Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Organizatat ndërkombëtare: Thirrje kuvendit shqiptar për mosmiratim të projektligjeve për median online

Shtatë organizata ndërkombëtare të medias, me anë të një deklarate të përbashkët i bëjnë thirrje kuvendit të Shqipërisë të mos miratojë projektligjet për median online të njohur si paketa ‘antishpifje”.

European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF) , ARTICLE 19 ,European Federation of Journalists (EFJ) , South East Europe Media Organisation (SEEMO) , International Press Institute (IPI) ,Committee to Protect Journalists (CPJ) dhe Reporters Without Borders (RSF) theksojnë se nëse këto projekligje hyjnë në fuqi do të krijojnë një organ administrativ për të gjobitur dhe mbyllur mediat online pa asnjë urdhër gjykate.

Ne vërejmë se propozimet nuk janë në përputhje me praktikat më të mira të vetë-rregullimit dhe mund të kenë ndikim negativ në lirinë e shprehjes në Shqipëri, pikërisht në kohën kur Shqipëria do të marrë Presidencën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) në Janar 2020”.

 

Sipas dekaratës, vihet re një shqetësim në këmbënguljen që ka qeveria shqiptare për vijimin e këtyre projektligjeve, duke e konsideruar një kthesë e keqe për klimën e lirisë dhe medias në vend.

Ka shqetësim të gjithëpërhapur mbi këmbënguljen e qeverisë dhe parlamentit për të vijuar me këto projektligje ndërsa ato sinjalizojnë një kthesë për të keq në klimën e lirisë së medias në Shqipëri. Shqipëria ka detyrime dhe detyra të qarta nën Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe OSBE-në, Presidencën e së cilës pritet ta marrë në Janar 2020. Nëse këto projektligje do të miratohen, do të jetë shumë shqetësuese që Shqipëria të marrë këtë rol.”

Kjo është deklarata e dytë , pas asaj të korrikut që vinte fill pas vizitës monitoruese në Shqipëri për situatën e mediave. Në publikimin e raportit të vizitës në Shqipëri, ato vunë re se liria e shtypit ishte në përkeqësim.

Lexo më shumë: Organizatat ndërkombëtare të medias: Politikanët shqiptarë duhet të ndalojnë denigrimin e gazetarëve

Në deklaratën e publikuar sot nga organizatat, përmendet fakti se pas vizitës në Shqipëri në qershor të 2019, ato i bënë thirrje qeverisë Rama që të ndryshonte projektligjet në përputhje me standardet ndëkombëtare.

Ne ngritëm shqetësimet tona serioze mbi legjislacionin e propozuar gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama, duke e nxitur atë që amendamentet të harmonizohen me standardet ndërkombëtare. Në korrik, ne i bëmë thirrje Qeverisë së Shqipërisë të tërheqë këto projektligje dhe i kërkuam parlamentit të mos i miratonte ato.

Në përfundim të deklaratës së tyre organizatat i bëjnë thirrje kuvendit të Shqipërisë të heqë dorë nga miratimi i projektligjeve duke e nisur procesin nga fillimi, konfort praktikave ndërkombëtare.

 “Ne i bëjmë thirrje parlamentit të Shqipërisë të heqë dorë nga procesi këmbëngulës i aprovimit të këtyre projektligjeve dhe të rifillojë procesin nga e para. Parlamenti duhet të përdorë mekanizmin e asistencës të disponueshme përmes zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë dhe të Bashkimit Europian në mënyrë që të vijë me ligje që janë në përputhje me standardet më të mira të lirisë së medias. “

Tre javë më parë ishin 15 organizata shqiptare të cilat me anë të një deklarate kundërshtuan dy projektligjet e qeverisë për median, duke i konsideruar ato si cënim të lirisë së shprehjes. 

Lexo më shumë: Organizatat e shoqërisë civile i bëjnë thirrje qeverisë të tërheqë dy projektligjet e “Paketës Antishpifje”

Deklarata e organizatave ndërkombëtare vjen menjëherë pas reagimit të përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, i cili rekomandoi disa ndryshime në draftin aktual, në mënyrë që të shmangen sanksionet e padrejta ndaj mediave elektronike dhe të  ofrohet garancia për lirinë e shprehjes në Shqipëri.

*Citizens Channel/ Erisa Kryeziu 

 

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *