe dy shtesë, 14000 kam marrë, 13000. Mbaja 20 veta me bukë. Tani mua nuk më mjafton pensioni. Me këtë ligj që kanë nxjerrë këta, 155 mijë lek të vjetra unë nuk jetoj dot. Unë marr ilaçet 77 mijë lek edhe më ngelet për bukë 55 mijë lek. Çfarë të bëj unë?”, – shprehet Ymer Spaho, ish-minator.  

Të njëjtin shqetësim ndan edhe Gjon Gjoka nga Mirdita.

Kam punuar 15 vite në minierën e Spaçit. Aty kemi punuar gjithmonë, për shtetin jo për vete, saqë sot jam pa shpi. I vuajtur, i persekutuar gjithmonë, si atëherë, si sot. Ne po kërkojmë statusin e minatorit, këtë po na e mohojnë dita ditës. Me atë pension që marrim ne nuk përballojmë dot asgjë”, –rrëfen Gjoka.

Pa një mbrojtje ligjore, ata kërkojnë me këmbëngulje miratimin e “kushtetutës së minatorit”. Ish-minatorët dhe minatorët që ende punojnë në këtë sektor thonë se statusi do t’u ofronte sigurimin e jetës për ato që punojnë në thellësi, rritje të pensioneve si dhe përkujdes shëndetësor.

Kadri Disha, ish-minator

Ne nuk gëzojnë asnjë lloj të drejte që na takon. Zotërinj qeveritarë, zbatoni ligjin sepse vetë i keni premtuar dhe premtimi duhet mbajtur deri në fund. Pension qesharak. Ne i bëjmë thirrje Kryeministrit Rama që të mbajë premtimin, sepse në kontratën që bëmë në 2013 tha që miratohet statusi i minatorit. U bënë nga tre mandate dhe nuk e bënë dot. Nuk mund të na gënjeni zoti Kryeministër”,-shprehet Kadri Disha, ish-minator prej 19 vjetësh.

Premtimi për miratimin e statusit të minatorit përsëritet prej 3 dekadash nga politika shqiptare, por deri më tani nuk ka asnjë nismë konkrete.

“Premtimi për miratimin e statusit të minatorit ka qenë që në vitin 1991. Nga e gjithë politika shqiptare, nga e djathta dhe e majta. Mirëpo na kanë gënjyer”, –përfundon Kadri Disha.

Ish-minatorët ndezën edhe disa qirinj në dyert e ministrisë në nderim të kolegëve që kanë humbur jetën në miniera.

Foto: Erisa Kryeziu

Në vitin 2020, minatorët i dërguan Kuvendit një peticion prej 10,700 firmash. Ata kërkuan rritjen e pagave dhe përfitimeve të tjera për minatorët, rritjen e pensioneve, garantimin e kujdesit shëndetësor si dhe sigurimin e jetës. Pas më shumë se tre vitesh nga Kuvendi nuk pati asnjë përgjigje.

Aktivistët në mbështetje të ish-minatorëve kërkuan të kthehet vëmendje ndaj këtij komuniteti të lënë në harresë në kaq vite demokraci.

Emiljando Kita, Lëvizja Bashkë

“Në qoftë se minatorët nuk do të kenë status të veçantë, atëherë kush do të duhet të ketë? Minatori futet 1000 metra, 2000 metra, 3000 metra nën tokë me mungesë ajri, me rreziqe nga më të mëdhajat dhe në fund shteti nuk i jep as status të veçantë”,- u shpreh Emiljando Kita nga Lëvizja Bashkë.

Protesta e sotme është e disata që po zhvillohet nga ish-minatorët. Ata kanë protestuar edhe gjatë vitit 2023, ndërsa theksojnë se do të vijojnë ta kërkojnë këtë të drejtë përpos neglizhencës së politikës shqiptare.

Statusi, “stafeta” politike e mbetur në tentativë 

Në tetor të vitit 2017, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Përparim Spahiu, dërgoi në Kuvendin e Shqipërisë një draft për ligjin e statusit të minatorit.

“Për çdo person do të paguhet kontribut shtesë në masën 5 përqind të pagës bruto për efekt kontributi. Kontributi shtesë do të paguhet në masën 2 përqind nga punëmarrësi dhe 3 përqind nga punëdhënësi. Diferenca ndërmjet efektit financiar të këtij ligji deri në plotësimin e moshës së përfituesve do të përballohen nga buxheti i shtetit”, – u shpreh asokohe deputeti Spahiu.

Ky draft nuk u mor parasysh nga qeveria e cila deklaroi se projektligji sjell pasoja negative në buxhetin e shtetit. Sipas socialistëve drafti nuk ishte shoqëruar me kosto financiare të detajuara dhe kishte shkelje të Kodit të Punës si dhe Kushtetutës.

Në shkurt të vitit 2018, pas rrëzimit të projektligjit të parë, ministri Arben Ahmetaj ngriti sërish çështjen e statusit të minatorit, duke bërë paralelizëm me situatën e minatorëve në qeverisjen e Kryeministrit Berisha.

“Ne do vijmë të sjellim një status të trajtuar me maturi sociale dhe financiare. Atë ditë jeni të ftuar të votoni statuset dhe të falënderoni sigurisht edhe Partinë Socialiste që gjithë kohës ka treguar kujdes të veçantë për këto shtresa”,-shprehej Ahmetaj në 2018.

Në turin e llogaridhënies në qershor të vitit 2018 në bashkinë e Klosit, ministrja Olta Xhaçka premtoi para banorëve se drafti për projektligjin e statusit të minatorëve ishte duke u shqyrtuar dhe shumë shpejt do ti jepet zgjidhje.

“Po diskutohet, po shqyrtohet dhe shumë shpejt do të dalim me një draft që sërish do t’i hyjë një konsultimi publik për të marrë edhe dakordësinë tuaj”,– theksoi Xhaçka.

Në po të njëjtin muaj, minatorët në pension dhe sindikatat që ushtronin veprimtarinë në atë kohë u mblodhën në protestë para Kryeministrisë për të kërkuar statusin, në të kundërt do të nisnin grevën e urisë.

“Për sa i përket statusit ne po bëjmë një projektligj siç e ka Evropa, një draft-ligj për status për të gjitha këto statuse pune të vështira që do të hyjnë tek kategoritë me një status të veçantë”,– u shpreh Kryeministri Rama para banorëve të Hasit në tetor 2018, gjatë një bashkëbisedimi për platformën e bashkëqeverisjes.

 vitin 2019, çështja e statusit u soll sërish në vëmendje. Ndërkohë që një grup minatorësh protestonin para Kryeministrisë, Federata e Sindikatës së Punonjësve të Industrisë në një deklaratë për mediat u shpreh se së bashku me Qeverinë do të përgatisnin draftin për statusin e minatorit dhe shumë shpejt do të kalohet në kuvend.

Pavarësisht premtimeve të shumta, ende sot, 30 vite demokraci, statusi i minatorit mbetet një nga kërkesat kryesore të minatorëve dhe një nga shumë premtimet e pa realizuara të qeverive post komunizmit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *