Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Reportazh: “Matjanët që u bashkuan në mbrojtje të natyrës”

Ditën e shtunë u zhvillua protesta e parajmëruar nga banoret e zonës së Matit. Prej javësh ata kundërshtojnë projektet për ndërtimin e HEC-ve në lagjen Daç të fshatit Lami i Madh dhe Melth të Zall-Gjoçit. Kësaj proteste iu bashkuan edhe qytetarë të Mirditës të cilët po ashtu preken nga hidrocentralet e miratuara. Në sajë të kundërshtimeve të vazhdueshme ata kanë arritur të bllokojnë punimet.

Protesta nisi në zonën e Daçit dhe ndalesa e fundit ishte fshati Zall-Gjoçaj ku ndodhet çadra e rezistencës, e ngritur nga qytetarët e zonës prej më shumë se tre javësh. Banorët, gjatë zhvillimit të protestës, patën konflikte me punëtorët e  firmës që po punon në hapjen që do të lidhë tubat ku do të kalojnë lumenjtë e Matit dhe Mirëditës. Ky konflikti u mbyll me pezullimin e procesit të punës dhe largimin e punëtorëve.

Unë jam kryetar i fshatit Urxallë, jam edhe bletërritës. Më së shumti kam ardhur për bletën, se ku nuk ka bletë nuk ka jetë. Kam 95 koshere bletësh të regjistrume në shtet. Kam punu 25 vjet minator, qëkur dola në pension nuk kisha tokë, vura bletët dhe kujdesem si për fëmijët e mi. I kam bletët në shpi si familje“, u shpreh Abdi Toçi për Citizens Channel. Ai ishte i pranishëm gjatë protestës së mbajtur ditën e shtunë. Zoti Abdi tregon se merret me bletari që prej vitin 1965 dhe rrëfen se ky profesion i ka ndryshuar jetën.

[ngg src=”galleries” ids=”13″ display=”basic_thumbnail”]”Me heq bletët unë s’kam jetë ma. Se bleta asht pasioni ma i madh i imi. Marr nga bleta dhe qumështin e bletës, i vetmi në rreth të Matit. I kam të regjistrume me NIPT, i kam të regjistrume në shtet, i paguj taksa shtetit, pavarësisht se jam në pension“, artikulon më tej Abdi Toçi.

Zoti Toçi beson se ka mënyra të tjera më të dobishme për të prodhuar energji, çka do shmangte dëmtimin e ujit të pijshëm dhe mjedisin përreth.

Don Kishoti ka ba mullinjtë e erës e ujt e pijshëm nuk e ka përdor për mulli. Edhe tashi ka dalë me rreze të diellit, me rreze dielli ta bajnë se ka 360 ditë diell në Shqipëri. Ta bajnë me panele diellore, pse ta harxhojmë ujin e pijshëm?!”, sqaron më tej ai.

Një tjetër protestuese, banore e fshatit Zall-Gjoçaj tregon se ka punuar shumë vite jashtë Shqipërisë dhe tashmë që është kthyer, dëshiron që njohuritë e marrë atje, t’i zbatojë në fshat.

Unë kam punu në emigrim kam 9 vjet, e kam pa atje ku kam punu, kanë ba restorante, kanë mbjell pemë. Atë aktivitet si kemi pa, pse të shkojmë jashtë kur mund ta bajmë në vendin tonë?”, thekson Koleci gjatë intervistës së saj për Citizens Channel. Ajo artikulon se do vazhdojë të mbrojë natyrën dhe lumin si burim i vetëm për të vazhduar jetesën në atë vend.

Nuk do të dorëzohena deri në fund, deri kur të na dali shpirti ktu. Gjyshërit dhe stërgjyshërit nuk e kanë dorëzu, ta dorëzojmë na? Nuk ka mundësi se na jena bijt e atyne“, vijon më tej Hike Koleci.

Kryetari i fshatit Gjoçaj, Adem Gjakola, i cili ishte po ashtu pjesëmarrës në protestë, tregon se prej dhjetorit të vitit 2018, kur morën vesh që ishin miratuar projektet të cilët prekin lumenjtë që rrjedhin në Mat, ata kanë nisur mobilizimin dhe e kanë ngritur çështjen në instanca të larta.

Personalisht kam shku tek ish-kryetari i Bashkisë dhe ia ngrita këtë shqetësim. Ai shpjegonte që nuk do preket uji. Pasi pamë që punimet po vazhdonin, atëherë ne morëm firmat e 178 banorëve, me kartë identiteti dhe ia dërguam kryetarit të Bashkisë, Perfektit, Ministrisë së Energjetikës, Ministrisë së Mjedisit deri tek Kryeministri i Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës“, bën me dije ai.

Zoti Gjakola denoncoi sërish firmën e ndërtimit dhe mungesën e konsultimeve me banorët që jetojnë ende në zonat ku është planifikuar të punohet.

Ne mësuam dhe pyetëm gjithë banorët e zonës dhe del që asnjë nga banorët e kësaj zone ku merret uji nuk janë pyetur fare. Janë pyetur banorë nga një rreth tjetër, nga Mirëdita“, informon Adem Gjakola gjatë intervistës së dhënë për Citizens Channel.

Në rrjedhën e mobilizimit dhe ngritjes së çështjes në nivel qendror dhe vendor, kryetari i fshatit Gjoçaj sqaron se banorët kanë zhvilluar një takim tek Parlamenti i Shqipërisë dhe kanë artikuluar më tej problematikën e tyre.

Shkuam edhe tek Nënkryetari i Parlamentit, na pritën në Parlament dhe ishin 10 deputetë të pozitës dhe opozitës. Ishte dhe Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, Kryetari i Veprimtarisë Prodhuese, Niko Peleshi. Ata e mbështesnin këtë shqetësim që kemi ne por thanë që nuk kemi fuqi ligjore për ta ndalu këtë masakër. Këtë masakër ,na thanë, e ndalon vetëm gjykata dhe protesta e banorëve të zonës“, shprehet zoti Adem.

Duke treguar për bukurinë dhe vlerën që mbartin ato zona, ai ndan  rastin e një profesori gjerman i cili ka 25 vjet që kalon pushimet verore në Zall-Gjoçaj. Gjakola tregon se lajmi se në atë hapësirë do të ketë punime e ka detyruar profesorin t’i drejtojë letër formale Kryeministrit të Shqipërisë në mbrojtje të lumenjve.

Një profesor gjerman ka 25 vite që vjen në këtë zonë, çdo vit vjen këtu. Dhe sivjet që mori vesh që ky ujë do merret do futet në tuba ai shkruajti një letër dhe thotë ne letër ‘Në rast se ky ujë do të merret dhe futet në tuba, lamtumirë Zall-Gjoçaj’“, përfundon Adem Gjakola teksa banorët vijonin protestën në çadrën e rezistencës.

*Citizens Channel/ Entenela Ndrevataj

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *