Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Europa Nostra letër Metës, Ramës dhe Veliajt: “Të ndalohen planet për prishjen e Teatrit Kombëtar”

Hermann Parzinger, Presidenti Ekzekutiv i Europa Nostra, organizatë ndërkombëtare në mbrojtje të trashëgimisë kulturore në Evropë, i është drejtuar me një letër të personalizuar Kryeministrit Rama, Presidentit Meta dhe kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Ai shpreh shqetësimin e tij lidhur me planet e prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe u bën thirrje të mënjanohen nga vendimi  për ta ndërtuar një teatër të ri në vend të atij ekzistues.  

Në këto letra, Europa Nostra bën me dije se ekziston një probabilitet i lartë që Teatri Kombëtar të përzgjidhet si një nga “7 vendndodhjet më të rrezikuara në Europë“, e cila do  të angazhonte rrjetin dhe partnerët e Europa Nostra-s në restaurimin dhe rijetëzimin e godinës. Kjo nismë është krijuar për herë të parë në vitin 2013, me Bankën Evropiane të Investimeve si partner themelues.

Asnjë nga 29 vendndodhjet e përzgjedhura më parë në programin ‘7 më të rrezikuarat’ nuk është prishur dhe do të ishte risi nëse një fat i tillë i mjerueshëm do të ishte rezervuar për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, me gjithë mbështetjen e treguar në nivel kombëtar dhe Europian“, shkruan Prof. Dr. Hermann Parzinger në letrën drejtuar Ramës.

Letra e nisur në adresë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës nënvizon rëndësinë kulturore që mbart Teatri Kombëtar, jo vetëm për kryeqytetin e Shqipërisë por edhe për vetë Evropën. Presidenti Parzinger thekson se edhe më parë, Europa Nostra ka përzgjedhur vendndodhje të tjera të rrezikuara në Shqipëri.

Gjithashtu do të doja të shtoja që vendndodhje shqiptare janë përzgjedhur dy herë edhe në të shkuarën: Amfiteatri i Durrësit dhe Kishat Post-Bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq. Në të dyja rastet, Europa Nostra e gjeti bashkëpunim me aktorët shqiptarë pozitiv dhe efektiv, duke theksuar konsideratën dhe respektin që vendi juaj ka për ruajtjen e trashëgimisë kulturore“, shpjegon më tej Prof. Dr. Hermann Parzinger në letrën kundrejt krerëve kryesorë në Shqipëri.

 

Europa Nostra i rikujton Presidentit Meta se atij i janë drejtuar edhe më herët, në korrik të 2018-tës dhe i bën thirrje që të përdorë ndikimin dhe pozicionin që Presidenti gëzon për të mbrojtur Teatrin Kombëtar. 

 

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e ka mirëpritur këtë vendim nga Europa Nostra, duke e konsideruar këtë një nismë sensibilizuese .

 

Kryebashkiaku Erion Veliaj, në datë 14 janar të këtij viti ka ritheksuar se nuk është tërhequr nga plani për ta shembur godinën e Teatrit Kombëtar. Gjatë një takimi me banorët e zonës së Kasharit, Veliaj bëri me dije se Tirana, në 100 vjetorin e saj, do të fillojë punën në ndërtimin e një teatri të ri.  

“Që njerëzit të kuptojnë se Shqipëria nuk është vetëm e atyre njerëzve që bërtasin. Ashtu siç është edhe Kadri Roshi. Amaneti i Kadri Roshit ishte një teatër i ri. Të ketë një teatër të ri ku nuk plevitosemi, ku nuk shkojmë me batanije në shfaqje, ku nuk punojmë në një mullar kashte me shkrepëse të presuara, siç bëhej teatër para 100 viteve. Tirana në 100 vjetorin e saj do të fillojë punën për Teatrin e ri“, u shpreh kryebashkiaku Veliaj. 

 

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *