Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Kyçen institucionet e kulturës”! Muzeu Historik njofton papritur mbylljen deri më 2028

default

Me një njoftim të thatë drejtuar kompanive turistike, Muzeu Historik Kombëtar bëri të ditur se do mbyllë dyert për katër vitet e ardhshme. Njoftimi, i bërë publik nga vetë institucioni, u fshi disa orë më pas, por mjaftoi për të ngritur një stuhi pikëpyetjesh për të ardhmen e muzeut. Rikonstruksioni do të nisë në 16 mars dhe vizitorët vendas dhe të huaj nuk do të kenë mundësi ta vizitojnë deri në 2028.

I vetmi dokument publik është vendimi nr.54, i datës 13.02.2023 ku Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale vendosi miratimin në parim të koncept idesë së projektit “Restaurimi, Rikonstruksioni dhe Muzealizimi i Muzeut Historik Kombëtar, me aplikues “I RI“ shpk dhe zhvillues zyrat e UNOPS në Shqipëri.

Më pas janë zhvilluar dy procedura tenderimi nga UNOPS, por nuk ka ende një fitues të shpallur, pavarësisht se afati ka mbaruar më 31 janar. Punimet përfshijnë paketimin dhe transferimin e artefakteve, konsolidimin e strukturës ekzistuese, restaurimin e fasadës së gurit dhe dritaret si dhe riparimin e çatisë. Tenderi i dytë është shpallur gjatë muajit shkurt 2024, por as kjo procedurë nuk është finalizuar.

Referuar dokumentacionit të publikuar nga UNOPS ky projekt nuk do të marrë më shumë se 13 muaj kohë për zbatimin, që e bën edhe më të paqartë se përse institucioni i Muzeut ka lajmëruar mbylljen në një afat katër vjeçar.

Njoftimi për këtë ndërhyrje, vjen vetëm një vit pas pasi Ministria e Kulturës përuroi restaurimin e Mozaikut “Shqipëria” në Muzeun Historik Kombëtar. Restaurimi i mozaikut ndezi debate në rrjetet sociale nëse duhet retushuar historia apo jo. Debati i cili ka nisur që me vendimin e këshillit të ministrave  nr.554 datë 15.11.1993 ku urdhërohej heqja e simboleve komuniste: dy yje dhe një libër i Partisë Komuniste.

Strategji turizmi, pa strategji kulturore

Një sërë institucione publike kulturore u është vënë “kyçi’ në emër të riokonstruksionit, duke zbehur jetën kultuore në vend. Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit u mburr me numrin e lartë prej 10 milionë turistësh gjatë vitit 2023, por është e paqartë se cilat monumente kulturore do të vizitojnë turistët këtë sezon.

“Ne na duhet turizmi i luksit, për të fituar më shumë”, – u shpreh kryeministri Edi Rama më 6 dhjetor 2023.

Një numër i konsiderueshëm institucionesh kulturore në kryeqytet ose nuk ekzistojnë më ose do të jenë të mbyllura për publikun këtë sezon turistik, por ndoshta edhe në sezonet në vijim:

Pasditen e 17 majit të 2020, pasi godina e Teatrit Kombëtar u shemb, pavarësisht protestave që zgjatën thuajse 3 vite.

Më 29 qershor 2021, kryebashkiaku Veliaj bëri me dije se Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen për ndërtimin e Teatrit të ri. Përpos nisjes së punimeve ai konfirmoi edhe se projektin i miratuar ishte ai i Bjarke Ingels Group, të cilin kompania Fusha ShPK ia dhuroi shtetit shqiptar në këmbim të ligjit special, i cili nuk u miratua.

Në 21 Dhjetor 2022 Teatrit Kombëtar u inaugurua në një ceremoni të mbyllur për qytetarët dhe median, nën rrethimin e forcave të policisë. Sot në rrënojat e Teatrit Kombëtar makinerit e rënda kanë nisur punën por ende mbetet e paqartë se kur do të përfundoj Teatri i Ri Kombëtar.

Më 18 tetor 2021, Galeria Kombëtare e Arteve është mbyllur për vizitorët pasi do të rikonstruktohej. Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës rikonstruksioni i hapësirave të Galerisë Kombëtare të Arteve do të kushtojë 1 miliardë e 365 milionë lekë dhe pritet të zgjasë 3 vite. Ministria e Kulturës  në atë kohë njoftoi se aktiviteti i Galerisë Kombëtare të Arteve do të vijojë në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, i cili sot mbylli dyet, teorikisht jo vetëm të funskionit primar, por edhe atë të Galerisë Kombëtare.

Në tetor 2021 nisi rikonstruksioni i Teatrit të Kukullave, me arsyetimin se nuk ka vend mjaftueshëm për fëmijët. Ish – ministrja e Kulturës, Elva Margariti, njoftoi se kjo qendër do të ndërtohet në territorin e “Gardës së Republikës”, ndërsa aty do të ngrihet një Qendër e re për Fëmijët. Objekti po restaurohet me anë të programit “EU4Culture” dhe sipas parashikimeve duhet të përfundoj në 2023.

Objekti i njohur si ish-kinema Dajti do të shembet për t’u rindërtuar me 3 kate shtesë. Tetë familje në rrugën Myslym Shyri, po kundërshtojnë projektin e rindërtimit të qendrës kulturore “TEN”. Rindërtimi i qendrës “TEN” do të kushtojë 57 milionë lekë dhe do të realizohet brenda 12 muajsh. Tenderi u fitua nga kompania “Pepa Grup”, ndërsa të gjithë operatorët e tjerë u skualifikuan.

Cmontimi i tendës së Cirkut Kombëtar të Tiranës ndodhi më 20 Tetor dhe që atëhere artistët japin shfaqje vullnetarisht për shtresat vulnerabël ose në ambiente të hapura. Ministria vendosi të vë në dispozicion ambientet e shkollës “Sinan Tafaj” për stërvitje, fakt i cili nuk u prit mirë nga artistët. Citizens Channel ka raportuar vazhdimisht për kushtet e vështira në të cilët operojnë artistët dhe kërkesat e tyre për një ambient të ri cirku.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *