Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Gratë në STEM” – Ina Nasto një biologe detare

Ina Nasto, një doktore shkencash në biologji detare dhe pedagoge në Departamentin e Biologjisë në Universitetin e Vlorës, është një shembull frymëzues i suksesit dhe vendosmërisë për të arritur një karrierë në një fushë të vështirë dhe të pa kërkueshme nga gratë.

Rrugëtimi i Inës nisi me një pasion të thellë për biologjinë detare, megjithatë, në momentin e përfundimit të gjimnazit në vitin 2007, nuk kishte shumë zgjedhje profesionale në këtë fushë në Shqipëri.

“Edhe pse Biologjia detare ishte një pasion i vërtetë, mundësitë për t’u specializuar në këtë fushë ishin të kufizuara”, – thotë Ina, kështu që ajo vendosi të vijonte studimet e saj në Itali, ku nisi doktoraturën në “Biologji Detare”.

Në kohën e studimeve, Ina ndeshi sfidat e një fushe të dominuar kryesisht nga burrat. Ajo ndan refleksionet e saj rreth sfidave dhe vështirësive që gratë hasin në integrimin e tyre në profesione të tilla. Stereotipat gjinore dhe presionet shoqërore për të përmbushur role të ndryshme, janë bërë një pjesë e vështirësive që Ina ka përjetuar gjatë karrierës së saj.

“Është e vështirë të përmbushësh të gjitha kushtet e një shoqërie në të cilën një grua duhet të jetë nënë, bashkëshorte dhe gjithashtu të punojë duke kombinuar karrierën me mësimdhënie ose punë në terren“, thotë Ina në serinë e bisedave të realizuara me gratë në STEM nga SCiDEV.

Edhe pse kishte dy prindër që e përkrahën në rrugëtimin e saj, ajo shprehet se stereotipet gjinore kanë qenë një pengesë që ka përjetuar gjithmonë. Për shembull, disa profesorë kanë shfaqur dyshime në aftësitë e grave për të bërë punë në terren, duke promovuar idenë se gratë janë më të përshtatshme për lëndë teorike.

“Ka pasur profesor që na e thonin këtë. Por nuk është e vërtetë, nuk qëndron. Në 15 vitet e fundit, kemi parë shumë biologe detare, të cilat kanë spikatur si jashtë ashtu dhe brenda shtetit tonë. Ka, po ashtu, shumë fizikante, kimiste, të cilat bëjnë punë tjetër përpos punës së zyrës”, – shprehet Ina.

Megjithatë, ajo thekson një përmirësim të dukshëm në këtë drejtim dhe një rritje të interesit të vajzave për të ndjekur karrierë në fusha shkencore. Ajo bën thirrje për shembuj pozitivë dhe trajnime që shembin stereotipat, ndihmojnë në shpërndarjen e mundësive dhe rrisin ndërgjegjësimin për rëndësinë e përfshirjes së grave në fushat shkencore.

“Vë re tek brezat e rinj një rritje interesi tek vajzat, të cilat po i zgjedhin më shumë këto degë, që nuk ndalen pas përfundimit të 3 vjeçrit por kërkojnë më shumë, duan një master, duan doktoraturë, specializime. Dhe kjo është një shenjë e mirë”, – thotë Ina me gëzim.

Në përfundim, Ina shpreson që të rinjtë do të gjejnë rrugëtimin e tyre me lehtësi dhe pa presione shoqërore. Ajo konkludon se shoqëria ka nevojë për një ndryshim kulturor dhe më shumë mundësi për gratë në fushat shkencore dhe teknologjike.

Podcast: Ina Nasto në “STEMspressoxMuc” 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *