Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Diaspora: “Dua të votoj 2025”! A do të jetë e mundur?

Elio Shyti, njëri nga mijëra të rinjtë që ka emigruar në Gjermani që prej vitit 2016, në zgjedhjet e fundit, nuk mundi të kthehej në Shqipëri për të votuar.

Ai e ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar disa herë gjatë kohës që ka qenë në Shqipëri, ndaj e konsideron të padrejtë mohimin e votës së diasporës. Ai shpreson ta realizojë këtë qëllim në zgjedhjet e 2025.

Elio Shyti

“Vota e çdo qytetari është e rëndësishme për zhvillimin politik të vendit pavarësisht se ku ndodhet ai “ – shprehet për Citizens, Shyti.

Njëjtë si Elio, mbi 1.6 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë nuk kanë mundësi të votojnë për zgjedhjet në Shqipëri për shkak të boshllëkut ligjor.

Prej më shumë se 10 ditësh në rrjetet sociale po qarkullojnë foto me hashtagun #duatevotoj2025. Fushata nisi nga disa aktivistë të pavarur, të mbështetur nga  faqja satirike “Lolita”, për të promovuar dëshirën e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit për të ushtruar vullnetin politik në zgjedhjet e 2025.

Vota e diasporës është një premtim i vjetër i të gjitha forcave politike në vend, por nuk është konkretizuar asnjëherë.

Më 9 janar 2024 përfundoi afati ligjor që Gjykata Kushtetuese i kishte dhënë Kuvendit të Shqipërisë për plotësimin e boshllëkut ligjor, që pengonte votën e emigrantëve.

“Konstatimin e cënimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor“- citohet në vendimin 38, i vitit 2022 së Gjykatës Kushtetuese, pas shqyrtimit të kërkesës së lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”.

“Për zgjedhjet e 2025 jemi shumë vonë dhe konkretisht sot jemi 60 ditë në shkelje të afatit të urdhëruar nga Gjykata Kushtetuese“ – shpjegon drejtuesi Florian Haçkaj nga lëvizja “Diaspora për Shqipërinë e Lirë“.

Citizens Channel kontaktoi Kuvendin e Shqipërisë për të marrë një reagimin për tejkalimin e afateve. Kuvendi konfirmoi se Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore ka zhvilluar seanca dëgjimore me OJF, grupe interesi, parti politike jashtë parlamentit, si dhe ka diskutuar për vendimin nr. 38/2022. Por duket se ende nuk ka një zgjidhje.

“Aktualisht komisioni është në fazën e punës së eksperteve për përgatitjen e draftit të projektligjit “ – pohuan përfaqësues të Kuvendit.

Në përgjigjen zyrtare Kuvendi përmbyll se rregullimi ligjor i kësaj çështje, mbetet në vlerësimin e komisionit, gjatë miratimit të shqyrtimit dhë miratimit te draftit që po përgatitet.

Në vitin 2020, sipas INSTAT, numri i diasporës së re llogaritet të jetë rreth 1,68 milionë shtetas jashtë vendit ose rreth 37 % të shtetasve shqiptarë gjithsej. Diaspora e re përbëhet nga emigrantët që kanë emigruar pas viteve 1990, e cila përkon me valën e madhe të migrimit pas rënies së komunizmit. Ndërsa vetëm në vitin 2022 kanë emigruar jashtë vendit rreth 46 mijë persona.

“Me durim kemi pritur të gjithë që në këto katër vite Komisioni Reformës Zgjedhore të shqyrtonte edhe këtë propozim. Por, rezultati nuk ka qenë dhe aq pozitiv sa çfarë pritej“- ka shkruar në rrjetet sociale deputetja Jorida Tabaku. Ajo dhe një grup kolegësh ka dorëzuar në parlament nismën ligjore “Për Votën e Diasporës”, nisur nga puna paraprake e lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”.

Shumë nisma, asnjë përgjigje

Për votën e diasporës janë ndërmarrë disa nisma nga grupe të ndryshme politike apo interesi, por duket se deri më tani asnjëra nuk është finalizuar.

“Diaspora për Shqipërinë e Lirë“ ka dorëzuar projektligjin elektronikisht për votën e diasporës në shtator 2023, i cili është protokolluar në parlament në tetor dhe dorëzuar me firma deputetësh në nëntë dhjetor 2023.

“Thelbi i çdo gjëje tani është që nuk do ketë votime të tjera në Shqipëri pa votën e diasporës, përveçse antikushtetuese, kështu që nuk ka rrugë tjetër përveç mundësimit të votës së shqiptarëve me banim të përhershëm ose të përkohshëm jashtë Shqipërisë“ – thekson Haçkaj.

Haçkaj e lidh ngecjen e procesit me moskontrrolin e votës së diasporës, më shumë se 1.6 milionë shqiptarëve.

Më 7 dhjetor edhe lëvizja politike ”Shqipëria Bëhet” dorëzoi në Kuvendin e Shqipërisë një draft-propozim për votën e emigrantëve. Përfaqësuesja e ”Shqipëria Bëhet”, Edlira Çepani, konfirmon për Citizens se ende nuk ka asnjë reagim nga 140 deputetët, të cilëve ju dorëzua draft – propozimi.

“Në funksion të angazhimit tone për votën e emigrantëve i jemi drejtuar KQZ-se për të miratuar formularin e mbledhjes se 20 000 firmave për të iniciuar një nisme legjislative qytetare me këtë objekt“- konfirmon ajo.

Edlira Çepani shpjegon se u ndërmor një nisëm e re pasi ka procedura që duhen përmirësuar, si për shembull struktura që do të administrojë procesin e votës së diasporës të jetë e depolitizuar, ambasadat tona duhet të jenë totalisht jashtë procesit të votës së diasporës, propozimin e votimit fizik dhe jo elektronik etj.

Florian Haçkaj përfundon se edhe pse nuk i kupton arsyet e mosmbështetjes së iniciativës që tashmë është për miratim në parlament, e rëndësishme është finalizimi i këtij procesi.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *