Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Gratë në STEM”- Lindita Vrushi: “Fitimet në biznes, jo në kurriz të mjedisit”

Ka zgjedhur të operojë në një sektor thuajse të paeksploruar në vendin tonë, që prodhon produkte për kujdesin e lëkurës pa ujë, pasi për të mbrojtja e natyrës është thelbësore.

Lindita Vrushi është drejtuese dhe bashkëthemeluese e dy kompanive “Esencial“ dhe “Nenna Manufactory“.

“Unë kam studiuar kimi industriale/organike dhe im shoq inxhinierinë ushqimore. Duke qenë se në rininë tonë i kemi pasur si profesione të ëndrrave tona, i konkretizuam në ditët që jemi sot“- tregon Vrushi, duke kujtuar fillesat e saj.

Kompania “Esencial“ ka në thelb përpunimin e bimëve medicinale nga të gjithë zonat e Shqipërisë, me një teknologji të gjelbër.

“Ne marrim sasi të mëdha bimësh, të cilat grumbullohen nga fermerët, i thajnë me kujdes, i kalojnë te magazinat tona. Ne i përpunojmë dhe i shndërrojmë në ekstrakte të vogla, të cilat eksportohen “ – tregon Lindita Vrushi në serinë e bisedave të realizuara me gratë në STEM nga SCiDEV.

Këto ekstrakte janë përbërësit kryesorë kimik që përdoren në farmaceutik.

“Teknologjia e gjelbër (Super Critical Fluid), përdor gazin CO2 si lëndë tretëse, ky gaz që emetohet nga industri të tjera në atmosferë, ne e grumbullojmë dhe e përdorim në teknologjinë tonë për të bërë ekstraktimin“- shpjegon ajo.

Vrushi është kundër ndotjes së natyrës, ndaj tregon kujdes në çdo proces. Sipas saj ujërat e industrisë që kalojnë në tokë e kontaminojnë atë dhe më pas ndotja kalon tek bimët. Në rast se ndodh kontaminimi i tyre, ajo nuk i përdor dot më këto bimë si lëndë e parë.

“Ti zgjedh të prodhosh në kushtet natyrale, por je e detyruar të zbatosh disa rregullore, që mbrojnë edhe konsumatorin, por mbrojnë edhe mjedisin“- thekson ajo.

Pas “Esencial“, lindi “Nenna Manufactory“, një kompani që prodhon produkte për kujdesin e lëkurës pa ujë. Pa ujë, sepse Vrushi është mbështetëse e lëvizjes globale “më pak ujë“ (water less), por nga ana tjetër kur nuk kemi praninë e ujit, nuk kemi as praninë e konservantëve kimikë.

“Kam një pakt me veten, do shkoj deri në një pikë, edhe pse fitimet nuk do të jenë aq të mëdha. Nuk do të abuzoj, sepse në radhë të parë kam të sigurtë produktin“ – shton ajo.

Në lidhje me faktin sesi këto biznese mund të ndikojnë në punësimin e të rinjve, Vrushi shprehet se këto dy kompani ofrojnë një linjë të gjerë angazhimi.

“Laboratori është një vend ku bëhen studime dhe kemi konkluzione që i bëjmë bashkë me disa universitete, madje i çojmë te buletini shkencor evropian në Scopus“- pohon ajo.

Sipas Vrushit kompanitë japin mundësi punësimi për juristë, për ruajtjen e standardeve ligjore sipas marrëveshjeve ndërkombëtare. Gjithashtu etiketimi dhe dizajni janë dy linja, që sipas saj, ndikojnë shumë në shitje dhe kërkohen ekspertë të mirëfilltë.

“Të rinjtë e kanë të mundur që të pozicionohen dhe mos të ikin nga Shqipëria. E them gjithmonë, mos ikni nga Shqipëria! “- thekson ajo në fjalën e saj.

Vrushi shpejgon se të bërë të gjitha bashkë, qoftë farmaceutika, kimia, bio – teknologjia, edhe fizika, matematia, krijojnë rrjetin e bashkëpunimit.

“Gjynah që të shesim vetëm sherebelë me 5 mijë lekë kg dhe vlerën tjetër ja shtojnë të huajt. Duhet të rrisim eksportet dhe vlerën monetare të produkteve tona“ – përmbyll ajo.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *