Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Bashkëqeverisja del kundër HEC-it në Mirditë” – Kompania nuk ka ndjekur procedurat

Kërkesa e banorëve të Mirditës drejtuar Platformës së Bashkëqeverisjes ka marrë përgjigje zyrtare. Mësohet  se kompania “EME Energy” sh.p.k nuk ka aplikuar pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për procedurat e vlerësimit të ndikimin në mjedis. Lidhur me këtë praktike të munguar, bazuar në ligjin 146/2014 “Për Njoftim dhe Konsultim Publik“, kompania ka shmangur procedurën e konsultimit publik duke mos përfshirë banorët në vendimmarrje.

Ndërtimet në këtë zonë të Mirditës janë miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) me datë 06.11.2018. Punimet janë parashikuar të kryhen në përroin e Shën Gjergjit të Gurrëzës, degë e lumit të Fanit të vogël, me subjekt zhvillues shoqërinë “EME Energy” sh.p.k.

Referuar Fletores Zyrtare të Republikës së Shqipërisë, udhëzimi numër tre i datës 2.12.2013 “Për dokumentacionin e domosdoshëm për të kërkuar leje mjedisore të tipit A, B dhe C për aktivitetet të reja dhe ekzistuese” pika d informon që dokumentacioni i plotë dhe i nevojshëm duhet të përmbajë, ndër të tjera, të dhëna të konsultimit me publikun. Banorët shprehen se nuk janë kryer këto konsultime dhe nuk u është marrë mendimi rreth ndërtimit të hidrocentralit në zonën ku ata banojnë.

Udhëzimi i mësipërm gjithashtu përfshin dokumentim të pjesëmarrjes nga pushteti vendor, përfaqësues të Agjencisë Rajonale dhe palët e interesuara sipas ligjit në fuqi. Po ky ligj kërkon nga subjektet që të bashkëngjisin materiale që vërtetojnë zhvillimin sipas procedurës përkatëse. Këto  materiale janë:

  • Proces-verbale të takimeve
  • Listën e personave të pranishëm
  • Materialet e prezantuara
  • Foto

Shqipëria ka ratifikuar Konventën mbi Aksesin në Informacion, Pjesëmarrjen e Publikun në Vendimmarrje dhe Akses në Drejtësi për Çështje Mjedisore (Aarhus) pjesë e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) që prej vitit 2001. Kjo konventë i garanton çdo qytetari të drejtën e informimit, pjesëmarrje në proceset vendimmarrëse  dhe të drejtën për të kundërshtuar vendimet e ndërmarra nëse nuk janë respektuar dy pikat e mësipërme.

Banorët e zonës së Fanit prej javësh kanë protestuar dhe kanë arritur t’i pengojnë fillimet e punimeve në lumenjtë e zonës. Ata janë shprehur edhe më herët se nuk është kryer procedura sipas kuadrit ligjor, të cilën e vërteton tashmë edhe përgjigja e sjellë nga Platforma e Bashkëqeverisjes.  Citizens Channel ka raportuar mbi protestat e ndodhura në Mirditë dhe nga intervistat e dhenë banorët shprehen se ndërtimi i hidrocentraleve do u ndikojë negativisht në ujin e pijshëm, në vaditje, kullota dhe ekosistem.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *