Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Gratë në STEM”, – Isabela Dena rrëfen sfidat e sektorit

Isabela Dena, një e re nga qyteti i Korçës, ka spikatur në fushën e shkencës dhe teknologjisë si zhvilluese DWH pranë një kompanie ndërkombëtare në Tiranë. Rrugëtimi i saj është një histori e guximshme e një vajze që ka arritur të integrohet dhe të ketë sukses në një fushë ku ende dominon prania e burrave dhe ku shihet me skepticizëm roli i gruas.

Fillimi i rrugëtimit të saj në fushën e shkencës dhe inovacionit ka nisur me një vendim të guximshëm sipas Isbelës, asokohe 18 vjeçare, për të ndjekur studimet në degën e Informatikës-Ekonomike në kryeqytet.

Pasi kishte përfunduar gjimnazin, Isabela u përball me sfidat e një vendimi të tillë të rëndësishëm, duke ndjekur një fushë studimi pa njohuri të mjaftueshme për tregun e punës dhe duke hasur në dilemën “se a kishte bërë zgjedhjen e duhur”.

Gjatë viteve të studimit, Isabela zbuloi pasionin dhe aftësitë e saj në fushën e informacionit dhe teknologjisë. Për të, kjo ishte një degë e re dhe një sfidë, por i gjithë përkushtimi dhe zelli për të mësuar morën formë në një rrugëtim të suksesshëm më vonë. “Informatika-ekonomike ishte një fushë ku unë do provoja veten, edhe nëse nuk do gjeja veten në informatikë, kisha dhe ekonominë,” thotë ajo kur kujton kohën e e marrjes së vendimit.

Pasi përfundoi studimet, Isabela hyri në tregun e punës duke filluar karrierën e saj në sektorin bankar, për t’i dhënë më pas kontributin e saj si zhvilluese DWH pranë një kompanie ndërkombëtare.

Për të, kjo ishte një sfidë e vërtetë, duke përjetuar hapat e fillimit në karrierë, muajt e provës dhe sfidat në përmirësimin e njohurive që kishte marrë në universitet.

“Fillimisht sikurse besoj edhe në profesione të tjera, kisha atë pikëpyetjen e madhe nëse do dija ta bëja punën, pasi njohuritë në universitet shpesh nuk përputhen me ato që na kërkojnë në vendin e punës”, shprehet Isabela në serinë e bisedave të realizuara me gratë në STEM nga SCiDEV.

Isabela ka përjetuar sfidat e të qenit një grua në një fushë ku ende ndihet prania e stereotipeve dhe diskriminimit gjinor. Megjithatë, ajo vëren me kënaqësi se ka ndryshime pozitive duke ndodhur. “Ka pasur përmirësim në këtë drejtim dhe gratë nuk shihen më në atë prizëm si dikur, edhe pse këto profesione ende perceptohen si të rezervuara për meshkujt,” shprehet Isabela.

Ajo thekson se investimet në trajnime dhe punësimin e grave në fushën e shkencave kanë ndikuar pozitivisht në shembjen e stereotipave.

“Në të gjitha pozicionet e punës ku kam qenë, figura e gruas është respektuar. Trajnime të veçanta kanë ndihmuar në shembjen e këtyre stereotipave,” shton ajo me optimizëm.

Megjithatë, sfidat nuk kanë qenë vetëm në fushën profesionale. Isabela ka përjetuar vështirësitë e largimit nga qyteti i saj, Korça, dhe përshtatjen në jetën e kryeqytetit si studente dhe më pas si profesioniste e suksesshme në fushën e shkencave kompjuterike.

Në dritën e këtyre sfidave, ajo shpreh dëshirën për një ndryshim në perspektivat e qyteteve të vogla në ofrimin e mundësive të punësimit për gratë në fushat e shkencave.

Isabela përfundon duke theksuar rëndësinë e promovimit të rolit të grave në shkencë dhe teknologji, duke shpërbërë kështu stereotipat dhe duke ndihmuar në rritjen e pjesëmarrjes së tyre në këto fusha.

Investimet lokale në fushat e shkencave kompjuterike, teknologjisë dhe informacionit janë të nevojshme për të siguruar një rrugë të hapur për të rinjtë dhe gratë që duan të ndjekin karrierën në këto fusha,” përfundon Isabela Dena, duke bërë thirrje për mbështetje dhe mundësi në nivelet lokale për të përmirësuar pjesëmarrjen e grave në shkencë.

Podcast: Isabela Dena në “STEMspressoxMuc” 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *