Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Rifillon ndërtimi i HEC-eve në Valbonë: Gjykata vendos 3 herë në favor të kompanisë

Gjykata e Tropojës anuloi vendimin që lejonte ndërprerjen e punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës. Sipas vendimit të gjykatës nga data 1 shkurt 2019, përmbarimi nuk ka më të drejtë të ndalojë punimet për HEC-et në Valbonë.

Kjo vjen pasi ndalimi i përkohshëm i përmbarimorëve deri më datë 31 janar 2019, i gjykuar si i paligjshëm nga organizatat mjedisore, ka marrë formë përfundimtare në vendimin e radhës së Gjykatës Tropojë.

Në një komunikim për shtypin, shoqata TOKA, ka bërë me dije se është njoftuar nga Përmbaruesi i Tropojës, Eduard Mrishaj se Gjykata e Tropojës është mbledhur më 21 dhjetor 2018 për të “korrigjuar” vendimin e mëparshëm për urdhërimin e Përmbaruesit që të mos veprojë për të ndaluar ndërtimin e paligjshëm të hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës.

Gjykata e Apelit në Tiranë, më 6 qershor 2018 vendosi që kompania Dragobia Energy dhe Gener 2 të ndërpresin ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Valbonës. Por, më 31 korrik 2018 ishte pikërisht Gjykata e Rrethit Tropojë e cila u shpreh se Përmbaruesi e kishte të jashtëligjshme të zbatonte urdhrin e Gjykatës së Apelit, duke bllokuar zbatimin e vendimit të Gjykatës së Apelit të Tiranës dhe duke e pezulluar veprimtarinë e Përmbaruesit deri më 31 janar 2019.

Sipas deklaratës të shoqatës TOKA, gjykata e Tropojës është mbledhur sërish gjashtë javë më parë, pa njoftuar asnjë palë, dhe me vendimin nr.233 datë 21 dhjetor 2018, nga “pezullimi i veprimtarisë përmbarimore deri më datë 31 janar 2019”, vendosi “anulimin e veprimeve përmbarimore” në mënyrë të përhershme.

Vendimi i Gjykatës Tropojë, vendos anullimin e përhershëm të veprimtarisë përmbarimore 

Sipas organizatës Toka, ky vendim i gjykatës Tropojë nuk është i ligjshëm pasi kalimi nga “pezullim” në “anulim të përhershëm” nuk është korrigjim i një vendimi të mëparshëm, por është një vendim krejtësisht i ri, i dhënë në mungesë të palëve dhe kundër ligjit. Presidentja e shoqatës TOKA, Catherine Bohne lidhur më këtë vendim u shpreh se sa herë që luhen këto lojëra fitojnë disa muaj, gjatë të cilëve vuajnë njerëzit e Valbonës dhe Dragobisë.

Vendimin  gjykatës së Tropojës presidentja Bohne e ka konsideruar si jo transparente dhe jo të drejtë:  “Për ne kjo është një dëshmi përfundimtare që Gjykata e Tropojës po punon pa asnjë transparencë, duke bllokuar drejtësinë, duke vepruar në mënyrë jo kushtetuese me arrogance ekstreme dhe nuk mund të merret seriozisht. Meqë vendimi i tyre është vetëm kundër përmbaruesit në Tropojë, dhe në asnjë mënyrë nuk ndikon apo ndryshon vendimin e Gjykatës së Apelit, po ndërmarrim hapa të menjëhershëm për të kërkuar një përmbarues të ri të paanshëm, si dhe apelim te Avokati I Popullit për të ndërhyrë në atë që është një dështim i qartë i funksionimit të gjykatave”

Citizens Channel ka trajtuar edhe më herët çështjen e ndërtimit të dy hidrocentraleve në Parkun kombëtar të Luginës së Valbonës, duke raportuar mbi kalvarin e gjatë të çeshtjeve gjyqësore.

Vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit të Tiranës ka kompetencë për ta rrëzuar vetëm Gjykata e Lartë e cila ka për mision rishikimin e vendimeve të gjykatave të shkallëve më të ulëta me kërkesën e palëve. Por në mungesë të trupës gjykuese të Gjykatës së Lartë, për shkak se 5 prej tyre janë eleminuar nga procesi i VETTING-ut, kompania “Dragobia Energy” i është drejtuar Gjykatës së Tropojës për të gjetur një zgjidhje.

Në vendimin e gjykatës së Tropojës, gjykatësi Sami Ujkashi referohet vetëm argumentave të kompanisë koncesionare “Dragobia Energy”, duke anashkaluar kundër-argumentet e përmbaruesit dhe vendos pezullimin e veprimeve përmbarimore.

Me vendimin e Gjykatës së Tropojës për të anuluar në mënyrë të përhershme veprimtarinë e Përmbaruesit Tropojë, i lihet e hapur rruga për firmën zbatuese të projektit të ndërtimit të Hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës.

Nesër në orën 10:00 shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Alpeve Shqiptare TOKA, do të dalë në një seancë gjyqësore në Gjykatën Administrative kundër Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për kundërshtimin e veprimeve permbarimore në Luginën e Valbonës.

*Citizens Channel /E.K/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *