Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Protesta e tetë marsit, vajzat dhe gratë të pasigurta natën, 68 rrugë të pandriçuara në Tiranë

“Nata është e jona“ është slogani që bëri bashkë dje qindra aktiviste/ë. Ashtu siç ishte paralajmëruar paraprakisht, protesta e tetë marsit nisi tek “Sheshi i Lirisë“, në Qytet Studenti, si një nga zonat më problematike për gratë dhe vajzat në Tiranë.

Siguria ishte kryefjala e protestës. Që nga siguria fizike, siguria në punë, në shtëpi, në internet, në shëndetësi dhe në çdo hapësirë që grave ju cënohet liria.

“Vetëm gjatë vitit 2023, femicidi ka vrarë 23 prej nesh! “- tha gjatë deklaratës hyrëse aktivistja Deni Sanxhaku.

Aktivistja Deni Sanxhaku

Ajo theksoi nevojën e menjëhershme të dënimeve maksimale të krimeve ndaj grave në hapësirën kibernetike, parashikimin e shantazhit seksual dhe përndjekjen në hapësirën on-line si vepër penale.

“Ky tetë mars na gjen me dy gra të shtyra në vetëvrasje prej dhunës në internet. Ky tetë mars na gjen me lajmin që qindra e mijëra djem e burra shpërndajnë imazhe, video intime, të dhëna private, të grave e të vajzave, duke i denigruar e duke i vënë në rrezik për jetën“- tha Anita Lushi nga “Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri”.

Sipas “Kolektivit Feminist”, 41% e grave shqiptare aktive në internet kanë përjetuar një nga format e dhunës, përmes teknologjisë. Lushi i bëri thirrje institucioneve ligjore që të marrin përgjegjësi përpara se të jetë shumë vonë.

“Na duhet një kuadër ligjor që njeh dhe parasheh dënime për ata që ushtrojnë krime kibernetike. Të alokohet një buxhet i dedikuar për të luftuar dhunën në internet dhe të shtohen strukturat përgjegjëse për adresimin e kësaj dhune“- përmbylli Lushi.

Protestuesit në kërkesat e tyre listuan edhe amnistinë për vajzat dhe gratë që vuajnë dënimin në institucionet e mbyllura. Kjo ishte një kërkesë që u artikulua nga vetë të dënuarat gjatë takimit që patën për tetë mars aktivistet me të dënuarat e “IEVP Ali Demi“, në Tiranë.

“Të paktën në 68 rrugë të Tiranës, përfshi dhe sheshin “Skënderbej“, gratë ecin me frikë natën si pasojë e mungesës së ndriçimit. Errësira i mban gratë të trembura dhe larg hapësirave publike, hapësira që na përkasin edhe ne“- analizoi aktivistja Patris Pustina.

Këto të dhëna lidhen me punën paraprake të “Kolektivit Feminist”, për krijimin e një harte me rrugët e pandriçuara në kryeqytet.

“Gratë dhe vajzat që punojnë në çdo sektor, në furra buke, në sektorin e shërbimeve, në zyra, sanitare e shumë pozicione të tjera pune hasen gjithmonë me fjalët, shiko si vishet, shiko si flet, nuk e meriton pozicionin ku është, se kush e di se ça ka me shefin“- theksoi Albina Ruko, nga “Lëvizja Bashkë” gjatë fjalës së saj.

Pamje gjatë protestës së tetë marsit

Aktivistet theksuan se çlirimi nga turpi mbi trupin tonë, si një formë kontrolli dhe dhune nga sistemi patriarkat duhet të marrë fund. Për ta demonstruar këtë disa aktiviste gjatë protestës dogjën sutjenat, si formë simbolike e mos nënshtrimit ndaj kornizave shoqërore, mbi atë çfarë gratë duhet të jenë dhe të duken.

“Trupi i gruas mbahet nën kontroll nëpërmjet turpit. Turp nëse jemi me sutjena, turp nëse jemi pa sutjena! Turp nëse jemi të mbuluara me shami, turp nëse jemi të veshura me minifund! Turp nëse jemiëtë shëndosha, turp nëse jemi të dobëta! “- pohoi Rea Nepravishta.

Citizens Channel intervistoi disa gra dhe vajza nga fusha të ndryshme, për të mësuar se për çfarë protestojnë ato këtë tetë mars.

Ka pasur raste të shpeshta të grave nga komuniteti rom dhe egjiptian që janë aksidentuar në vendin e punës gjatë orëve të natës, kanë ndërruar dhe jetë dhe askush nuk ka marrë masa për këto fenomene”,-tha Romina Sefa.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *