Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Kostoja e kritikës; flasin studentët që u shoqëruan në komisariat pasi ndërprenë fjalimin e Kryeministrit

Pallati i Kongreseve ka pritur dje ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit të Mjekësisë, ku mori pjesë Kryeministri Rama dhe Ministria e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, të cilët mbajtën fjalimet e tyre para 1600 të diplomuarve.

Fjalimi i Kryeministrit u ndërpre dy herë nga studentë të pranishëm në sallë. Enriko Peçuli dhe Emiljando Kita, aktivistë te Lëvizjes Për Universitetin, ndërhynë gjatë fjalës së tij, dhe morën si këmbim reagimet e sallës dhe vetë Kryeministrit.

Studenti Peçuli ngriti shqetësimin e migracionit, duke u shprehur se diplomat e marra nuk mjaftojnë që mjekët të qëndrojnë në Shqipëri. “Diplomat që jepni ju janë bileta për arratisje” ka theksuar ai teksa Rama po mbante fjalim. Pak minuta më pas, ndërhyri edhe Emiljando Kita duke vënë theksin tek tarifat e universiteteve.

Menjëherë, punonjësit e Gardës së Republikës u janë afruar aktivistëve, teksa Rama u ka sugjeruar të sapodiplomuarve se studentët që kundërshtuan janë individë të cilët kanë nevojë për trajtim mjekësor.

Është një individ në shërbimit tuaj që të filloni ushtrimin e profesionit sapo të hidhni kapelën. Merreni dhe jepini recetën e duhur. Në kohën e kaq shumë barnave të rimbursueshme, i merr falas edhe nesër… është i kthjellët“, tha Rama, fjali e cila u prit me të qeshura nga salla.

Aktivistët shoqërohen në komisariat pasi ndërprenë fjalimin  

Aktivistët e nxjerrë nga Pallati i Kongreseve prej forcave të Gardës së Republikës janë shoqëruar më pas tek komisariati numër një. Motivi i shoqërimit të tyre ishte prishje e rendit dhe qetësisë publike.

“Ne jemi marrë me forcë nga punonjësit e Gardës së Republikës dhe jemi shoqëruar jashtë ambienteve te Pallatit të Kongreseve. Ata ishin tepër konfuze dhe jemi mbajtur jashtë derisa kanë marrë urdhër për të thirrur policinë. Deri ne momentin qe ka ardhur patrulla e policisë, ne nuk na është shpjeguar motivi i mbajtjes me forcë aty jashtë. Më pas, në makinën që po na shoqëronte për ne komisariatin numër një, na u komunikua se po shoqëroheshim me motivin e prishjes së rendit dhe qetësisë publike“, sqaron Enriko Peçuli për Citizens Channel.

Vendosëm që të ndërhyjmë në ceremoninë e djeshme, pasi është i turpshëm fakti që një Kryeministër është kaq i dëshpëruar mbi imazhin e vet ne pikiate, saqë është i gatshëm te përdore çfarëdolloj ceremonie, qofte studentore ose jo, për të ndrequr me cirk gjithë çfarë ka shkatërruar me reforma“, tregon më tej ai.

Enriko Peçuli, aktivist i Lëvizjes Për Universitetin

Ai shpjegon se fenomeni i migracionit tek te diplomuarit në Shqipëri është shqetësues dhe gjithashtu thekson se reforma e Arsimit të Larta nuk i ka zgjidhur problemet me të cilët hasen studentët.

Ne si lëvizje studentore, e kundërshtojmë me forcë mënyrën e funksionimit të arsimit të lartë, dhe e dënojmë si të turpshme dhe qesharake çdo tentativë që bëhet për ta bëre jetën post-studentore të duket si fushë me lule, në një kohë kur studentët e diplomuar po marrin rrugët e emigrimit, pasi në Shqipëri vendet e punës janë të fryra dhe pagat janë jashtë çdo standardi mirëqenieje“, artikulon Peçuli.

Kita tregon se i është mohuar e drejta për t’u shprehur gjatë ceremonisë, duke u përdorur forcë fizike nga punonjësit e Gardës.

Aty ka pas vetëm komunikim force. Nuk ka pasur komunikim me fjalë, ka pas komunikim force. Besoj ishin truprojat ata që na kanë nxjerrë nga zona, kanë shtrënguar duart në mënyrë që të mos lëviz. Kam bërë një farë rezistence, në mënyrë që të arrija të artikulohesha përsëri, duke thënë që sot, në qoftë se vëllai im nuk do ishte jashtë shtetit, sot do ishte duke u diplomuar tek ky universitet, duke thënë faktin kryesor siç e përmenda më përpara që universiteti është bërë vetëm për të pasurit“, sqaron Emiljando Kita për Citizens Channel.

Emiljando Kita, aktivist i Lëvizjes Për Universitetin

Ai rrëfen se shoqërimi i komisariatit nuk është pasuar me penalitete të tjera dhe e konsideron të paligjshëm mohimin e të drejtës së fjalës.

Deri tani, jemi në statusin e të shoqëruarit, pra nuk procedohet më tej. Madje ne e dënojmë këtë akt, sepse të thuash fjalën tënde të lirë, të thuash publikisht një mendim… ne nuk e konsiderojmë fare të paligjshme. Ne nuk i shqetësuam fare studentët, studentët na duartrokitën dhe kjo tregon se kush kishte të drejtë“, përfundon ai.

Përqeshja e problemeve emocionale shoqërohet me kosto shoqërore

Një tjetër aspekt shqetësues ishte gjuha e përdorur nga Kryeministri Rama, në përgjigje të reagimit të studentëve.

“Merreni dhe jepini recetën e duhur. Në kohën e kaq shumë barnave të rimbursueshme, i merr falas edhe nesër… është i kthjellët

Duhet ta shoqëroni për të marrë shërbimin e shpejtë mjekësor

Këto ishin dy frazat që Rama përdori ndaj studentëve, duke shkaktuar të qeshura në sallë. Përdorimi i kësaj gjuhe denigruese ndaj shëndetit mendor, në një sallë me profesionistët e ardhshëm të shëndetit në Shqipëri duhet të përbëjë alarm sipas specialistëve.

Psikologia klinike Sulltana Aliaj shpjegon se problemet e shëndetit mendor shpesh nuk marrin trajtimin e duhur në shoqëri dhe sqaron se individët me rëndësi shoqërore duhet të kenë një rol proaktiv në luftimin e stigmës dhe diskriminimit.

Sulltana Aliaj, psikologe klinike

Së pari, është e nevojshme ndërgjegjësimi i gjithë opinionit publik për uljen e paragjykimeve ndaj personave me probleme te shëndetit mendor. Se dyti, është e domosdoshme krijimi i mekanizmave funksionale qe vlerësojnë nevojat reale psikologjike të individëve, për të marrë trajtimet e nevojshme. Së treti, personat me influencë në shoqëri mund të ndërmarrin reforma dhe iniciativa për krijimin e ekipeve multidisiplinare që kanë si qëllim jo vetëm trajtimin e problemeve të shëndetit mendor, por edhe punën e vazhdueshme për parandalimin e tyre, duke krijuar mekanizma lehtësues ekonomik, social, arsimor, të punësimit që mundësojnë zhvillimin e potencialit të çdo individi“, informon Aliaj gjatë intervistës së dhënë për Citizens Channel.

Nënqeshjet kane një kosto të lartë për personin e prekur dhe vetë familjen, sqaron më tej ajo, pasi një reagim i tillë rrit ndjenjat e turpit dhe fajit për vetë individin, por edhe për familjaret e personit i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Ndërkaq, përsa i përket reagimit në sallë me të qeshura është një tregues i qëndrimeve negative dhe aspak empatike të shoqërisë ndaj çështjeve që prekin mirëqenien psikologjike, por edhe një kambanë e fortë alarmi e bindjes  që kemi kundrejt autoritetit, ndonjëherë përtej parimeve dhe vlerave personale“, përfundon Sulltana Aliaj.

Censurë në televizionin privat ERTV

Fjalimi i kryeministrit Rama është transmetuar drejtpërdrejt tek televizioni privat i tij, ERTV. Teksa aktivistë të Lëvizjes Për Universitetin kanë shfaqur kundërshtimet, atyre u janë afruar punonjës të Gardës së Republikës për t’i nxjerrë jashtë. Këto pamje nuk janë shfaqur tek televizioni online i Kryeministrit.

Edhe më herët, aktivistë të Lëvizjes Për Universitetin kanë ndërmarrë aksione të tilla dhe janë përballur me censurë dhe ndërprerje të transmetimit.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *